“EULEX-i s'është i paanshëm, pasi është në anën e qytetarëve që jetojnë në Kosovë. EULEX s'është për të pranuar apo jo pavarësinë, pasi kjo varet nga shtetet individualisht", thotë Doris Pack, kryetare e Komisionit për Ballkanin Perëndimor në PE.
RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Pack, e ardhmja e EULEX-it duket e paqartë. Udhëheqësit e Kosovës hedhin poshtë çdo kompromis që nuk parashihet në Planin Ahtisaari. Nga ana tjetër, serbët e Kosovës dhe Beogradi duan mbështetje nga Këshilli i Sigurimit për vendosjen e EULEX-it. Ku qëndron BE-ja në gjithë këtë konfuzion?
DORIS PACK
Bashkimi Evropian është aty i përfshirë në të gjitha këto diskutime, herë direkt e herë jo. Para së gjithash, EULEX-i është shpikje evropiane dhe ka të bëjë me praninë tonë në Kosovë. Në këtë kuptim, jemi shumë të interesuar për rezultatin e bisedimeve.
Dua të theksoj se bisedimet nuk kanë përfunduar dhe palët nuk e kanë thënë fjalën e tyre të fundit. Shpresoj që të dyja palët, si shqiptarët dhe serbët në Beograd, të jenë konstruktive.
RADIO EVROPA E LIRË
EULEX-i është paraparë me Planin Ahtisaari. Ndryshimet rreth misionit që kërkohen nga kreu i OKB-së, kërkojnë ndryshimin e planit Ahtisaari. A është BE-ja e gatshme për ndryshime në planin në fjalë?
DORIS PACK
Gjashtë pikat nuk kanë të bëjnë me përmbajtjen e planit të Martti Ahtisaarit. Më duhet të them se nuk i njoh gjashtë pikat në fjalë, pasi ishte OKB-ja ajo që i vuri mbi tryezën e bisedimeve.
Ajo që është e rëndësishme, është se pikat në fjalë nuk mund të ndryshojnë përmbajtjen e EULEX-it, i cili është veçanërisht i rëndësishëm për serbët e Kosovës, për decentralizimin dhe sistemin gjyqësor.
EULEX-i është i rëndësishëm për gjithë Kosovën dhe besoj se thelbi i tij nuk po rrezikohet. Shpresoj që bisedimet që po vazhdojnë, ta respektojnë këtë fakt.
RADIO EVROPA E LIRË
A mundet EULEX-i, i cili do veprojë sipas ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës, të jetë neutral ndaj statusit?
DORIS PACK
Duhet të gjejmë urën lidhëse mes asaj se kemi një Kosovë të pavarur dhe, nga ana tjetër, kemi UNMIK-un dhe Rezolutën 1244. Varet nga ndërmjetësuesit që të gjejnë këtë urë bashkëpunimi mes dy realiteteve. Kam besim se do gjendet një zgjidhje.
Shumë, në veçanti serbët, po pyesin a është EULEX-i netural dhe i paanshëm? Përgjigjja është jo. EULEX-i nuk është neutral dhe nuk është i paanshëm.
EULEX-i është në Kosovë për të kryer një numër detyrash shumë të rëndësishme, veçanërisht në favor të serbëve që jetojnë atje. EULEX-i nuk është i paanshëm, pasi është në anën e qytetarëve që jetojnë në Kosovë.
Natyrisht, EULEX-i nuk është në Kosovë për të pranuar apo jo pavarësinë, pasi kjo varet nga shtetet individualisht. Shumica e vendeve të BE-së e kanë njohur shtetin e Kosovës, derisa të gjitha shtetet anëtare kanë miratuar dërgimin e misionit.
Nuk shoh ndonjë mosmarrëveshje në këtë kuptim, por kurrë nuk i dihet se ç'mund të diskutojë ndonjë negociator.
RADIO EVROPA E LIRË
A ka BE-ja ndonjë linjë të kuqe që nuk duhet kapërcyer gjatë këtyre bisedimeve me Kosovën, Serbinë dhe OKB-në?
DORIS PACK
Linja e kuqe është se EULEX-i duhet të shpërndahet në të gjithë Kosovën dhe të përmbushë objektivat që ia kemi vënë, pasi janë në pyetje paratë e taksapaguesve tanë.
Të gjithë i dinë detyrat dhe duhet t’i përmbushin. E përsëris, EULEX-i është aty për gjithë vendin dhe nuk mund të ketë ndarje brenda vendit sa i përket vendosjes së këtij misioni.
RADIO EVROPA E LIRË
A lidhen paqartësitë e EULEX-it me ndarjet brenda BE-së?
DORIS PACK
Nuk mendoj se kemi të bëjmë me një gjë të tillë. Ka qenë një qasje e përbashkët për dërgimin e misionit dhe mendoj se ende ekziston mirëkuptimi i përgjithshëm për vendojen e këtij misioni.
RADIO EVROPA E LIRË
Pse BE-ja duhet të negociojë me Beogradin për EULEX-in dhe jo me serbët e Kosovës? A e minon kjo qasje sovranitetin e Kosovës?
DORIS PACK
Problemi qëndron se serbët e Kosovës e dëgjojnë shumë Beogradin. Së dyti, ende është në fuqi Rezoluta 1244 dhe askush nuk mund ta mohojë një fakt të tillë.
Në këtë kuptim duhet të gjejmë një urë lidhëse mes realitetit të Kosovës së pavarur dhe objektivave të 1244-shit. Kjo duhet bërë me ndihmën e OKB-së, derisa edhe BE-ja është e përfshirë në bisedime.
Gjendja ndërkombëtare është kjo që shohim dhe në këtë kuptim kemi dy realitete, të cilave së paku duhe t'u gjejmë pikat e përbashkëta. Është situatë e vështirë që kërkon qasje të ndryshme, por që në fund do të zgjidhet, pasi është në interes të serbëve në veri dhe në jug të lumit Ibër.
RADIO EVROPA E LIRË
Shprehët besimin se do gjendet zgjidhje e situatës, pasi EULEX-i është në të mirë të serbëve. A do të thotë kjo se do të jetë Beogradi që do të lëshojë pe rreth 6 pikave?
DORIS PACK
Pse pyesni gjithmonë se kush do të lëshojë pe? Të gjithë duhet të ndihmojnë që misioni i EULEX-it të bëhet funksional. Në këtë kuptim është Beogradi dhe serbët e Kosovës, që kanë interes për EULEX-in, andaj serbët e Kosovës duhet t'ia bëjnë të qartë Beogradit se është në favor të tyre.
Edhe vetë kosovarët kanë nevojë për EULEX-in. Kur të dyja palët ta pranojnë interesin që kanë në fuksionalizimin e EULEX-it, do të gjendet zgjidhja, por pa i tejkaluar vijat e kuqe që përmenda më sipër.
RADIO EVROPA E LIRË
Shqetësimi kryesor për udhëheqësit e Kosovës lidhur me 6 pikat, është minimi i sovranitetit. Çfarë garancish mund të japë BE-ja se kjo nuk do të ndodhë?
DORIS PACK
Nuk duhet ta shtyjmë diskutimin shumë në drejtim të drojës dhe rreziqeve. Realiteti për njërën palë është pavarësia, por jo edhe për tjetrën. Në këto kushte duhet të fokusohemi tek qëllimet e EULEX-it. Bazuar në këto objektiva, duhet të jemi të vendosur për shpërndarjen e misionit në gjithë vendin.
Në të kundërt, do të ishte dështim i EULEX-it nëse do të vepronte vetëm nën lumin Ibër. Nuk besoj se jemi të gatshëm të pranojmë dështimin.
RADIO EVROPA E LIRË
Kur do të jetë EULEX-i funksional në gjithë Kosovën?
DORIS PACK
Mendoj se në dhjetor do të fillojë. Shpresoj që mosmarrëveshjet të gjejnë zgjidhje deri në fund të nëntorit. Unë nuk jam e përfshirë në negociata, por e di se po zhvillohet një dialog konstruktiv.