Obama filloi tranzicionin drejt Shtëpisë së Bardhë

Presidenti i sapozgjedhur amerikan

Presidenti i sapozgjedhur Barack Obama filloi tranzicionin drejt Shtëpisë së Bardhë. Ai po krijon ekipin që do ta shoqërojë në Uashington. Presidenti Bush ofroi bashkëpunim të plotë gjatë fazës 75 ditore.
Presidenti i sapozgjedhur i SHBA-ve, Barack Obama, ka filluar procesin e krijimit të administratës së tij që do ta shoqërojë në Shtëpinë e Bardhë.

Zyrtarët thonë se kongresmeni Rahm Emanuel ka pranuar ofertën e Obamës, për t'u bërë shef i stafit të Shtëpisë së Bardhë. Gjatë periudhës së tranzicionit Obama pritet të marrë rregullisht dhe raportet e CIA-s, shërbimit amerikan të zbulimit.

Obama po ngre zyrën në Uashington për të parë procesin e tranzicionit gjatë 75 ditëve, deri në marrjen e postit të presidentit. Presidenti aktual, George Bush, i ka ofruar Obamës bashkëpunimin e plotë gjatë periudhës së tranzicionit.

Demokrati Barack Obama u zgjodh president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke e mundur republikanin John McCain dhe duke u bërë kandidati i parë me ngjyrë që ndonjëherë ka fituar zgjedhjet presidenciale.

Obama fitoi bindshëm në zgjedhjet e së martës, duke fituar betejat në shtetet kyçe të Ohajos, Floridës dhe Pensilvanisë, me ç'rast i siguroi 270 votat elektorale të nevojshme për ta siguruar Shtëpinë e Bardhë.

Në fjalimin e fitores, Obama i tha turmës prej rreth 100 mijë mbështetësve në park, para shtëpisë së tij në Chicago, se "në Amerikë ka ardhur ndryshimi".

Obama tha se zgjedhja e tij dëshmon se forca e vërtetë e Amerikës buron nga idealet e saj të demokracisë dhe lirisë.

"Atyre që duan ta përmbysin botën, u themi: Ne do t'ju mundim. Atyre që duan të kërkojnë paqe dhe siguri, u themi: Ne do t'ju mbështesim. Dhe, të gjithë atyre që kanë pyetur veten nëse fanari amerikan ende ndizet i bardhë, u themi: Sonte ne dëshmuam edhe një herë se forca e vërtetë e kombit tonë nuk vjen nga fuqia e armëve dhe shkallës sonë të pasurisë, por nga fuqia e qëndrueshme e idealeve tona: demokracisë, lirisë, mundësisë dhe shpresës së palëkundur", tha Obama.

Ai i shprehu mirënjohje edhe rivalit John McCain.

"Senatori McCain luftoi gjatë në këtë fushatë, por ka luftuar gjatë edhe për vendin që e do. Ai i ka duruar sakrificat për Amerikën, të cilat shumica prej nesh as mund t'i imagjinojë",
tha Obama.

McCain e pranoi humbjen dhe uroi Obamën, duke thënë se "populli amerikan e tha fjalën".

"Pak kohë më parë pata nderin ta thërras senatorin Obama dhe ta uroj, ta përgëzoj që u zgjodh president i ardhshëm i vendit tonë, të cilin të dy ne e duam", tha McCain.

"U bëj thirrje gjithë amerikanëve që më mbështetën, të më bashkohen jo vetën në urimin ndaj tij, por edhe t'i ofrojmë presidentit tonë të ardhshëm vullnetin tonë të mirë për t'i gjetur kompromiset e nevojshme dhe për të kapërcyer dallimet, në mënyrë që ta rivendosim prosperitetin, ta mbrojmë sigurinë tonë në këtë botë të rrezikshme, që t'u lëmë fëmijëve dhe nipërve tanë një vend më të mirë dhe më të fortë, sesa e trashëguam", tha McCain.

Rrjetet e lajmeve projektuan se Obama ka fituar të paktën 338 vota elektorale kundrejt 156 votave të McCainit.

Senatori nga Illinois, 47 vjeçari Barack Obama, do të bëjë betimin si president i 44-të i Shteteve të Bashkuara më 20 janar, 2009.