“Administrata e re amerikane, do të modifikojë, madje edhe kontestojë planin e BE-së”, thotë për radion Evropa e Lirë, Richard Giragosian, ekspert në Institutin për Analizën e Sigurisë Globale /SHBA/
RADIO EVROPA E LIRË
Duket se pas intervenimit të Rusisë në Gjeorgji në gusht të këtij viti, Bashkimi Evropian pothuajse nuk ka përgjigje të qartë për veprimet e Moskës. Në këtë kontekst, disa e interpretojnë qëndrimin e Brukselit që të pranojë kërkesat e Serbisë për neutralitetin e EULEX-it në Kosovë, si lëshim pe para Moskës...
RICHARD GIRAGOSIAN
Zhvillimet në muajin gusht dhe konsolidimi i fuqisë dhe pushtetit në Rusi, reflektohen edhe në Kosovë. Prandaj, tash po shohim se Bashkimi Evropian përpiqet t'i afrohet pozicionit të Serbisë.
Unë jam skeptik ndaj kësaj përpjekjeje dhe nuk e mbështes atë, por, nga këndvështrimi amerikan, nga këndvështrimi i sigurisë në terren, tash po hyjmë në një fazë shumë të rrezikshme të garantimit të sigurisë dhe qëndrueshmërisë së institucioneve të Kosovës.
Mendoj se tash Kosovës i kanoset një rrezik i ri, i cili del nga kjo qasje më e re e Bashkimit Evropian. Unë do ta këshilloja Brukselin që të mos nxjerrë porosi të gabuara nga presioni i Rusisë dhe aksionet e saj në Kaukazin Verior, sepse, në shumë mënyra, Kosova është letër lakmusi për vendosmërinë e Perëndimit.
Në Gjeorgji, shumica konsiderojnë se Perëndimi i ka zhgënjyer, duke mos ofruar mbështetje të vendosur gjatë intervenimit të Rusisë në muajin gusht.
Tash, Kosova është testi më i ri i vendosmërisë së Perëndimit, prandaj SHBA-të dhe BE-ja kanë obligim që me të vërtetë t'i mbështesin institucionet e Kosovës.
RADIO EVROPA E LIRË
Institucionet e Kosovës me vendosmëri kanë hedhur poshtë propozimin e BE-së dhe OKB-së. A mund të thuhet se SHBA-të në heshtje po e mbështesin këtë qëndrim të Prishtinës?
RICHARD GIRAGOSIAN
Mund të konkludohet se SHBA-të nuk janë shumë të përziera në planet e BE-së për të vendosur këtë mision, të cilin Prishtina e kundërshton.
Mendoj se gjatë zgjedhjeve presidenciale në SHBA, nuk pati ndikim të mjaftueshëm të Shtëpisë së Bardhë ndaj Bashkimit Evropian që ta modifikojë propozimin e tij dhe më vendosmërisht ta mbështesë Prishtinën. Ndërkohë, Rusia e shfrytëzoi rastin e vet që ta rritë presionin.
Pra, SHBA-të ishin orientuar drejt çështjeve tjera, për shkak të zgjedhjeve, kështu që Kosova u bë më e ndjeshme ndaj presionit të Rusisë, dhe rrjedhimisht, ndaj qëllimeve të Bashkimit Evropian për ta dislokuar misionin e saj nën këto kushte.
Kjo do të thotë se administrata e re amerikane, kur të vijë në pushtet në janar, do të jetë më e angazhuar në mbrojtjen e pozicionit të Kosovës, duke insistuar në modifikimin, madje edhe në kontestimin e planit të Bashkimit Evropian.
RADIO EVROPA E LIRË
Gjatë mandatit të presidentit Bush, Ballkani nuk ishte lart në prioritetet e politikës së jashtme të SHBA-ve. A do të ndryshojë diçka në këtë drejtim gjatë administratës së Obamës?
RICHARD GIRAGOSIAN
Mund të shihen dy faktorë të rëndësishëm. Gjatë mandatit të Bushit nuk kishte gatishmëri që Ballkanit t'i kushtohet rëndësia, të cilën e kishte gjatë mandatit të Clintonit. Mirëpo, nga pikëpamja e pranisë ushtarake amerikane, Kosova dhe Ballkani mbeten shumë të rëndësishëm.
Sidoqoftë, administrata e Obamës do të duhet të argumentojë se sukseset e realizuara gjatë mandatit të Clintonit, tash janë vënë në pikëpyetje.
Të them sinqerisht, çështja e Kosovës nuk është e zgjidhur plotësisht. Shtetet e Bashkuara duhet të angazhohen në mënyrë më aktive në Ballkan dhe, në këtë kuadër, edhe në afirmimin e modelit të pavarësisë së Kosovës.
RADIO EVROPA E LIRË
Potencuat se në Kosovë nuk është realizuar sukses i plotë. Mendoni në situatën në terren apo për faktin se deri tash Kosovën e kanë njohur 52 vende?
RICHARD GIRAGOSIAN
Kur thashë se çështja e Kosovës nuk është zgjidhur plotësisht, nuk mendova aq shumë për situatën në terren, sepse, të jemi të sinqertë, rruga drejt shtetësisë, sovranitetit, sigurisë dhe qëndrueshmërisë së plotë, është e gjatë dhe e vështirë. Prandaj, është e paarsyeshme dhe e pabazë që të presim se kjo do të ndodhë shpejt.
Fjalën e kam për pozicionin e Rusisë, e cila me kohë do të duhet ta pranojë realitetin në Kosovë. Kjo do të thotë se shtetësia e Kosovës ende nuk është e siguruar dhe e garantuar nga të gjithë faktorët ndërkombëtarë.
Prandaj, ndërkohë, Shtetet e Bashkuara do të duhet të jenë më aktivisht të angazhuara, derisa Kosova të arrijë në shkallën ku shtetësia e saj nuk do të jetë e rrezikuar dhe kur Shtëpia e Bardhë të mund të sjellë vendimin për angazhimin e zvogëluar dhe pa rrezik.
Kjo është më e rëndësishme sesa situata në terren apo numri i vendeve që deri tash e kanë njohur Kosovën.
RADIO EVROPA E LIRË
Disa thonë se plani gjashtëpikësh sinjalizon se BE-ja është e gatshme që në heshtje të miratojë faktin që veriu i Kosovës të mbetet jashtë juridiksionit të Prishtinës...
RICHARD GIRAGOSIAN
Nga perspektiva amerikane, roli i Bashkimit Evropian në Kosovë dhe në Ballkan është i natyrshëm, dhe Uashingtoni e mbështet këtë. Por, mua më shqetëson zbatimi, respektivisht mandati i EULEX-it në baza ditore.
Thelbi i problemit është respektimi i të drejtave të pakicave, por edhe mosndryshimi i kufijve. Për fat të keq, siguria dhe qëndrueshmëria e situatës do të varen nga vendimet dhe sjelljet e udhëheqësve lokalë në terren. BE-ja, por edhe SHBA-të, mund të bëjnë presion, për t'i dhënë kahje një vendimi të tillë.
Por, mua më shqetëson mundësia se situata edhe më tej do të jetë përplot tensionime dhe pa zgjidhje, kështu që presionet e BE-së dhe SHBA-ve mund ta përkeqësojnë, në vend që ta përmirësojnë atë.
Prandaj, këtu nuk është shumë me rëndësi roli i Bashkimit Evropian, por mënyra e zbatimit të tij.
RADIO EVROPA E LIRË
Serbia zyrtarisht thotë se është kundër ndarjes së Kosovës. Megjithatë, a mund të pritet që në realitet Serbia ta kërkojë veriun e Kosovës në një lloj pazari me Perëndimin?
RICHARD GIRAGOSIAN
Të jem i sinqertë, jam shumë skeptik për këtë mundësi. Besoj se Serbia një kohë të gjatë do të ketë ambicje që ta rikthejë një pjesë apo tërë territorin e Kosovës.
Mirëpo, tash nuk është i pranueshëm ndryshimi kufijve të Kosovës, ndërsa Perëndimi me siguri nuk do të jetë në gjendje të gjejë kompromisin e duhur.
Më shqetëson ajo se një kohë të gjatë do të ekzistojë mundësia për konflikte dhe për një çështje të pazgjidhur në zemër të Evropës.
Nga ana tjetër, shikuar nga konteksti më i gjerë ndërkombëtar, administrata e re amerikane do të përpiqet që të mos e provokojë pa nevojë pakënaqësinë e Rusisë rreth disa çështjeve, siç është vendosja e sistemit të mburojës anti-raketore në Evropë, dhe të ngjashme.
Mirëpo, kur është fjala për Kosovën dhe Iranin, qëndrimi i Uashingtonit do të mbetet i palëkundur, përkundër mospajtimeve me Moskën. Në këtë kuptim, Ballkani përsëri do të ketë peshë më të madhe për politikën e jashtme amerikane, ashtu siç e kishte në kohën e administratës Clinton.