SHBA: Zgjedhjet dhe parashikimet

Anketat e fundit të opinionit për kandidatët presidencialë, Obama dhe McCain.

Çfarë kanë të përbashkët shitja e maskave, lëkundjet në tregun e bursave dhe rezultati i një loje të futbollit? Të gjitha këto mund të jenë mënyra për të parashikuar rezultatet e zgjedhjeve presidenciale amerikane.
Anketat e opinionit mbase janë një indikator se kush do të jetë banuesi i ardhshëm në Shtëpinë e Bardhë. Katër javë para zgjedhjeve, ato e kanë parashikuar demokratin Barack Obama karshi republikanit John McCain.

Po, çfarë ka këtu lidhje rezultati i lojës së futbollit amerikan që u luajt të hënën në mbrëmje?

Ka! Për 70 vjet me radhë, ekipi Redskins e ka humbur ndeshjen e fundit para zgjedhjeve presidenciale dhe pothuaj gjithnjë parashikimet kanë dalë të sakta.

Nëse Redskinsët do të fitonin, Shtëpia e Bardhë do t'i mbetej atij që e kishte para zgjedhjeve. Kur Redskinsët humbnin, në Shtëpinë e Bardhë hynte kundërshtari i partisë në pushtet.

Pra, Obama mund të jetë i qetë, sepse të hënën ekipi i Redskinsëve humbi me rezultat 23-6.

Në zgjedhjet amerikane mund të fitohen edhe para, sepse ka njerëz që vënë baste në rezultatin. Bastoret e tregjeve politike dhe bastoret tradicionale e favorizojnë Barack Obamën.

Bastorja irlandeze, Pedi Power, tashmë ka vënë bastin te fitorja e Obamës. Zëdhënësja Sharon McHju thotë:

"John McCain nuk do të na falënderojë për këtë. Ne patëm thënë se ish i burgosuri i luftës me siguri nuk do të dorëzohet pa luftuar. Gjasat e tij janë 2 ndaj 1, por mund të bien edhe më shumë. Mendoj se kjo do të jetë një fitore bindëse për Barack Obamën", thotë Hju.

Por ka edhe gjëra tjera që flasin për epilogun e zgjedhjeve. Për shembull maskat. Deri tash janë shitur më shumë maska të demokratit Obama, 55%, ndërsa 45% e maskave të shitura kanë fytyrën e senatorit McCain.

Ka edhe shitore, të cilat janë përfshirë në fushën e parashikimeve. Për shembull, filxhani i kafesë me fytyrat e kandidatëve. Edhe këtu filxhanët me fytyrën e Obamës janë shitur më shumë se ato të McCainit, në raport 60 ndaj 40.

Por, ku është lidhja e bursës amerikane?

Në 80 vjetët e fundit, rënia e vlerës së aksioneve në tregjet e bursave ka qenë indikator i fatit të kandidatit.

Kur bursa shkon lart, fiton kandidati i partisë në pushtet, por, kur bursa bie, kjo parti e humb Shtëpinë e Bardhë. Këtë tetor, indeksi industrial, Dow Jones, përjetoi muajin më të vështirë në disa dekadat e fundit.

Ky ishte lajm i keq për investitorët, por ndoshta ogur i mirë për Barack Obamën.