Hyseni merr notën verbale të njohjes nga Shkupi

Shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Maqedonisë, Stojan Karajanov ia ka dorëzuar ministrit të jashtëm Skënder Hyseni Notën verbale, me të cilën njoftohet Ministria e Punëve të Jashtme se Qeveria e Republikës së Maqedonisë, më 9 tetor 2008, ka njohur Republikën e Kosovës shtet të pavarur dhe sovran.

Hyseni ka falënderuar Qeverinë dhe popullin e Republikës së Maqedonisë për njohjen e Kosovës.

“Njohja e Republikës së Kosovës nga Republika e Malit të Zi dhe nga Republika e Maqedonisë është hap tepër i rëndësishëm për rajonin. Me këtë rajoni hap edhe më shumë rrugët e bashkëpunimit politik dhe ekonomik, si dhe siguron stabilitet në të gjitha fushat”, ka theksuar ministri Hyseni.

Me njohjen e Kosovës nga ana e Republikës së Maqedonisë, numri i vendeve që kanë njohur Kosovën ka arritur në 50.