Bush: Ekonomia, në krizë serioze

Shtetet e Bashkuara po përballen me një krizë financiare serioze, tha presidenti Geroge Bush, i cili kërkoi nga ligjvënësit amerikanë të ndërmarrin veprimet e nevojshme për të parandaluar një katastrofë të mundshme ekonomike.

Gjatë një fjalimi televiziv Bush kërkoi nga Kongresi të miratojë legjislacionin që parasheh 700 miliardë dollarë ndihmë ekonomike për bankat me probleme.

Pa një veprim të menjëhershëm nga Kongresi Shtetet e Bashkuara rrezikojnë të vuajnë nga një "panik financiar", që mund të rezultojë në rënien e shumë bizneseve dhe humbjen e miliona vendeve të punës, theksoi presidenti amerikan.

"Rrethanat aktuale nuk janë rrethana të zakonshme. Tregu nuk po funksionon si duhet. Ka humbje të besimit në shkallë të gjerë dhe sektorët kryesorë të sistemit financiar amerikan rrezikohen që të mbyllen. Ekspertët kyç të qeverisë tërheqin vërejtjen se pa veprime të menjëhershme nga Kongresi, Amerika do rrëshqasë në panik financiar dhe një skenar shqetësues mund të ndodh", tha Bush.

Ai ka ftuar udhëheqësit e Kongresit dhe dy kandidatët presidencialë të takohen në Shtëpinë e Bardhë për bisedime mbi planin e administratës.