Njohja e Kosovës nga e gjithë BE-ja - parakusht për integrim

Flamuri i BE-së

Ekspertët për integrime evropiane në Kosovë vlerësojnë se njohja e pavarësisë së vendit nga të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian do të jetë parakusht për nisjen e procedurave për integrim në këtë mekanizëm.
Analistët politikë thonë se integrimi i Kosovës në BE duhet të shkojë paralelisht me atë të Serbisë.

Njohja e pavarësisë së Kosovës nga të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian do të jetë parakusht për nisjen e procedurave konkrete drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Kështu thonë ekspertët për çështjen e integrimeve evropiane në Kosovë, të cilët vlerësojnë se Kosova tashmë është në proces. Eksperti për çështje të integrimeve evropiane, Shenoll Muharremi, thekson nevojën e njohjes së pavarësisë së Kosovës edhe nga 6 vendet anëtare të BE-së, të cilat akoma hezitojnë të hedhin hapin e njohjes.

"Kosova është në proces, mirëpo në mënyrë që të bëjmë përparime signifikane të duhura, ne duhet, si hap shumë të rëndësisëhm, të bëjmë fillimin e negociatave për marrëveshjen e stabilizim asociimit dhe më vonë nënshkrimin e saj. Dyshoj që Kosova do të mund të nënshkruajë këtë marrëveshje pa e njohur të gjitha vendet", thotë Muharremi.

Ndërkohë, ekspertja Venera Hajrullahu e sheh të nevojshme marrjen e një pozicioni strategjik të Kosovës rreth integrimit në BE.

"Procesi i intergimit evropian në Ballkan akualisht ka pësuar një politizim shumë të madh dhe kjo e bën të domosdoshëm një pozicionim srategjik të Kosovës në këtë drejtim. Kjo nënkupton se duhet të punohet paralelisht në disa rrafshe: nga njëra anë në procesin e intensifikimit të refomave që ndërlidhen me përafrim, por njëkohësisht edhe në negociimin e hapave të mëtejshëm formalë të Kosovës në procesin e stabilizim asociimit",
thotë Hajrullahu.

Përveç krijimit të një strategjie konkrete për integrim, sfidat më të mëdha për të përmbushur kriteret drejt anëtarësimit në BE, sipas ekskertëve, janë zhvillimi ekonomik dhe sundimi i ligjit, gjë për të cilën BE-ja ka instaluar misionin e saj EULEX në vend. Shenolli shpjegon:

"Sistemi i drejtësisë, funksionimi i mirëfilltë i gjykatave, i prokurorisë e policisë është shumë signifikant që të hapë rrugën për zhvillime të tjera. Andaj, unë mendoj që sundimi i ligjit në Kosovë duhet të jetë një prioritet shumë, shumë i rëndësishëm".

Në anën tjetër, analistët politikë në Prishtinë mendojnë se rruga e Kosovës drejt Bashkimit Evropian mund të jetë paralele me atë të Serbisë. Sipas analistit Behlul Beqaj, integrimi i Kosovës dhe i Serbisë në Bashkimin Evropain duhet të shkojë paralelisht dhe nënshkrimi i ratifikimit të marrëveshjes për stabilizim dhe asociim ndërmjet Serbisë dhe BE-së nuk duhet të ndikojë në lënien anash të çështjes së intergirmit të Kosovës.

"Nëse marrëveshja e nënshkruar nga ana e Serbisë me Bashkimin Evropian nuk e njeh Kosovën, e cila synon në Bashkimin Evropian dhe i cili ka vendosur misionin e vet në Kosovë, do të ishte një kontradiktë brenda këtij korpusi, i cili ka marrë një vendim të tillë", thotë Beqaj.

Bashkimi Evropian do të monitorojë përmes misionit për sundim të ligjit, EULEX, si dhe përmes postit të përfaqësuesit special të BE-së në Kosovë, zhvillimet në vend, ndërkohë që Komisioni Evropian do të jetë përgjegjës për implementimin e kritereve për integrim të vendit në BE.