"Kishte pakënaqësi te pjesëtarët e TMK-së për ligjin për pensionim të parakohshëm, por me rëndësi që ata të mos mbesin rrugëve”, thotë gjen.Sylejman Selimi.
RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Selimi, Trupat Mbrojtëse të Kosovës pritet të shuhen deri në fund të këtij viti. Kuvendi i Kosovës ka miratuar, ditë më parë, edhe ligjin për pensionim të parakohshëm për pjesëtarët e TMK-së, ndërkohë që në nradhët e TMK-së janë shfaqur pakënaqësi sa i përket këtij ligji. A ofron ky ligj, sipas jush, tërë atë për të mundësuar një pensionim të denjë të të gjithë pjesëtarëve të TMK-së?
SYLEJMAN SELIMI
Së pari, ne jemi duke kaluar një vit të rëndësishëm. Është një vit i rëndësishem për arsye se do të përfundojë misioni i TMK-së. Me përfundimin e misionit ka dhe vështirësi; nuk është një proces i lehtë, por është një proces i vështirë.
Megjithatë, në radhë të parë është me rëndësi që Kosova është duke krijuar një forcë të re. Shteti i Kosovës do ta ketë forcën e vet dhe janë duke u bërë përgatitjet që kjo forcë të dalë në vitin e ardhshëm, diku kah 4 janari, në skenë.
Sa i përket pjesëtarëve të TMK-së, mund të them se jemi duke i kryer detyrat me përgjegjësi dhe njëkohësisht jemi në proces të aplikimeve dhe të testimit të pjesëtarëve të TMK-së.
Kah mesi i dhjetorit do të seleksionohen pjesëtarët dhe diku kah 10 dhjetori do të shihet se cilat janë kapacitetet e TMK-së, të cilat mund t'i shërbejnë Forcës së Sigurisë.
Gjatë këtij rrugëtimi janë shfaqur dhe disa pakënaqësi te pjesëtarët e TMK-së. Këto pakënaqësi kanë të bëjnë kryesisht rreth ligjit dhe rreth të ardhmës së pjesëtarëve të TMK-së.
Dihet se me planin e Ahtisaarit, por edhe me Kushtetutën e Kosovës, parashihet trajtimi me dinjitet i pjesëtarëve të TMK-së. Ende nuk ka diçka konkrete se cilat do të jenë beneficionet shtetërore për pjesëtarët e TMK-së që nuk mund të pensionohen për arsye të moshës.
Ne kemi ligjin për pensionim të parakohshëm, i cili është miratuar në Parlament, mirëpo ky ligj nuk gëzon mbështetjen e të gjithë pjesëtarëve të TMK-së, për shkak se parasheh që për pjesëtarët e moshës 45 vjeçare pensioni të jetë 50% nga paga aktuale, për ata mbi 50 vjet përcakton pensionin prej 70% nga paga aktuale.
Problemet kanë të bëjnë me pjesëtarët, të cilët janë nën këtë moshë dhe të cilët nuk do të jenë në Forcën e Sigurisë. Institucionet tona kanë për obligim që të përkujdesen për të gjithë pjesëtarët e TMK-së.
RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë do të ndodhë me pjesëtarët e TMK-së, të cilët janë nën moshën 45 vjeçare?
SYLEJMAN SELIMI
Besoj që të gjithë ata që janë në këtë moshë janë të gatshëm të shërbejnë në Forcën e Sigurisë. Nuk mund të jap një version përfundimtar se sa do të jenë, mirëpo jam i bindur se nuk do të mund të jenë të gjithë pjesë e Forcës së Sigurisë.
Ata, të cilët nuk do të jenë në Forcën e Sigurisë dhe e kanë këtë moshë, duhet të trajtohen nga institucionet shtetërore. Jashtë këtyre institucioneve është dhe bashkësia ndërkombëtare, e cila ka një fond të veçantë, me të cilin do t'i trajtojë pjesëtarët e TMK-së, dhe përmes programeve të ndryshme dhe mjeteve materiale do t'i ndihmojë pjesëtarët e TMK-së.
Ne dimë se TMK-ja do të vazhdojë misionin e vet deri më 15 qershor dhe deri në këtë fazë do të paguhen të gjithë pjesëtarët e TMK-së. Për të gjithë ata që nuk kalojnë në Forcën e Sigurisë dhe për të gjithë ata që nuk përfshihen nga pensionimi, janë paraparë mjete të caktuara materiale që do të vijnë nga Fondi i Mirëbesimit për integrimin e pjesëtarëve të TMK-së.
Se cilat janë mundësitë për përfshirjen e pjesëtarëve të TMK-së në institucionet e tjera, do të mbetet të shihet.
RADIO EVROPA E LIRË
Sa kanë shprehur gatshmëri pjesëtarët e TMK-së të jenë pjesë e institucioneve të tjera?
SYLEJMAN SELIMI
Me rëndësi është që pjesëtarët e TMK-së të mos hidhen në rrugë dhe të trajtohen me dinjitet, jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra.
Çdo institucion tjetër shtetëror, përveç FSK-së, është i mirë dhe u ofron një mundësi të dytë pjesëtarëve të TMK-së - mundësi kjo me të cilën ata mund të kenë një pagë, mund ta mbajnë familjen dhe me të cilën do të ndihen mirë.
RADIO EVROPA E LIRË
Forca e Sigurisë së Kosovës duhet të jetë e gatshme deri në qershor të vitit të ardhshëm. Sa nga gjithsej 3000 pjesëtarë të TMK-së janë parashikuar të jenë pjesë e kësaj force?
SYLEJMAN SELIMI
Të gjithë pjesëtarët e TMK-së, të cilët kanë menduar se mund të jenë pjesë e Forcës së Sigurisë, kanë aplikuar në këtë strukturë.
Sa do të jetë numri, mbetet të shihet pas seleksionimit dhe pasi që ekspertët e NATO-s, të cilët së bashku me Ministrinë e FSK-së, menaxhojnë këtë proces, të japin verisonin përfundimtar. Unë besoj që shumë pjesëtarë të TMK-së do të jenë në Forcën e Sigurisë.
RADIO EVROPA E LIRË
Forca e Sigurisë së Kosovës do të ketë edhe komandantin e vet. A keni marrë ju ndonjë ofertë konkrete për të udhëhequr këtë post?
SYLEJMAN SELIMI
Jo, nuk kam marrë ofertë. Aplikimi ka qenë i njejtë për të gjithë pjesëtarët e TMK-së si dhe për të gjithë oficerët e rangut të ulët dhe më të lartë.
Në këtë proces jemi të barabartë, nuk kam paralajmërime ose indikacione se a do të jem apo nuk do të jem. Me rëndësi është që ky proces të përfundojë me kushtet dhe në bazë të planifikimit të cilin ne e kemi paraparë.
Me rëndësi është që Forca e Sigurisë të jetë një forcë profesionale për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim. Sa i përket çështjes se a do të jem apo nuk do të jem komandant - këtë do ta shohim në vazhdim të procesit.