Qeveria e Kosovës është e bindur se pavarësia e Kosovës dhe njohja e saj nga vendet e rajonit do të ndikojnë në sforcimin e stabilitetit rajonal.
Qeveria e Kosovës është e bindur se pavarësia e vendit dhe njohja e saj nga vendet e rajonit do të shërbejë si garanci për stabilitetin rajonal. Ata thonë se synim i përbashkët i të gjitha shteteve të rajonit është përmirësimi i bashkëpunimit në sfera të ndryshme që do t’i çonin vendet drejt integrimit në strukturat euro-atlantike.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi, thotë se stabiliteti rajonal shënon themelin për krijimin e një perspektive evropiane për të gjithë.
"Pavarësia e Kosovës padyshim se është një investim i madh në stabilitetin rajonal, gjithashtu dhe në krijimin e perspektivës evropiane dhe euro-atlantike për të gjithë rajonin. Protestat e ndryshme të një intensiteti të ultë, apo çfarëdo qofshin, në asnjë moment nuk mund të figurojnë si të rëndësishme në formulën e përgjithshme të stabilitetit rajonal", thotë Krasniqi.
Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës mendojnë ndryshe. Kryetari i të ashtuquajturit Këshilli Krahinor i Lëvizjes së Rimëkëmbjes Serbe, Rangjell Nojkiq, thotë se protestat në Podgoricë nxisin dhe serbët lokalë në Kosovë.
"Vendimi i pakujdesshëm i Malit të Zi për të njohur pavarësinë e Kosovës dhe reagimet e Beogradit ndaj një vendimi të tillë kanë shkaktuar reagime që kanë pasoja te banorët e Malit të Zi, para së gjithash tek ata që ndjejnë veten serbë. Natyrisht se reagimet e tilla i trimërojnë serbët e Kosovës, sepse serbët presin me padurim se çka do të ndodhë dhe çfarë vendimi do të merret në Gjykatën e Hagës dhe si do të rrjedhë procesi më tutje", thotë Nojkiq.
Kështu nën organizimin e disa organizatave në veri të qytetit të Mitrovicës, disa qytetarë serbë kanë mbajtur një tubim në shenjë kundërshtimi me njohjen që Mali i Zi i ka bërë Kosovës. Ata i kanë bërë thirrje Qeverisë në Podgoricë që ta tërheqë vendimin për njohjen e shtetit të Kosovës.
Protestuesit kanë shfrytëzuar fjalor të ashpër dhe e kanë cilësuar kryeministrin malazez, Milo Gjukanoviq, si "tradhtarin më të madh të popullit serb". Duke mbajtur në duar parulla me mbishkrime të ndryshme, protestuesit kanë marshuar deri në urën qendrore mbi lumin Ibër, prej nga edhe janë shpërndarë.
Vendimi i Malit të Zi për të njohur realitetin e krijuar pas 17 shkurtit në Kosovë konsiderohet si një hap i rëndësishëm drejt stabilitetit politik për Kosovën dhe tërë Ballkanin nga ana e analistëve në Prishtinë.
Analisti Lulzim Peci i quan të pritura reagimet në Podgoricë dhe thekson se njohja e Kosovës nga ky vend do të ndikojë në sigurinë politike edhe për vendet e tjera
"Kontribuon në sigurinë politike, pra nuk lë vakuum ose mëdyshje për njohjen e Kosovës në regjion dhe kjo është primare për moskrijimin e paqëndrueshmërive në marrëdhëniet regjionale, por edhe në vetë stabilitetin rajonal", shprehet Lulzim Peci.