"Iniciativa e Qeverisë së Kosovës për të angazhuar një kompani ndërkombëtare për lobimin e pavarësisë së Kosovës është një hap i vonuar", thotë për Radion Evropa e Lirë, nënkryetari i Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Gashi.
RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Gashi, Serbia i ka kërkuar Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të shprehet për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. Cilat mendoni se mund të jenë efektet e opinionit të kësaj gjykate për Kosovën, po qe se kërkesa serbe merr votat e mjaftueshme në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së?
IBRAHIM GASHI
Jam optimist shumë i matur në këtë drejtim, sepse bëhet fjalë për një nismë të ligjshme megjithatë, që shumë shtete hezitojnë ta pengojnë, thjesht për arsye të parimeve juridike brenda vetë Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Në variantin më të keq, nëse kjo kalon, atëherë konsekuencat ose efektet siç thoni ju negative të një nisme të tillë, do të jenë në vazhdimin e hezitimit të vendeve që ende nuk janë shprehur të gatshme që ta njohin Kosovën edhe për një kohë.
Derisa gjykata ta marrë në shqyrtim nismën e Serbisë, mund të ndodhë që këto vende që nuk janë të gatshme aktualisht që ta njohin Kosovën, të thirrën pastaj se po presin një mendim të gjykatës.
Në instancë të fundit, ky vendim i gjykatës nuk mund të jetë aq determinues për fatin e Kosovës; pavarësia e Kosovës është një akt i pakthyeshëm, joreverzibil dhe në asnjë variant gjykata, sa unë mund ta kuptoj natyrën e punës së gjykatës, nuk do të ndajë mendim për këtë çështje, për arsye se, para së gjithash, mendoj se do ta shpallë veten jokompetente për çështje të tilla, në këtë rast siç është çështja e Kosovës.
RADIO EVROPA E LIRË
Cilat mendoni se janë argumentet më të fuqishme, me të cilat Kosova mund të dëshmojë ligjshmërinë e pavarësisë së saj?
IBRAHIM GASHI
Kosova ka shumë argumente. Jo rastësisht është thënë nga shumë qendra të vendosjes ndërkombëtare, nga shumë shtete të fuqishme që e kanë mbështetur procesin politik në Kosovë drejt pavarësisë, se Kosova është ‘sui generis’. Vërtet Kosova ka shumë elemente për të qenë ‘sui generis’.
Kosova ka një histori që padrejtësisht është bërë pjesë fillimisht e Serbisë, e pastaj edhe e Mbretërisë së Jugosllavisë dhe në krejt këtë proces është mirë që prej viteve ’90 e këndej, opinioni ndërkombëtar është i njohur me të veçantën që ka Kosova në këtë proces, se Kosova ka shpallur shtetin e saj dhe ka ushtruar një pushtet, si të them një shtet nën hije përmes institucioneve paralele për 10 vjet, pastaj ka filluar një luftë çlirimtare.
Dhe, në fund, opinioni ndërkombëtar është sensibilizuar në atë masë sa ta mbështesë ushtarakisht këtë luftë, për ta ndalur gjenocidin, për ta ndalur spastrimin etnik dhe përfundimisht Kosova e ka fituar një mbështetje ndërkombëtare mbi bazën e të veçantës që e ka pasur në krejt këtë proces.
Domethënë, ka qenë padrejtësisht e përfshirë për 100 vjet pothuaj në një shtet me të cilin nuk ka pasur asgjë të përbashkët.
RADIO EVROPA E LIRË
Qeveria e Kosovës, këto ditë, ka vendosur të ndërrojë mënyrën e lobimit me anë të një kompanie apo agjencie ndërkombëtare. Si e vlerësoni ju këtë nismë?
IBRAHIM GASHI
Ne e kemi ngritur më herët këtë ide si opozitë. Konkretisht, ne kemi propozuar edhe mekanizma të tillë që do ta intensifikonin çështjen e lobimit, janë të njohura këta. Me këtë nismë, qeveria po tregon se ka pasur ngecje të konsiderueshme në lobim. Pra, në njëfarë mënyre, po aprovon vërejtjet dhe sugjerimet që kanë ardhur nga opozita dhe kjo është pozitive.
Çështje tjetër është se një mekanizëm i tillë do ta ndihmojë lobimin, por nuk mund të mbështetet krejt çështja e lobimit tek ky lloj mekanizmi, pra te një trup profesional për lobim.
Natyrisht, kompanitë e tilla lobizuese në botë përdoren si një mekanizëm ndihmës, mekanizëm plotësues, për ato vende ku Kosova nuk ka qasje ose ka qasje të kufizuar. Fillimisht, përdoren për të krijuar kanale komunikimi me ato shtete.
Por, ky mekanizëm nuk mund ta zëvendësojë as punën që duhet ta bëjë Ministria e Punëve të Jashtme, as atë që duhet ta bëjë diplomacia parlamentare, as atë që mund ta bëjnë diplomacitë mike dhe personalitete të shquara ndërkombëtare, që janë dëshmuar si përkrahës të pavarësisë së Kosovës.
RADIO EVROPA E LIRË
Ekspertët ndërkombëtarë kanë thënë se bashkësia ndërkombëtare apo prezenca e Bashkimit Evropian në Kosovë ka dështuar në njëfarë forme që pas shpalljes së pavarësisë së vendit. Cili është mendimi juaj?
IBRAHIM GASHI
Aty ka diçka të vërtetë. Ka një ngadalësi në procesin e shtrirjes së misionit civil evropian në Kosovë, EULEX-it. Ka një ngathtësi ndoshta edhe në procesin e rikonfigurimit të UNMIK-ut dhe krejt kjo krijon një vakum në zonat që janë në njëfarë mënyre jo shumë të stabilizuara, siç është veriu i Kosovës.
Unë nuk mendoj se ka dështuar plotësisht, por se ka një ngathtësi po. Misioni civil evropian duhet në njëfarë mënyre të intensifikojë procesin e vendosjes së tij, të shtrijë kontrollin në gjithë territorin e Kosovës.
Institucionet e Kosovës konsideroj se janë treguar të gatshme dhe e mirëpresin këtë mision dhe është momenti që të mos humbet kohë, që të mos lihet vend që të ndërtohen eventualisht struktura paralele të dirigjuara nga shteti fqinj verior, i cili nuk është i interesuar të lejojë progres në Kosovë, në kuptimin e stabilizimit të pushtetit dhe shtrirjes së sovranitetit të shtetit të Kosovës.
RADIO EVROPA E LIRË
Si e cilësoni problemin në veri të vendit? A mendoni se problemi i Mitrovicës mund të shkaktojë pasoja politike të një efekti zinxhiror në Ballkan?
IBRAHIM GASHI
Unë nuk jam i prirë të mendoj se po thellohet, sepse ne një gjendje të tillë faktike e kemi që një kohë të gjatë atje. Unë jam i prirë të besoj se atje do të ndryshohet kjo gjendje në kuptimin pozitiv shpejt.
Janë premtimet se atje do të fillojnë të instalohen strukturat e EULEX-it shumë shpejt dhe të rikthehet funksionimi i gjykatave, i institucioneve një nga një atje, fillimisht me ndërkombëtarë e pastaj edhe me vendorë. Së paku, këto janë ato deklaratat inkurajuese që ne i dëgjojmë dhe jemi të prirë t’u besojmë.
Por, në rast se do të ketë vonesa në këtë drejtim, rreziku i ndarjes sigurisht se bëhet aktual dhe nuk mund të thuhet se ka kaluar tërësisht, sado që juridikisht Kosova është shpallur si shtet i pandashëm, unik në gjithë territorin e saj.
Mirëpo, kjo nuk u është bërë plotësisht e ditur strukturave që veprojnë atje, pra u është lënë hapësirë të veprojnë. Do të jetë shumë i rëndësishëm edhe pozicioni që do të mbajë Beogradi këtej e tutje. Momentalisht, nuk e kemi një pozicion pozitiv të Beogradit në kuptimin e një qasjeje më realiste ndaj zhvillimeve në Kosovë, kemi një qëndrim të ngurtë edhe më tutje.
Nëse kjo politikë e Beogradit ndaj Kosovës edhe më tutje vazhdon kësisoj, do të jetë një inspirim i mirë për strukturat paralele atje dhe do të kemi probleme.
Por, nëse shkohet, siç thoni ju, domethënë ai skenari më pesimist, që unë prapë po them se jam i bindur të mos e besoj skenarin e ndarjes, atëherë sigurisht se ai do të ketë ‘domino efekt’ dhe harta politike e Ballkanit është në njëfarë disproporcioni të madh me hartën etnike dhe kjo pashmangshëm do të çojë në veprime të tilla edhe në regjionet tjera.
Kjo do të prodhonte ‘domino efekt’ nëse Kosovës tentohet t’i hiqet një pjesë dhe kjo u hap rrugë skenarëve dhe projekteve që pashmangshëm edhe shqiptarët do të reagojnë në pjesë tjera të shtetit, konkretisht bëj fjalë për Luginën e Preshevës. Atëherë, një gjë e tillë do të vijë pashmangshëm në tavolinë.