Hagë: Shtyhet gjykimi i Momçillo Perishiq

Tribunali i Hagës ka shtyer gjykimin e ish kreut të armatës jugosllave për rolin e tij në mizoritë në Bosnje, përfshirë masakrën e Srebrenicës dhe rrethimin e Sarajevës.

Një zëdhënëse e Tribunalit tha se gjykimi është shtyer, meqë gjykatësit e përfshirë në rast po presin një miratim formal nga OKB, në mënyrë që të vazhdojnë me procesin.

Nuk është bërë e ditur data e re e gjykimit. Momçillo Perishiq ngarkohet me 13 akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera nga vartësit e tij.

Perishiq iu dorëzua gjykatës në vitin 2005 dhe është deklaruar i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Nëse shpallet fajtor, ai mund të dënohet edhe me burg të përjetshëm.