Pajaziti: Plani i ri vë në pikëpyetje gjithë procesin

Zenun Pajaziti

“Plani më i ri na sjellë në pozicione tjera, sjellë në pikëpyetje një proces, i cili është krijuar gjatë, me mundim dhe përkushtim të madh”, thotë për radion Evropa e Lirë, ministri i punëve të brendshme në Kosovë, Zenun Pajaziti.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Pajaziti, plani i OKB-së për rikonfigurimin e pranisë civile në Kosovë tashmë është publikuar. Si e cilësoni ju këtë plan?

ZENUN PAJAZITI
Siç e dini tanimë nga Prishtina zyrtare është refuzuar ky plan. Institucionet vendore, drejtuesit më të lartë të vendit, kryeministri dhe presidenti, kanë zhvilluar disa bisedime me përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare për sa i përket këtij plani.

Siç e dini, institucionet vendore e kanë për obligim të zbatojnë ligjet dhe Kushtetutën e vendit. Ne jemi të bindur tashmë se Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e cila është punuar në partneritet të plotë me bashkësinë ndërkombëtare dhe në frymën e pakos së Ahtisaarit, reflekton një përkushtim të obligimeve të veçanta të institucioneve dhe qytetarëve të vendit karshi pakicave.

Ne mendojmë se zbatimi i kësaj Kushtetute do të krijojë kushte të mira për të gjithë qytetarët e vendit dhe kjo Kushtetutë poashtu na obligon ne dhe partnerët tanë ndërkombëtarë që të kujdesemi për zbatimin e saj në gjithë territorin e vendit.

Plani më i ri na sjellë në pozicione tjera, sjellë në pikëpyetje një proces, i cili është krijuar gjatë, me mundim dhe përkushtim të madh.

RADIO EVROPA E LIRË
Plani parasheh që zinxhiri komandues për pjesëtarët serbë të policisë së Kosovës të drejtohet nga oficerët ndërkombëtarë. A po krijohet kështu një polici dualiste?

ZENUN PAJAZITI
Në fakt, ne kemi arritur në një pikë kur duhet të barten kompetencat, ato që kanë qenë të UNMIK-ut, tek institucionet vendore. Kemi arritur deri në pikën kur misioni i EULEX-it në Kosovë duhet të vendoset në gjithë territorin dhe t’i mbështesë institucionet vendore.

Ky plan në fakt krijon brenda institucioneve të sigurisë një formulim tjetër, ku jo vetëm zinxhiri komandues dhe raportimi, por edhe emërimi krijojnë disa momente të reja, të cilat nuk do të jenë të favorshme, jo vetëm për të pasur institucione unike me një zinxhir komandues, por edhe për faktin se nuk do të mund të ishin efikase në luftën kundër krimit, korrupsionit, kontrabandimit, etj.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se ky plan mund të destabilizojë situatën e sigurisë në veri?

ZENUN PAJAZITI
Mendoj se duhet të jemi të kujdesshëm të gjithë, për sa i përket këtyre zhvillimeve të fundit. Ju e dini se qytetarët e Kosovës janë shumë të ndjeshëm për sa i përket këtyre zhvillimeve që janë jetike për procesin.

Qytetarët e Kosovës unanimisht e kanë mirëpritur shpalljen e pavarësisë së vendit dhe, siç e dini, vetë qytetarët e Kosovës kanë qenë kontribuesit kryesorë të stabilitetit dhe të qetësisë në vend.

Tani, në situata të tilla, duhet të kihet shumë parasyshë fakti se qytetarët e Kosovës nuk dëshirojnë kthim prapa; qytetarët e Kosovës dëshirojnë progres dhe dëshirojnë zbatimin e kushtetutës në të gjithë vendin.

Besoj që procesi do të shkojë mirë. Besoj poashtu që institucionet ndërkombëtare, partnere në këtë proces, e dinë mirë gjendjen në Kosovë.

Jam poashtu i sigurt që drejtues të institucioneve tona si qeveria, presidenti dhe të gjithë janë në nivelin e përgjegjësive të veta. Jam i sigurt poashtu se edhe qytetarët e vendit kanë besim në institucionet e tyre dhe nuk ka nevojë për shqetësime të veçanta.

RADIO EVROPA E LIRË
Bashkësia ndërkombëtare dhe Beogradi këmbëngulin që misioni për drejtësi i Bashkimit Europian, EULEX, të jetë neutral karshi statusit të Kosovës. Sa do të ndikojë kjo në punën e policisë dhe të mekanizmave të tjerë të sigurisë në vend?

ZENUN PAJAZITI
E para, misioni i BE-së për sundimin e ligjit e ka definuar me kohë rolin e vet në Kosovë; nuk ka nevojë as për ndonjë interpretim tjetër dhe nuk ka nevojë për asnjë riformulim tjetër.

Misioni i BE-së në Kosovë është i mirëpritur, misioni i BE-së në Kosovë duhet të vendoset sa më parë, sepse është i mirëpritur jo vetëm nga instituconet vendore, por edhe nga qytetarët e Kosovës.

Do të mirëpritet edhe për faktin se ky mision pritet që të na mbështes në disa fusha të rëndësishme për sa i përket sundimit të ligjit. Mendoj që misionit të BE-së nuk duhet t'i mvishen role të tjera.

Ai vjen në frymën e asaj që është bërë edhe më parë; misioni i BE-së vjen në Kosovën e pavarur për të mbështetur dhe për të siguruar zbatimin e Kushtetutës së Kosovës, si dhe për të monitoruar një proces i cili është i rëndësishëm, proces i cili e çon Kosovën drejt BE-së.