PDSH i kërkon Kuvendit të njohë Kosovën

Shkupi

Partia Demokratike Shqiptare dorëzoi në Kuvendin e Maqedonisë Rezolutën për njohjen e shtetit të Kosovës. Sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Imer Aliu, ftoi edhe BDI-në që të mbështesë rezolutën e propozuar. Por, BDI-ja tha se njohja e Kosovës do të ndodhë së shpejti, ndërsa kërkoi nga PDSH-ja që të mos shantazhojë procesin politik me njohjen e Kosovës.
Partia Demokratike Shqiptare e opozitës i dorëzoi kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë, Trajko Velnaovski, rezolutën për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Maqedonisë dhe presin që shumë shpejt ajo të vendoset në rend për miratim nga deputetët.

Në emër të grupit parlamentar të PDSH-së, dorëzuesi i rezolutës, Imer Aliu, tha se nëse rezoluta do të jetë në rend dite, kjo parti do të kthehet në punën e Kuvendit, por vendimin përfundimtar do ta marrë lideri i partisë, Menduh Thaçi.

"Ne vlerësojmë dhe mendojmë se kryetari i Parlamentit do ta shohë të arsyeshme që kjo pikë e rendit të ditës të vendoset shumë shpejt në rend dite dhe të shohim debate interesante të deputetëve të PDSH-së në Parlamentin e Maqedonisë", tha Aliu.

Aliu ftoi deputetët e BDI-së që të përkrahin këtë rezolutë, meqë është në interes të shqiptarëve të Maqedonisë, ashtu siç kishin përkrahur dy deputetët e kësaj partie edhe rezolutën për të drejtat e maqedonasve të Egjeut.

"Ne u ofrojmë atyre që ta nënshkruajnë iniciativën tonë, rezolutën për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Mendoj se do të bënin mirë ta përkrahnin këtë rezolutë, pasi që ka të bëjë me një interes mjaft të madh të shqiptarëve të Maqedonisë - ai është njohja sa më e shpejtë e pavarësisë së Kosovës".

"Pasi dolëm me këto nisma, BDI-ja tha se pse PDSH-ja nuk e ka bërë një gjë të tillë kur ka qenë në pushtet. Ata dhe opinionin i përkujtojmë se njëra nga kërkesat e PDSH-së kur lëshuam Qeverinë e Gruevskit ka qenë pikërisht njohja e shpejtë e pavarësisë së Kosovës", theksoi Aliu.

Nga ana tjetër, BDI-ja vlerëson se njohja e Kosoves nga Shkupi zyrtar do të ndodhë së shpejti.

"Sa i përket procesit të njohjes së Kosovës nga Qeveria e Maqedonisë, ai është në rrjedhë e sipër. Faza e demarkacionit të kufirit ka hyrë në momentet përfundimtare. PDSH-ja, mirë është të punojë në konsolidimin e saj të brendshëm dhe t'i zgjidhë konfliktet e brendshme që ka, e të mos opstruojë procesin politik duke shantazhuar me pavarësinë e Kosovës, për shkak se kishte rast që të bëjë njohjen e Kosovës derisa ishte në pushtet nga 17 shkurti deri më 1 qershor 2008",
tha Ermira Mehmeti, deputete e BDI-së.

Pa marrë parasysh a do të përkrahet apo jo rezoluta e PDSH-së për njohjen e Kosovës nga deputetët, sipas Kushtetutës së Maqedonisë, Qeveria është ajo e cila vendos për njohjen e pavarësisë së shtetit të Kosovës.