SHBA: Vazhdon intensivisht fushata

Fushata presidenciale amerikane ka hyrë në ditën e fundit.

Demokrati Barack Obama dhe republikani John McCain po vazhdojnë fushatën në shtetet që vlerësohen si kyçe.
Obama do të vizitojë gjatë ditës së fundit Floridën, Karolinën e Veriut dhe Virxhinian. Gjatë një tubimi në Ohajo, Obama kërkoi nga mbështetësit që të dilnin të votonin.

"Në dy ditë ju mund të ktheni faqen në politikat që vunë pangopshmërinë dhe papërgjegjlësinë përpara punës dhe sakrificave të amerikanëve të thjeshtë. Pas dy ditësh ju mund të zgjidhni politikat që investojnë në klasën e mesme, krijojnë vende të reja pune dhe zhvillojnë ekonominë në mënyrë që çdokush të ketë mundësi për sukses", tha Obama.

Republikani McCain po e vazhdojë fushatën në 24 orët e fundit në shtatë shtete, nga Florida në lindje në Arizona në perëndim.
Gjatë tubimit të mesnatës në Florida McCain tha:

"Ne do të fitojmë këtu dhe do sjellim ndryshime reale në Uashington. kemi dhe afro dy ditë. Trokisni derë më derë dhe me ndihmën tuaj do të fitojmë. Ne na nevojitet një drejtim i ri dhe duhet të luftojmë për të. Ne do të luftojmë gjatë dy ditëve të mbetura dhe mund të fitojmë", tha McCain.

Shumica e anketave të opinionit tregojnë se Obama kryeson ndaj McCain. Në Shtetet e Bashkuara nuk është vota popullore që zgjedh presidentin, por kandidatët duhet të fitojnë 50% plus 1 të votave në Kolegjin elektoral. Kolegji ka 538 vota, që përfaqësojnë të gjitha shtetet amerikane në përputhje me popullsinë.