Pse humbi John McCain?

  • Andrew Tully

Republikani John McCain para mbështetësve të tij në Phoenix të Arizonës, 4 nëntor 2008.

Do të duhej të ishte kandidati i përsosur - Senatori John McCain, hero lufte, pilot gjatë luftës në Vietnam, i cili arrestohet nga armiku, burgoset dhe torturohet në një kamp afër qytetit Hanoi. Kampion i nismave si reformimi i fushatave kombëtare për të pamundësuar blerjen e zgjedhjeve. Reputacioni i tij si i pavarur nga politika e presidentit Bush ishte dashur ta bënte imun ndaj ndjenjave anti-republikane. Por, humbi...
Disa thonë se John McCain ka humbur për shkak të keqmenaxhimit, të tjerët besojnë se ai as që ka pasur gjasa të fitojë.

Norman Ornstein, një vëzhgues veteran i proceseve politike në Institutin Amerikan në Washington, thotë se fushata e zotit McCain kishte fat të keq që nga fillimi.

Ai thotë se në një periudhë, lufta në Irak ishte çështje fitimtare për republikanët, sepse me të votuesit rikujtoheshin se McCain ka qenë hero lufte, që do të merrte pozicione të guximshme dhe dikush që ka përvojë të thellë mbi politikën e jashtme.

Sipas zotit Ornstein, problemi ishte se njerëzit fokusoheshin pozitivisht tek McCaini vetëm kur lufta ishte çështje kyçe. Por, në shtator, dy muaj para zgjedhjeve, vëmendja e elektoratit u zhvendos në mënyrë dramatike tek ekonomia, një prej pikave më të dobëta të McCainit.

"John McCain, gjatë 26 vjetëve të tij në Kongres, ka qenë i interesuar në shumë çështje: politikë të jashtme, zbulim, çështje ushtarake, komunikim, reformim të financimit të fushatave, ngrohje globale… Çështjet ekonomike thjesht nuk ishin në agjendën e tij. Ky nuk ka qenë vit i mirë për të pasur mungesë pasioni mbi ekonominë, apo për të pasur një sërë planesh që ndërlidhen ngushtë me presidentin jopopullor", thotë zoti Ornstein.

Robert Spitzer pajtohet. Spitzer është professor i shkencave politike në Universitetin shtetëror të New Yorkut. Ai rikujton një koment të famshëm të zotit McCain gjatë fushatës, kur pati thënë se ekonomia nuk është diçka të cilën ai e kupton aq sa ishte dashur.

"Fushata e hershme e zotit McCain është fokusuar më shumë në çështje të politikës së jashtme; debati i parë presidencial ishte në frymë të këtyre çështjeve dhe e gjithë kjo shkoi në favor të zotit McCain. Gjëja e parë që McCain pati thënë me kolapsin në Wall Street ishte se themelet ekonomike të vendit ishin të palëkundshme”, thotë zoti Spitzer.

Por, a mund ta ketë tejkaluar këtë kthesë të pafat zoti MCain nëpërmjet një fushate më të mirë? Po, thotë Bill Frenzel, një republikan i pensionuar, i cili për 20 vjet ka përfaqësuar Minesotan në Dhomën e Përfaqësuesve.

Frenzel thotë se McCain në disa raste ka braktisur pavarësinë e tij për të fituar mbështetjen e shumë republikanëve dhe votuesve të papërcaktuar.

"Senatori McCain ishte në një pozicion të palakmueshëm të sfiduesit, personit që në sondazhe dilte i dyti dhe i cili duhej të ngjitej lart. Për ta arritur rivalin, duhet bërë diçka ndryshe, prandaj McCain është dashur të adoptohet në kushte të ndryshme dhe të bëjë gjëra, të cilat nuk do t'i bënte po të ishte i pari në sondazhe", thotë zoti Frenzel.

Sipas tij, një prej gjërave që McCain ka bërë për të ndihmuar fushatën, është zgjedhja e guvernatores nga Alaska, Sarah Palin, si bashkëgaruese. Ajo fillimisht i dha një dinamikë tjetër fushatës së McCainit dhe ndihmoi pozicionin e tij në sondazhe, por, më vonë, numrat filluan të tregojnë se emri i saj në fletëvotim shtyu prapa kandidaturën e zotit McCain.

Sidoqoftë, ndoshta në ndonjë vit tjetër, gara për të trashëguar një president tjetër, me çështje të ndryshme, për McCainin do të ishte e lejueshme e madje edhe e suksesshme. Por, këtë vit, megjithatë, ai dukej thjesht vetëm si një sfidues.