Krimi vazhdon të sfidojë policinë e Kosovës

Logo e SHPK-së

Policia e Kosovës, edhe 9 vjet pas formimit të saj, vazhdon të sfidohet nga krimi i organizuar, por edhe nga probleme të tjera në sferën operacionale. Ekspertët e sigurisë në Kosovë vlerësojnë se siguria në veri të vendit është e brishtë.

Krimi i organizuar dhe veprat penale vazhdojnë të mbesin sfidat kryesore, por edhe rutinore të Policisë së Kosovës edhe 9 vjet pas themelimit të këtij institucioni. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Veton Elshani, thotë se problemet të cilat e presin policinë kosovare në të ardhmën nuk do të dallojnë shumë nga punët rutinore dhe të zakonshme të çdo policie.

"Sfidat, të cilat neve na presin, janë ato të zakonshmet që e presin çdo polici në botë e që janë luftimi i krimit të organizuar, luftimi i të gjitha veprave penale në Kosovë, në mënyrë që qytetarët të kenë një jetë të qetë dhe të sigurt", thotë Elshani.

Policia e Kosovës, që nga formimi i saj më 1999, ka kaluar një proces transformimi duke u shndërruar nga Shërbimi Policor i Kosovës, i mbikëqyrur nga autoritetet ndërkombëtare në Polici të Kosovës.

Gjatë këtij procesi të transformimit, pjesa më e madhe e përgjegjësive të policisë së UNMIK-ut kanë kaluar në Policinë e Kosovës në pothuaj të gjitha komunat e vendit. Rajoni ku akoma nuk ka ndodhur një gjë e tillë është qyteti i Mitrovicës, ku policia vazhdon të operojë nën komandën e një zyrtari ndërkombëtar. Elshani shpjegon:

"Regjioni i Mitrovicës ëshët regjion më specifik, i cili deri më tani nuk ka kaluar në tranzicion dhe në tranzicion nuk ka kaluar vetëm komandanti regjional. I kemi pasur edhe dy pika kufitare, të cilat janë djegur e janë shkatërruar, pra pikat kufitare me Serbinë - ajo tek Zubin Potoku dhe Leposaviqi, e të cilat janë nën mbikëqyrjen e policisë së UNMIK-ut".

Sfidë tjetër për punët policore, sipas zëdhënësit të policisë, do të jenë edhe strukturat paralele serbe, por, sipas tij, këto struktura nuk ekzistojnë në sektorin e sigurisë. Andaj, Elshani thekson se mekanizmat e vetëm përgjegjës për siguri në Kosovë janë Policia e Kosovës, ajo e UNMIK-ut, si dhe KFOR-i.

"Nuk ka struktura të tilla paralele, të vetmet institucione të cilat veprojnë në Kosovë janë Policia e Kosovës, policia e UNMIK-ut dhe KFOR-i. Tani dihet se do të kemi edhe misionin EULEX si monitor apo mentor këshilldhënës", theksoi Elshani.

Ekspertët e sigurisë në Prishtinë vlerësojnë se çështje sfiduese për krijimin e sigurisë në vend vazhdon të jetë pjesa veriore e Kosovës. Eksperti për siguri, Nuredin Ibishi, vlerëson se për të rikthyer kontrollin në pjesën veriore të Komunës së Mitrovicës duhet një angazhim më i madh i administratës së Kombeve të Bashkuara, e cila menaxhon këtë pjesë.

"Vetë UNMIK-u i ka krijuar strukturat atje dhe i mban në situatë të veprimit në bashkëpunim me Qeverinë e Serbisë dhe natyrisht se UNMIK-u, edhe pse në këtë fazë të tranzicionit si dhe EULEX-i, i cili deklarohet të jetë nën ombrellën e tij, duhet të ndërmarrin hapa konkretë se si ta zgjedhin problemin atje", thotë Ibishi.

Ai pohon se riinstalimi i autoriteteve të sigurisë në këtë pjesë të vendit duhet të bëhet me hapa minimalë dhe në mënyrë graduale në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar.

"Policia e Kosovës duhet të veprojë ndërthurshëm, në bashkëpunim dhe në koordinim me forcat ndërkombëtare të sigurisë që janë prezente në Kosovë, pra në rend të parë, me policinë e UNMIK-ut, pastaj me policinë e re evropiane dhe natyrisht me KFOR-in. Mendoj se duhet të ndërmirren hapa sado të vegjël", tha Ibishi.

Veriu i Kosovës vazhdon të jetë sfida më e madhe me të cilën po ballafaqohen institucionet e Kosovës sikurse në aspektin e sigurisë, ashtu edhe në atë politik.