BE-Serbi-EULEX: Kushtëzime apo jo?

Mundësia e kushtëzimit të Serbisë nga Bashkimi Evropian për të qenë kandidat për integrim në këtë mekanizëm, me pranimin e Beogradit zyrtar për shtrirjen e EULEX-it në Kosovë, komentohet në mënyra të ndryshme në Prishtinë. Sipas ekspertëve për integrime në BE, një kushtëzim i tillë nuk mund të bëhet zyrtarisht, por vetëm tërthorazi.

Bashkimi Evropian do ta ketë shumë vështirë të dalë zyrtarisht me një qëndrim, me të cilin do të kushtëzonte kandidaturën e Serbisë për integrim në BE me pranimin e shtrirjes së misionit për drejtësi të Bashkimit Evropian, EULEX, në Kosovë.

Kështu konsiderojnë ekspertët për integrime evropiane në Prishtinë, të cilët thonë se kushtëzimet e tilla nuk mund të bëhen në mënyrë direkte. Eksperti Shenoll Muharremi shpreh bindjen se Bashkimi Evropian do të përdorë të gjitha instrumentet e mundshme për të zbatuar politikën e tij.

"Bashkimi Evropian do ta ketë vështirë të kushtëzojë Serbinë me njohjen e pavarësisë së Kosovës apo me shtrirjen e EULEX-it", theskon Muharremi.

Njëra nga metodat e mundshme, me të cilën Bashkimi Evropian tërthorazi kuzhtëzon Beogradin me njohjen e Kosovës dhe pranimin e planeve të tjera në vend, është, sipas Muharremit, çështja e liberalizimit të vizave.

"Ne kemi burime, sipas të cilave Serbia nuk do të mund të hyjë në listën e bardhë të Shengenit, në qoftë se vazhdon të lëshojë pasaporta për qytetarët e Kosovës. Kjo është një formë tërthorazi se si Bashkimi Evropian në praktikë e detyron Serbinë që ta njohë Kosovën, apo të mos e pengojë funksionimin e saj", shtoi ai.

Brenda strukturave të Bashkimit Evropian kishin qarkulluar ide, sipas të cilave, do të duhej të gjendeshin mënyra për të bindur dhe për të kushtëzuar Serbinë që të pranojë shtrirjen e EULEX-it në tërë territorin e Kosovës.

Një paralajmërin i tillë kishte ardhur kohë më parë nga anëtarët e Komitetit për Siguri dhe Mbrojtje të Parlamentit Evropian, gjatë një vizite të bërë në fillim të muajit tetor në Prishtinë. Raportuesi i këtij komiteti, Joost Lagendijk, kishte thënë:

"Shumica e përfaqësuesve në Parlamentin Evropian dhe shumica e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian nuk do të pranojnë një veto të Beogradit mbi shtrirjen e EULEX-it. Bashkimi Evropian do t'i përdorë të gjitha mënyrat, qoftë diplomatike, politike apo financiare, për të bindur Beogradin se është në interes të qytetarëve të Kosovës dhe po ashtu të Serbisë, që EULEX-i të shtrihet në të gjithë Kosovën".


Nevojën për shtrirjen sa më parë të misionit EULEX në Kosovë e thekson edhe Qeveria e Kosovës. Zëdhënësi i ekzekutivit kosovar, Memli Krasniqi, shprehet:

"Sa i përket EULEX-it, qëndrimi ynë është shumë i qartë dhe është shprehur drejt nga kryeministri dhe presidenti. Ai duhet të shtrihet në të gjithë territorin sa më shpejt, sipas planifikimeve të mëparshme".

Lidhur me shtrirjen e EULEX-it në Kosovë, Beogradi zyrtar u kishte adresuar mekanizmave ndërkombëtarë disa kërkesa që, ndër të tjera, flasin edhe për pozicionimin neutral të këtij misioni karshi statusit të Kosovës, gjë e cila pritet të diskutohet dhe në seancën e radhës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Sidoqoftë, anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Avni Arifi, mendon se funksionimi i EULEX-it si mision neutral karshi pavarësisë së Republikës, do të ndikonte negativisht në stabilitetin e shtetit të Kosovës.

"EULEX-i nuk mund të ketë status neutral. EULEX-i duhet të ketë shtrirje në Republikën e njohur të Kosovës. Zërat e Parlamentit Evropian që Serbia të kushtëzohet me pranimin e EULEX-it, janë zëra që janë në shërbim të paqes", thotë Arifi.

Komiteti për politikë të jashtme dhe mbrojtje i Parlamentit Evropian ka debatuar të enjtën mbi propozim-rezolutën për Kosovën, ku u shqyrtuan dhe mundësitë për vendosjen e misionit EULEX në Kosovë.

Ndërkohë, mekanizmat dhe institucionet përgjegjëse akoma nuk kanë saktësuar formulën, në bazë të së cilës do të shtrihej misioni për drejtësi i BE-së edhe nëpër zonat e banuara me serbë në Kosovë.