Plani 6-pikësh dëmton decentralizimin

Ekspertët për decentralizim thonë se zbatimi i planit 6-pikësh të OKB-së për rikonfigurimin e pranisë ndërkombëtare do të rihapte kërkesa për reformimin e pushtetit lokal në zonat e banuara me serbë. Zyrtarë të Qeverisë së Republikës së Kosovës theksojnë se devijimi nga plani i presidentit Ahtisaari do të shkaktonte paqartësi rreth përgjegjësive të autoriteteve lokale në vend.
Procesi i decentralizimit të komunave në Kosovë do të vështirësohej dhe do të krijonte paqartësi sa i përket përgjegjësive, po qe se zbatohet plani 6-pikësh i Kombeve të Bashkuara për rikonfigurimin e prezencës civile ndërkombëtare në Kosovë.

Kështu vlerësojnë zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, si dhe ekspertë të decentralizimit, të cilët theksojnë se devijimi nga pakoja e presidentit Martti Ahtisaari do të dëmtonte në tërësi procesin e reformimit të pushtetit lokal në vend.

Ministri i Pushtetit Lokal në Kosovë, Sadri Ferati, thotë se Plani Ahtisaari është e vetmja bazë legale për decentralizim.

"Çdo dalje nga pakoja e presidentit Ahtisaari, gjegjësisht dokumenti gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës, krijon shumë dilema. Prandaj, mendimi im është që pakoja e Ahtisaarit duhet të zbatohet në tërësi, kështu si është. Në rast se bie kjo (pakoja e Ahtisaarit), sa i përket decentralizimit apo reformimit të pushtetit lokal, atëherë duhet të fillojnë bisedime, ridizajnime, me të cilat do të humbnim shumë kohë", thotë ministri Ferati.

Prishtina zyrtare, deri më tani, ka refuzuar planin e OKB-së dhe ka ofruar një dokument 4-pikësh, sipas të cilit, dokumentii i presidentit Ahtisaari, Kushtetuta e Republikës së Kosovës, ligjet e Kosovës, aksioni i përbashkët i 4 shkurtit të vitit 2008, do të duhej të shërbenin si bazë për veprimet e ardhshme të misonit të BE-së për sundim të ligjit në Kosovë.

Përfaqësuesi i Institutit kosovar për qeverisje lokale, Besnik Tahiri, vlerëson se plani 6-pikësh i Sekretarit Gjeneral të OKB-së, Ban Ki Moon, ka lidhshmëri të ngushtë me procesin e decentralizimit.

Zbatimi i këtij plani, sipas tij, do të rihapte procese tanimë të përfunduara në këtë aspekt.

"Gjashtë pikat e Sekretarit të Përgjithshëm vështirësojnë këtë proces në zbatueshmëri, sidomos në komunat e reja që do të themelohen, dhe njëkohësisht edhe në përgjegjësitë pasi që duhet të amandamentohen disa ligje, pasi që ky 6-pikësh ka elemente po ashtu për pushtetin lokal", mendon Tahiri.

Policia, doganat, drejtësia, vijat kufitare, transporti, trashëgimia kulturore e fetare serbe, janë çështjet për të cilat parashihen aranzhime të reja me dokumetin 6-pikësh të OKB-së.

Eksperti për decentralizim, Arben Gashi, thotë se ndikimi i këtyre çështjeve do të vërehej edhe në pushtetin lokal dhe do të mund të kishte si pasojë kërkesa për delegimin e pushtetit në komunat me shumicë serbe drejt autoriteteve në Beograd, që do të rrezikonte shtrirjen e autoritetit kosovar në këto zona.

"Problematika qëndron te lidhja horizontale e këtyre komunave dhe krijimi i një trupi të jashtëm, i cili nuk do të ketë lidhje vertikale me institucionet e Kosovës, por do të ketë një lidhje vertikale të pavarur, e cila në vazhdim do të ketë një tendencë që të lidhet me institucionet e Serbisë", vlerëson Gashi.

Aktualisht, në Kosovë ekzistojnë 30 komuna. Me përfundmin e procesit të decentralizmit pritet të formohen gjithsejtë 38 komuna, prej të cilave 10 komuna do të jenë me shumicë serbe dhe një komunë me shumicë turke.