Vazhdojnë reagimet ndaj fitores së Obamës

Kryeministri i Spanjës Jose Luis Rodriguez Zapatero tha se rezultati i zgjedhjeve në Amerikë hap një periudhë të re të shpresës për SHBA dhe për botën.

"Zgjedhjet e djeshme manifestuan edhe njëherë forcën jetësore të këtij vendi të madh, gjallërinë e e demokracisë dhe të fuqisë së pandalshme të sistemit votues për të ndryshuar gjërat", tha Zapatero.

Kancelarja gjermane Angela Merkel duke uruar Barack Obamën, ka thënë se SHBA dhe BE duhet të punojnë së bashku, që të tejkalojnë problemet aktuale.

"Shpresoj se bazuar në miqësinë dhe relacionet e mira mes SHBA-së, Gjermanisë dhe Evropës ne do të mund të zgjidhim problemet aktuale. Besoj se Evropa dhe SHBA do të kapin këtë mundësi", tha Merkel.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban ki Moon ka uruar Obamn në emër të OKB-së.

"Jam optimist se do të kemi partnership të fuqishëm", tha Ban.

Ministrja e jashtme izraelite Tzipi Livni ka përshkruar Obamën si një lider botëror:

"Ne kemi një president të ri- jo vetëm SHBA, meqë presidenti i SHBA-së është president i një bote të lirë, dhe lider i botës së lirë. Izreali është pjesë e kësaj bote", ka thënë Livni.