Pettifer: Misionet ndërkombëtare janë në kaos

"Situata është çfarë është për shkak të planit Ahtisaari dhe në këtë kuadër s'mund të bëhet më asgjë. Me kohë, Kosova duhet të shikojë përtej planit Ahtisaari", thotë James Pettifer, nga Instituti Mbretëror për Marrëdhënie me Jashtë.
RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Pettifer, presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, ka thënë se ndarja e Kosovës mund të jetë një opsion. Si e vlerësoni këtë deklaratë?

JAMES PETTIFER
Kjo politikë nuk është fare e re. Fundja, ndarja ka qenë dikur edhe politikë e Millosheviqit, pra para shumë kohësh. Kjo "fije e perit" ka qenë gjithmonë e pranishme në fabrikën e Serbisë.

Në kohë të caktuara, ata zgjedhin ta shfrytëzojnë atë për qëllime politike. Megjithatë, mendoj se reagimi i liderëve kosovarë ka qenë i drejtë, se një ide e këtillë nuk është dhe nuk do të jetë në agjendë për ta.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendët reagimin e liderëve kosovarë, disa nga të cilët kanë thënë se kjo mund të nxisë edhe efektin domino në rajon. Ju, çfarë mendoni?

JAMES PETTIFER

Padyshim që një rrezik i këtillë ekziston, po. Por, sa i madh mund të jetë ky rrezik? Është një çështje rreth së cilës njerëzit mund të mos pajtohen.

Unë mendoj se do të ishte rrezik serioz, por më serioz mendoj se është efekti që do të ketë mbi vetë Kosovën, sepse e dimë shumë mirë se shumica shqiptare nuk do ta pranojë shkëputjen e një pjese të territorit.

RADIO EVROPA E LIRË
Serbia synon ta dërgojë çështjen e shtetësisë së Kosovës tek Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. A mendoni se do të ketë sukses?

JAMES PETTIFER
Problemi është se pas rënies së Millosheviqit, shtetit të ri serb i është dhënë një 'batanie' e ligjshmërisë nga Perëndimi dhe kam frikë se veçanërisht nga Mbretëria e Bashkuar atëbotë. Së këndejmi, ligji dhe ligjshmëria kanë qenë dy faktorë përbërës të politikës së zhvillimit.

Kjo, për fat të keq, u është dhënë në duar liderëve të caktuar serbë për shfrytëzim. Sidoqoftë, do të jetë problem, sepse ligji ndërkombëtar ekziston dhe kjo çështje duhet vëzhguar. Do të jetë e vështirë mendoj të ndalen të gjitha vonesat dhe problemet që një gjë e këtillë shkakton.

RADIO EVROPA E LIRË
Cili do të jetë ndikimi kryesor mbi Kosovën? Autoritetet në Beograd presin që disa vende të tërheqin njohjen që i kanë bërë shtetit të Kosovës…

JAMES PETTIFER
Këtë do ta donin ata, por unë nuk mendoj se ka gjasë për diçka të këtillë. Unë madje mendoj se një numër në rritje do ta njohë Kosovën.

Deri tash kemi arritur tek numri 50 afërsisht dhe gjërat nuk qëndrojnë aq keq nëse bëhen krahasimet me periudhat e ngjashme të zhvillimit të vendeve që kanë pasur lindje kundërthënëse, sikur që është Bangladeshi dhe Kroacia. Vende të tjera do ta njohin Kosovën.

Megjithatë, mendoj se është një dështim i madh për Qeverinë aktuale të Kosovës, që ka të bëjë me botën islame. Mendoj se është një hap serioz prapa për diplomacinë kosovare dështimi që shumë vende të botës islame të mos e njohin Kosovën deri më tash.

RADIO EVROPA E LIRË
Një prej çështjeve që vazhdon të jetë e paqartë është funksionimi i EULEX-it, me kundërshtimet e ashpra të komunitetit serb kundër tij. Si e shihni zhvillimin e këtij procesi?

JAMES PETTIFER
Mendoj se gjërat nuk do të përmirësohen edhe aq. Siç mund ta keni parë në raportin e fundit të Grupit Ndërkombëtar të Krizave, misionet ndërkombëtare në Kosovë janë në kaos dhe kanë qenë në një gjendje të këtillë që prej fillimit të këtij viti.

Mendoj se kjo gjendje është pasojë e kundërthënieve në kuadër të planit të Ahtisaarit, për të cilin, siç e dini, kam qenë kritik dhe veçanërisht kritik për pranimin e shpejtë të këtij plani nga lidershipi i PDK-së.

Situata është çfarë është për shkak të planit të Ahtisaarit dhe në këtë kuadër, s'mund të bëhet më asgjë. Me kohë, Kosova duhet të shikojë përtej planit të Ahtisaarit, por aktualisht duhet bërë përpjekje që çdo gjë të funksionojë, pavarësisht se sa e vështirë mund të jetë.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se është e mundshme për misionin e Kombeve të Bashkuara dhe EULEX-in që të punojnë nën një ombrellë ligjore të Rezolutës 1244, ndërkohë që Kosova tashmë ka Kushtetutën e saj? A mund të ketë përplasje?

JAMES PETTIFER
Mendoj që po, është e pashmangshme. Është shumë e rëndësishme që të gjithë në Kosovë, nga të gjitha grupet etnike, të përpiqen të veprojnë në kuadër të Kushtetutës, sepse Kushtetuta është ajo që sjell sundimin e ligjit.

Tranzicioni padyshim që duhet të ndodhë, nuk mund të qëndrojmë ulur dhe të vazhdojmë t'i pyesim njerëzit edhe pas 100 vjetësh se çfarë mendojnë për Rezolutën 1244. Ajo duhet të tejkalohet, nëse jo në letër, atëherë të paktën në jetën e përditshme.

RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Pettifer, më shumë se shtatë muaj që prej shpalljes së pavarësisë, veriu vazhdon të mbetet çështja më sfiduese. A shihni ndonjë rrugëdalje për situatën atje?

JAMES PETTIFER
Mendoj se në këtë drejtim ekonomia është e rëndësishme. Nëse ekonomia kosovare do të mund të zhvillohet, atëherë integrimi ekonomik i veriut do të ndodhë me kohë. Rreziku më i madh aktualisht është nëse përjetojmë zmbrapsje të mëdha ekonomike në Evropë, për shkak të krizës bankare, gjë që do të ndalonte zhvillimin ekonomik.

Në një skenar të këtillë, mendoj se serbët e Kosovës do të mendojnë se do ta kenë më mirë me Beogradin. Aktualisht mendoj se pavarësisht nga pakënaqësitë politike që mund t'i kenë, ata (serbët e Kosovës) fitojnë shumë para, sepse janë në Kosovë, gjë që do të ndalej po t'i bashkohen Serbisë.

Mendoj se kjo vërtet është prapaskena e gjithë asaj që po ndodh. Na mbetet vetëm të shpresojmë se zhvillimi ekonomik do t'i bashkojë të gjithë njerëzit.