Bush: Do përballemi me sfidat në tregjet finansiare

Presidenti i Shteteve të Bashkuara George Bush është zotuar se administrata e tij do të përballet me sfidat serioze që kanë hasur tregjet finansiare.

"Tregjet tona finansiare vazhdojnë të përballen me sfida serioze. Siç kanë dëshmuar veprimet tona të fundit, administrate ime është e fokusuar në përballjen me këto sfida. Populli amerikan mund të jetë i sigurtë se ne do të vazhdojmë të veprojmë për t'i forcuar dhe stabilizuar tregjet tona finansiare dhe rikthyer besimin e investitorëve", tha Bush në një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë.

Prononcimi i tij u bë në ditën që bankat kryesore qendrore botërore shpallën aksione të koordinuara.

Banka Qendrore Amerikane, tha se do t'i injektojë 180 miliardë dollarë në tregjet që të zbutet situata e krijuar.

Banka Qendrore Evropiane, Banka e Anglisë dhe Banka Kombëtare e Zvicrës nënshkruan marrëveshje, që për institucionet financiare të ofrojnë fonde në dollarë amerikanë. Në marrëveshjen kanë marrë pjesë edhe Banka Japoneze dhe ajo Kanadeze.