UNMIK: BE s’kërkon përfshirje në bisedimet Prishtinë-Beograd

Selia e UNMIK-ut në Prishtinë

Autoritetet e Kombeve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian në Kosovë hedhin poshtë mundësinë e përfshirjes së një përfaqësuesi të BE-së në bisedimet indirekte Prishtinë-Beograd.

Përfshirja e Bashkimit Evropian në bisedimet midis administratës së Kombeve të Bashkuara dhe Beogradit, nuk vlerësohet si opsion real nga zyrtarë vendorë dhe ndërkombëtarë në Prishtinë.

Bisedimet mbi çështjet teknike si policia, gjyqësia dhe doganat, fusha këto të cilat duhet të jenë nën mbikëqyrjen e misionit të Bashkimit Evropian, aktualisht udhëhiqen nga kreu i misionit të OKB-së në Kosovë, i cili vepron në kuadër të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit.

UNMIK-u mohon të ketë njohuri lidhur me mundësinë e përfshirjes së BE-së në këto bisedime. Zëdhënësi i UNMIK-ut, Alexander Ivanko thotë se deri më tani nuk është i njoftuar mbi ndonjë kërkesë eventuale nga Bashkimi Evropian, për t’u inkuadruar në këto bisedime.

"Duhet të pyesni Bashkimin Evropian. Por, nuk kam njohuri për këtë. Ne aktualisht kemi një dialog teknik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, ndërsa nuk jam i njoftuar për një kërkesë që Bashkimi Evropian të ketë bërë për t’u përfshirë në këto bisedime", thotë Ivanko.

Të njëjtën e kanë pohuar edhe përfaqësues të Bashkimit Evropian në Kosovë.

Qeveria e Kosovës fare nuk komenton idenë e futjes së palës së BE-së në bisedimet indirekte Prishtinë-Beograd. Zëdhënësi i ekzekutivit kosovar, Memli Krasniqi, thotë se nuk ka njohuri për zhvillimin e bisedimeve të tilla dhe se autoritetet kosovare do të jenë të gatshme të bisedojnë me të gjitha shtetet, por vetëm në cilësinë e shteteve të pavarura.

"Unë nuk e di se cilave bisedime ju referoheni ju, duke thënë se ka kohë që po zhvillohen, por ajo që mund t'ju them është se ne kemi gatishmëri që të zhvillojmë takime, bisedime dhe raporte me të gjitha shtetet fqinje, duke filluar nga Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi, në të ardhmen me siguri edhe me Serbinë, gjithmonë në interes të interesimit të përbashkët të stabilitetit rajonal në thellimin e vizionit dhe të perspektivës perëndimore dhe euroatlantike", shprehet Krasniqi.

Administrata e Kombeve të Bashkuara kishte filluar kohë më parë të zhvillojë bisedime indirekte të udhëhequra nga diplomati italian, Lamberto Zannier, në përputhje me kërkesën e Sekretari Gjeneral të OKB-së, Ban Ki Moon. Por, Krasniqi, thekson se bazë për bisedime eventuale me shtetin serb do të jetë Kushtetuta e Kosovës, si akti më i lartë juridik i Republikës së pavarur.

"Zotëri Zannier ka agjendën e tij, ka dhe autorizimet e tij, ndërsa Qeveria e Kosovës udhëhiqet nga parimet, përgjegjësitë dhe obligimet, të cilat asaj ia jep Kushtetuta e Kosovës. Duke u nisur nga ky dokument, do të zhvillojmë marrëdhënie diplomatike qofshin bilaterale apo multilaterale me të gjitha shtetet", thekson ai.

Ndërkohë, analistët në Kosovë vlerësojnë se përfshirja e një përfaqësuesi të EULEX-it në bisedimet indirekte ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të ishte një veprim lehtësues për arritjen e konsensusit ndërmjet palëve.

Sidoqoftë, analisti Muhamet Kelmendi konsideron se inkuadrimi i mundshëm i BE-së në këto bisedime, do të duhej të bëhej me qëllim të negociimit të çështjeve që kanë të bëjnë me minoritetin serb, siç thotë ai, në Kosovë. Pavarësisht faktit se EULEX-i do të ketë kompetenca në polici, gjyqësi dhe dogana, Kelmendi thotë se këto çështje i takojnë shtetit të Kosovës.

"Problemi nuk qëndron aty, problemi qëndron kryesisht në faktin se lidhur me çka duhet të bisedohet me Qeverinë e Beogradit. A duhet të bisedohet për policinë, për doganat, a duhet të bisedohet për çështjet që i takojnë shtetit të Kosovës apo për çështje të tjera? Unë mendoj se me palën serbe duhet të bisedohet për çështjet që i takojnë minoritetit serb që jeton në Kosovë", thotë Kelmendi.

Misioni i Bashkimit Evropian për sundim të ligjit dhe polici pritet që të jetë operacional në tërë territorin e Kosovës deri në fund të këtij viti.

Bisedimet e ashtuquajtura teknike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit nën udhëheqjen e UNMIK-ut akoma nuk kanë rezultuar me ndonjë marrëveshje mbi çështjet akoma të pazgjidhura ndërmjet dy vendeve, siç janë policia, gjyqësia, doganat, administrimi i vijës kufitare, trashëgimia kulturore dhe të tjera, fusha këto të cilat në të ardhmen pritet të mbikëqyren nga misionet e Bashkimit Evropian në vend.