Vazhdojnë debatet për lëndët e Hagës në Maqedoni

Pamje në Shkup

Procesuimi nga gjykatat vendase i katër rasteve që janë kthyer nga Tribunali i Hagës ka ndarë në qëndrime jo vetëm partitë politike, por edhe ekspertët dhe intelektualët e dy bashkësive më të mëdha etnike, shqiptarët dhe maqedonasit.
Të parët mendojnë se rikthimi i vëmendjes në ngjarjet e vitit 2001 vetëm sa do të ndajë qytetarët në baza etnike. Por, me këto vlerësime nuk pajtohet pala maqedonase, e cila konsideron se ndjekja e personave që kanë qenë përgjegjës për vepra të caktuara, nuk mund të reflektohet në raportet ndëretnike

“Ata që kanë qenë fajtorë nuk mund t’i ikin dënimit, pasi vetëm në këtë mënyrë do të mund të arrihej te një shkallë më e lartë e mirëbesimit mes bashkësive etnike dhe mendoj se është koha që kjo edhe të bëhet ”, vlerëson ligjëruesja universitare, Mirjana Malevska, duke mos u pajtuar me konstatimet e palës shqiptare se hapja e rasteve të Hagës nga gjykatat vendase, paraqet shkelje të Ligjit të amnistisë.

“Kuptohet se ata do të thirren në interpretimin e Ligjit të amnistisë, megjithatë, unë, me sa kam njohuri, ai ligj nuk ka të bëjë edhe me rastet që kanë qenë në procedurë para Tribunalit të Hagës, por nuk përjashtoj edhe mundësinë që të ketë edhe interpretime nga ekspertë tjerë”, tha Malevska.

Ajo mendon se për një shoqëri është shumë me rëndësi që të fitohet përshtypja e barabarësisë.

“Në Hagë janë zhvilluar procese gjyqësore për dy maqedonas, njëri prej tyre edhe është gjykuar dhe tani me rastet e reja besoj se do të arrihet përshtypja e përgjegjësisë së dyanshme”, u shpreh Mirjana Malevska.

Por, Xhevdet Hajredini, anëtar i Unionit të inteligjencies shqiptare, konsideron se hapja e rasteve të Hagës dhe gjykimi i ish-pjesëtarëve të UÇK-së do të përkeqësojë në masë të madhe raportet ndëretnike.

“Ngel e paqartë se ku janë qëllimet e fundit të tij. A do ai, duke e destabilizuar Maqedoninë dhe duke irrituar shqiptarët, të arrijë qëllime më të larta, më të fshehta? Mendoj se shqiptarët nuk do të mund të rrinë më nën kontrollin e partive politike, të cilat kur janë në pushtet thonë se marrëdhëniet ndëretnike janë të relaksuara dhe kur janë në opozitë nxisin shqiptarët. Populli një ditë edhe krerëve të partive shqiptarë do t’u thotë mjaft”, tha zoti Hajredini, duke shtuar se fajtorë kryesorë për gjendjen e krijuar është kryeministri Gruevski, i cili, sipas tij, në vazhdimësi po luan me ndjenjat e palës shqiptare.

“Me këto hapa ai po e teston durimin e shqiptarëve të Maqedonisë. Nëse vazhdon kështu, nuk do t’i dihet fundi i kësaj situate. Ai çdo ditë shpik shkaqe dhe shkase që të mbrojë pozitën, që, për fat të keq, e ka si lider i partisë VMRO-DPMNE”, tha Hajredini.

Deri më tani, gjykatat vendase kanë filluar procedurat për dy nga katër lëndët, që në mungesë të fakteve nuk janë procesuar nga Tribunali i Hagës. Para trupit gjykues pritet të ulen 23 shqiptarë, ish-pjesëtarë të UÇK-së. Në mesin e tyre janë edhe dy deputetë të BDI-së, të cilëve kohë më parë u është marrë edhe imuniteti.