Vuleviç: Scorpions përgjegjës për masakrën e Podujevës

Komandanti i njësisë së anti-terrorizmit në Serbi ka dëshmuar kundër katër anëtarëve të njësisë famëkeqe Scorpions, që po gjykohen për krime lufte në Kosovë.

Bëhet fjalë për një nga masakrat më të rënda, atë të Podujevës në mars të 1999, ku u vranë 19 civilë, përfshi gra, fëmijë dhe të moshuar. Vetëm pesë fëmijë i mbijetuan masakrës.

Spasoje Vuleviç, kreu i njësisë së anti-terrorizmit, i cili ka luftuar në Kosovë tha se "kishte tregues të qartë" se Scorpions ishin përgjegjës për vrasjet. Ai i quajti anëtarët e kësaj njësie si "mendërisht të pashëndetshëm" dhe të papërgatitur për betejë.

Një tjetër anëtar i Scorpions është dënuar në vitin 2004 me 20 vjet burg për masakrën e Podujevës.