Kuvendi i Kosovës pritet që në një nga seancat e radhës të miratojë një rezolutë, përmes së cilës dënohen krimet e bëra në Kosovë gjatë regjimit komunist të ish-Jugosllavisë. Deputetët këtë e vlerësojnë edhe si dëshmi për synimin e vendit drejt BE-së.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës e vlerësojnë si akt të rëndësishëm dhe të domosdoshëm nxjerrjen e një rezolute, me të cilën dënohen krimet që ish-regjimi komunist i Jugosllavisë ka bërë në Kosovë gjatë viteve 1945 deri më 1999.
Ata thonë se nxjerrja e një rezolute të tillë, ndonëse nuk mund të ketë ndikim praktik, të paktën teorikisht dëshmon synimin e vendit për të hequr dorë nga e kaluara, duke shkuar drejt një sistemi të mirëfilltë demokratik.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, i cili kishte iniciuar këtë kërkesë, Ramë Buja, vlerëson se rezoluta do të shërbejë si mjet për të dënuar para opinionit njerëzit e përfshirë në krimet e bëra gjatë periudhës komuniste në vend.
"Do të bëjmë krejt të mundshmen që shoqëria e kaluar e komunizmit të ndëshkohet në formën më të mirë të mundshme të kësaj logjike. Nuk është që mund të bëjë diçka praktike, por në aspektin teorik kjo do t'u rikujtojë njerëzve - gjithsesi po", tha Buja.
Sipas deputetit Buja, rezoluta do të dëshmonte synimin e Republikës së Kosovës për t'u integruar në strukturat euroatlantike.
"Është në vazhdën e përshkallëzimit pozitiv edhe në deklarimet, si dhe në veprimet konkrete, për të shkuar drejt Evropës dhe një sistemi të ri demokratik të mirëfilltë", shtoi ai.
Bashkimi Evropian u kishte kërkuar të gjitha shteteve që synonin anëtarësimin në BE, e që dikur kishin qenë pjesë e ish-Jugollavisë, hartimin e një rezolute, përmes së cilës dënohen veprimet e regjimit komunist ndaj popullit të vendit përkatës.
Nënkryetari i partisë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, mendon se rezoluta që do të nxjerrë legjislativi kosovar mbi këtë çështje, duhet të jetë në përputhje edhe me rezolutat e shteteve të tjera, të cilat kanë krijuar një dokument të tillë.
"Kuvendi i Kosovës ka pasur një obligim që të nxjerrë një rezolutë të tillë, duke u bazuar edhe në të gjitha vendet post-komuniste, të cilat kanë dënuar krimet që kanë ndodhur. Prandaj, nxjerrja e një rezolute të tillë është shumë e arsyeshme, madje është dashur të bëhet edhe më herët", vlerësoi Isufi.
Komisioni për Legjislacion dhe Kushtetutë i Kuvendit të Kosovës do të jetë përgjegjës për hartimin e rezolutës, e cila pritet të shqyrtohet edhe në një nga seancat e ardhme të këtij institucioni.
Këshilli i Evropës, në vitin 2006, kishte miratuar një rezolutë të këtij lloji, sipas së cilës dënoheshin sulmet kundër rreth 100 milionë viktimave të sistemit komunist në mbarë botën.