Somalia është bërë shteti më i dështuar i botës, ndërsa anarkia u lejon bandave të piratëve që të operojnë lirisht në brigjet e saj. Rrëmbimi senzacional i anijeve dhe i një supertankeri, katër ditë më parë, i pasurojnë disa qytete në brigjet e vendit.
Por, ekonomia në pjesën tjetër të Somalisë vazhdon të përkeqësohet, për shkak të luftimeve ndërmjet fraksioneve dhe mungesës së ligjit në përgjithësi.
Pjesëtarët e bandave të piratëve në Somali janë biznesmenët më të suskesshëm në vend.
Një raport i Kombeve të Bashkuara thotë se piratët kanë mbledhur deri në 30 milionë dollarë nga rrëmbimi i anijeve.
Të shtunën ata zunë një nga anijet më të mëdha botërore të naftës që vlente afër 100 milionë dollarë. Ndërkaq, në 10 muajt e kaluar, rreth 65 anije tregtare janë rrëmbyer nga ana e piratëve.
Suksesi i piratëve po ballafaqohet me përpjekjet e qeverive botërore për të ndalur këtë lloj biznesi.
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të shtetit, Shon McCormak, thotë se shumë vende, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara, kanë anije detare në rajon, por problemi është më i madh dhe se asnjë fuqi e vetme nuk mund ta zgjidhë çështjen.
"Ky është një problem ndërkombëtar. Shtetet e Bashkuara nuk do ta zgjidhin të vetme. Dhe, asnjë vend tjetër vetëm nuk do ta bëjë këtë. Të shikosh në anën praktike, aty ka anije të Indisë, Rusisë dhe NATO-s. Pastaj, ka anije të Shteteve të Bashkuara që janë të përfshira në luftën kundër terrorizmit", tha McCormak.
Zona në të cilën piratët operojnë, është shumë e madhe. Mirëpo, nga anijet që rrëmbehen nuk ka tentativë për të ndalur piratët, përderisa ata marrin pengje dhe kontrollojnë drejtimin e saj.
Aktualisht, janë 17 anije me rreth 200 persona që mbahen nga piratët. Ata presin të përfundojnë marrëveshjet e këmbimin me pronarët e anijeve.
Qeveritë e huaja ua kanë lënë në dorë kompanive të anijeve të merren me pagesën që duhet të bëjnë me kusht lirimin e pengjeve.
Edhe Arabia Saudite ka sinjalizuar se këtë gjë ua ka lënë pronarëve të anijes së rrëmbyer të shtunën. Për problemin u prononcua edhe ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite, princi Saud al-Faisal.
"E di se pronarët e anijes po negociojnë për këtë çështje. Ne nuk duam të negociojmë me terroristët. Mirëpo, pronarët e anijës janë kryesorët në atë që po ndodh atje", tha ministri i Jashtëm saudit.
Mirëpo, pronarët e anijeve zakonisht paguajnë. Ata zakonisht hedhin thasë me para nga helikopterët në afërsi të bregdetit.
CNN ka raportuar se së fundi biznesi është ringjallur në vendet bregdetare të Somalisë.
Ndryshimi ekonomik i këtyre vendeve bregdetare të Somalisë është aq i ndryshëm nga pjesa tjetër e vendeve saqë qytetarët po i shikojnë piratët si heronj.
Raportohet se kur e dërguan në bregded anijën e rrëmbyer gjatë vikendit, qytetarët vrapuan në plazh për të festuar.
Por, të gjitha këto na kujtojnë se sot Somalia është një shtet totalisht i dështuar. Bazuar në raportin e Kombeve të Bashkuara, numri i banorëve të Somalisë që kanë nevojë për ndihmë humanitare, është rritur nga 1.8 në 3.2 milionë. Por, edhe anijet që dërgojnë ndihma zakonisht rrëmbehen dhe plaçkiten.