Ahtisaari: Kosova, diplomaci parandaluese

Ish presidenti finlandez, Martti Ahtisaari, e ka cilësuar rastin e Kosovës si shembull të "diplomacisë parandaluese". Ahtisaari ka shtuar se Kosova ka dërguar mesazhin tek të gjithë diktatorët, se nëse i keqtrajtojnë qytetarët e tyre atëherë ata do të përfundojnë para gjyqit, duke bërë krahasimin me fatin e Sllobodan Millosheviçit.

Në një intervistë për radion suedeze Ahtisaari ka folur dhe për problemet e tjera ndërkombëtare, përfshirë situatën në Lindjen e Mesme.
"Ndihem i turpëruar që ende nuk kemi gjetuar një zgjidhje për konfliktin palestinezo-izraelit", tha Ahtisaari, për të shtuar se "mungesa e vullnetit politik" është arsyeja kryesore e mungesës së përparimit.

Sipas Ahtisaarit për zgjidhjen e këtij konflikti nuk ka rëndësi se kush do t'i fitojë zgjedhjet presidenciale amerikane.
Ish ndërmjetësi ndërkombëtar për statusin e Kosovës, dhe fitues i çmimit Nobel për paqe për vitin 2008 ka vënë në pikëpyetje qasjen që është ndjekur ndaj Hamasit duke e izoluar, megjithë faktin se ata fituan zgjedhjet.