"EULEX-i do të vendoset në tërë territorin e Kosovës sipas planit të veprimit, miratuar kohë më parë nga Bashkimi Evropian", tha Javier Solana.
Në pritje të raportit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon, në Bruksel vazhdojnë të besojnë që pas këtij raporti do të jetë e mundur që EULEX-i të fillojë edhe zyrtarisht në tërë territorin e Kosovës.
Për këtë ka folur në Bruksel përfaqësuesi i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Javier Solana, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kreun e NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer.
Konferenca erdhi pas takimit NATO-BE mbi situatën në Bosnjë-Hercegovinë.
I pyetur se a do të vendoset EULEX-i në tërë territorin e Kosovës dhe cilat ligje do t'i zbatojë, Javier Solana u përgjigj se kishte biseduar rreth kësaj çështjeje në Nju Jork me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së.
"Pres që raporti të paraqitet sa më shpejt që të jetë e mundur, por nuk më takon mua të them se kur".
Ai më pas tha se është takuar edhe me gjeneralin francez, Yves de Kermabon, i cili është aktualisht shefi i EULEX-it.
"Shpresoj që vendosja të fillojë sa më shpejt në fillim të dhjetorit, mundësisht më 2 dhjetor", tha Solana, duke shtuar se EULEX-i "do të vendoset në tërë territorin e Kosovës sipas planit të veprimit, miratuar kohë më parë nga Bashkimi Evropian".
Në këtë mënyrë, Solana bën të ditur se Bashkimi Evropian nuk do të heqë dorë nga vendimi që kishte marrë në muajin shkurt të këtij viti, kur ishte aprovuar plani i veprimit.
Ndërkohë, zyrtarë të Bashkimit Evropian pohojnë se aktualisht në Kosovë gjenden 600 pjesëtarë të EULEX-it, derisa së bashku me ekipin vendor, numri i tyre shkon mbi 1000.
Gjatë kësaj jave është rritur optimizmi në Bruksel se misioni i EULEX-it duhet të fillojë në fillim të dhjetorit.
Në anën tjetër, edhe pse jo zyrtarisht, diplomatët e NATO-s kanë përsëritur se edhe për Aleancën është e rëndësishme që sa më parë të fillojë aktivitetin EULEX-i, në mënyrë që të sqarohen detyrat se kush vepron nga ana e pranisë ndërkombëtare në terren.