Topi e Berisha: Firma e Bushit, historike

Krerët më të lartë të shtetit shqiptar, presidenti Bamir Topi dhe kryeministri Sali Berisha kanë vlerësuar lart nënshkrimin e protokollit për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO nga presidenti Bush.

"Nënshkrimi i protokollit, i cili qe mbështetur unanimisht nga senati amerikan rikonfirmoi besimin se vendi juaj mbetet aleati më i madh dhe më i besueshëm i Shqipërisë", thuhet në mesazhin e presidentit Bamir Topi drejtuar homologut të tij amerikan.

Kryeministri Sali Berisha e cilësoi ngjarjen si historike duke theksuar se "kjo përbën aktin ligjor më madhor në historinë e marrëdhënieve mes dy vendeve. Ky akt është një votëbesim i madh për Shqiperine dhe reformat e saj", u shpreh Berisha.

Si presidenti dhe kryeministri theksuan se firmosja e protokollit nga Shtetet e Bashkuara është përgjegjësi madhore për Shqipërinë, shqiptarët dhe institucionet.

Presidenti amerikan George Bush nënshkroi protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO.
"Qytetarët e Shqipërisë dhë të Kroacisë kanë tejkaluar luftën dhe vuajtjet, kanë ndërtuar raporte paqësore me fqinjët e tyre dhe i kanë ndihmuar demokracitë e tjera të reja që të ndërtojnë shoqëri të lira", tha Bush gjatë ceremonisë.

Ai ka theksuar se në momentin që Shqipëria dhe Kroacia i bashkohen NATO-së atëherë popujt e tyre duhet ta dinë se nëse ndonjë shtet ua kërcënon sigurinë, në anën e tyre do ta kenë secilin anëtar të aleancës.

Bush ka thënë se SHBA mezi pret ditën kur në NATO të hyjnë të gjtha vendet e Ballkanit, përfshirë edhe Maqedoninë, anëtarësimi i së cilës po mbahet peng nga Greqia për shkak të mosmarrëveshjeve për emrin.

"Dyert e NATO-së për anëtarësim mbesin të hapura edhe për popullin e Serbisë, nëse ata zgjedhin këtë rrugë", ka thënë Bush.
Ai ka përsëritur përkrahjen amerikane për anëtarësimin në NATO edhe të Ukrainës, Gjeorgjisë Malit të Zi e Bosnjes.