Pritjet nga investitorët e huaj

Autoritetet qendrore në Kosovë dhe ekspertë për çështje ekonomike japin mendime të ndryshme rreth investimeve konkrete apo interesimit të investitorëve të huaj për të investuar në Kosovë.

Zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë pohojnë se që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt të këtij viti, dukshëm është rritur numri i investitorëve të huaj.

Remzi Ahmeti, nga Agjencia për Promovimin e Investimeve të Huaja, që funksion në kuadër të Ministrisë së Tregtisë, thotë se vetëm gjatë këtij viti, në Ministrinë e Tregtisë, bizneset e tyre i kanë regjistruar mbi 250 kompani të huaja.

“Ka kompani, të cilat vetëm kanë filluar aktivitetin e tyre në Kosovë. Investitorë të ndryshëm, duke filluar nga Austria, Gjermania dhe Sllovenia, kanë shprehur interesim të madh që të sjellin bizneset e tyre dhe të fokusohen në këtë zonë”,
thotë Ahmeti.

Por, njohës të çështjeve ekonomike thonë se investimet e huaja në Kosovë, sidomos pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, janë solide. Safet Merovci, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, thotë se realiteti aktual në Kosovë, investitorët e huaj i mban larg saj.

Ai thotë se investitorët e huaj kërkojnë një ambient stabil për investime, një ambient pa korrupsion dhe, ajo që është kryesorja, ata kërkojnë furnizim stabil me energji elektrike - elemente këto, që sipas Merovcit, Kosovës i mungojnë me vite.

“Shpresat kanë qenë shumë të mëdha dhe propaganda politike e ka arsyetuar krizën ekonomike, 1999-2008, pikërisht në emër të statusit. Mirëpo, unë mendoj se edhe pritjet tona kanë qenë të tepruara, pikërisht për faktin se investitorët kërkojnë një ambient ku ka një qeveri stabile, ku ka një qeveri që nuk është e korruptuar, një qeveri që lufton krimin e organizuar, një qeveri që kontrollon gjithë territorin, kontrollon doganat, një qeveri që menaxhimin e buxhetit ta bëjë investues dhe jo shpenzues”, tha Merovci.

Edhe Remzi Ahmeti pajtohet se shqetësim kryesor i investitorëve ndërkombëtarë mbetet mungesa e energjisë elektrike, por ai thotë se Qeveria e Kosovës në vazhdimësi është duke përmirësuar klimën për investitorët e huaj.

“Nëse tash bëhen edhe disa përpjekje më të mëdha lidhur me sigurimin e energjisë elektrike për investitorët e privilegjuar, atëherë do të tejkalohen të gjitha barrierat dhe investitorët nuk do të kenë problem lidhur me instalimin e atyre investimeve”, shprehet Ahmeti.

Ndryshe, përveç stabilizimit të situatës me energji elektrike, për tërheqjen e investimeve të huaja, Safet Mervoci thotë se institucionet kosovare duhet të kenë një strategji dhe plan zhvillimor së bashku me një bankë, ku qeveria duhet t’i orientojë investimet.

“Qeveria e Kosovës ose shteti duhet të ketë një përqindje, sepse nuk ka asnjë vend në botë që qeveria mos të ketë një bankë, ku i orienton investimet në rend të parë në bujqësi. Dhe, qeveria duhet të kuptojë se pa energji elektrike, asnjë investitor i huaj nuk vjen të investojë në Kosovë. Për biznesin ndërkombëtar, mungesa e energjisë është sinjali kryesor se ai vend nuk është në rregull”,
thotë Merovci.

Megjithatë, deri më tani, në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, bizneset e tyre i kanë regjistruar mbi 2400 kompani të huaja.