Premtimi i Barack Obamës për ndryshime ka dalë shumë popullor edhe përtej kufijve të Shteteve të Bashkuara. Politikanët në Bashkimin Evropian ndajnë shpresën se me Barack Obamën në Shtëpinë e Bardhë, SHBA-të do të largohen nga politikat e njëanshme të ndërmarra nga presidenti aktual, George Bush.
Shefi i diplomacisë evropiane, Javier Solana, shpreson se presidenti i sapozgjedhur do ta shohë BE-në si partner në përballjen e sfidave globale.
"Motoja e garës së Barack Obamës për president është motoja e ndryshimit. Ndryshimi është ai për të cilin kemi nevojë tani. Kemi shumë probleme që presin mbi tryezë dhe shpresoj që do të jemi në gjendje të gjejmë zgjidhje së bashku, mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara. BE-ja është e vullnetshme dhe e gatshme për këtë bashkëpunim", tha Solana.
Dëshirën e Solanës për bashkëpunim e ndante dhe kreu i Parlamentit Evropian, Hans Gert Pottering.
"Shpresa dhe dëshira ime e madhe është që marrëdhëniet tona të bazohen mbi partneritetin dhe mirëkuptimin, të kemi më pak vendime të njëanshme nga SHBA-të, të kemi më shumë komunikim dhe marrje vendimesh në bashkëpunim me partnerët e rëndësishëm në botë, përfshirë dhe BE-në", tha Pottering.
Gazetat e kryeqendrave evropiane në javët para zgjedhjeve e kanë ritheksuar shpesh faktin se Uashingtoni ka vepruar i vetëm në shumë çështje gjatë tetë vjetëve të shkuar.
E përditshmja franceze "Liberation" shkruante, ditën e zgjedhjeve amerikane, se premtimi i Obamës për ndryshime ishte "shpresë për planetin".
Në Gjermani tonet kanë qenë më të përmbajtura, duke u fokusuar në nevojën që BE-ja ta vendosë veten në pozitën e partnerit të barabartë me SHBA-në.
Bashkimi Evropian, në një propozim-strategji, shkruan se "evropianët e amerikanët" duhet të "marrin përgjegjësi të përbashkëta" në botë.
Kjo qasje, sipas BE-së, duhet përdoruar në Lindjen e Mesme, në Afganistan, në Pakistan dhe në përballjen me Rusinë.
Në kërkesën e tij për t’u trajtuar si partner, Bashkimi Evropian flet dhe për "fuqitë që janë në lindje e sipër" dhe organizatat ndërkombëtare.
"Dua të theksoj se nuk është e mjaftueshme të kesh Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara së bashku. Problemi sot qëndron në përfshirjen edhe të aktorëve të tjerë, kam parasysh këtu Kinën apo organizata si Unioni Afrikan, OSBE-ja dhe shumë të tjera", tha Solana.
Propozim-strategjia e hartuar nga Bashkimi Evropian, dokument ky i parë nga REL, tërheq vërejtjen se duhet t'i kërkohet Rusisë të respektojë "rregullat globale të lojës". I njëjti dokument kërkon nga SHBA-të që të shihet me kujdes propozimi i presidentit rus Medvedev, i titulluar "Arkitektura evropiane e sigurisë", që përfshin NATO-n dhe OSBE-në.
Por, çështja e partneritetit BE-SHBA, sipas Këshillit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, kërkon nga udhëheqësit evropianë që të vijnë me ide konkrete për zgjidhjen e krizës financiare, shpëtimin e misionit të NATO-s në Afganistan, të përballen me sjelljen e Rusisë, të përballen me terrorizmin ndërkombëtar dhe çështje të tjera.
Mirëpo, për një qasje të tillë, mungesa e një identiteti unik politik të BE-së, duket se mbetet pengesa kryesore.