A çan kokën Rusia se çka mendon Perëndimi?

  • Claire Bigg

Vladimir Putin dhe Dmitry Medvedev

Kremlini ka kaluar vite të tëra për ta paraqitur veten në Perëndim si një partner i barabartë në organizatat kryesore botërore. Por, aksionet e fundit, si lufta në Gjeorgji dhe njohja e dy rajoneve separatiste të saj, kanë nxitur kritika të papara nga jashtë dhe i kanë rrezikuar lidhjet e saj me Perëndimin. A po bëhet Rusia indiferente ndaj opinionit botëror?
Vendimet e Moskës për t'i njohur rajonet separatiste të Gjeorgjisë, presidenti amerikan George Bush i quajti "vendime të papërgjegjshme"; kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se ato janë "krejtësisht të papranueshme", ndërsa ministri i Jashtëm francez, Bernard Kouchner, e ngriti çështjen e kërcënimit me sanksione. Shefi i diplomacisë suedeze, Carl Bildt, tha se hapi lë shijen e Gjermanisë Naziste.

Thënë shkurt, vendimi i Rusisë për të njohur Osetinë e Jugut dhe Abkhazinë, shkaktoi ortek kritikash nga vendet perëndimore, ndërsa marrëdhëniet e Moskës me Perëndimin ranë në nivelin e Luftës së Ftohtë.

Por, shtrohet një pyetje që secilit i shkon ndër mend: a çan kokën Moska?

Fyodor Lukyanov, botues i revistës "Rusia në Çështjet Globale" që del në Moskë, i tha Radios Evropa e Lirë se për Moskën ngjarjet shënojnë shmangie në politikën e jashtme.

"Rusia përfundimisht është e shqetësuar, por më pak se në të kaluarën. Mendoj se Rusia ka ardhur në konkludimin se është e kotë të përpiqesh të luash sipas rregullave të përcaktuara nga Perëndimi, sepse atëherë do të humbte. Rusia po ndjen se Perëndimi nuk është i gatshëm apo i interesuar që ta njohë atë si një partner të barabartë. Kështu që, Rusia ndoqi një skenar tjetër, në të cilin vepron ashtu si i përshtatet", thotë Lukyanov.

Gjatë kohës së presidentit Vladimir Putin, Rusia me të madhe përpiqej ta rritë profilin e saj ndërkombëtar. Vendi aktivisht kërkonte të anëtarësohet në Organizatën Botërore të Tregtisë, kryesoi grupin e vendeve më të industrializuara të G8-ës dhe bëri lobim të suksesshëm për organizimin e Lojërave Olimpike në Sochi në vitin 2014.

Rusia gjithashtu është anëtare e disa trupave perëndimorë, si Këshilli i Evropës apo OSBE-ja, dhe ka marrëdhënie formale me NATO-n. Por, duke i njohur rajonet separatiste të Gjeorgjisë, Moska i dëmtoi rëndë marrëdhëniet e saj me Perëndimin.

Bill Bowring ligjëron të drejtën ndërkombëtare në Kolegjin Birkbeck në Londër dhe u ndihmon qytetarëve rusë që ta nxjerrin vendin e tyre para Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, institucion që mbikëqyret nga Këshilli i Evropës.

"Rusia tash efektivisht e ka përjashtuar veten nga NATO-ja dhe partneriteti me të. Mund të imagjinoj si ndjehet Sarkozy, i cili negocioi marrëveshjen paqësore, të cilën rusët nuk e përfillën. Por, sa i përket Këshillit të Evropës, mendoj se ai nuk e ka idenë si të përgjigjet, ndonëse mund të ketë kërkesa për përjashtimin e Rusisë", deklaroi Bowring për Radion Evropa e Lirë.

Motivet e Moskës për të hyrë në konfrontim ushtarak me Gjeorgjinë janë shumë më komplekse sesa pohojnë zyrtarët rusë, sipas të cilëve qëllimi ishte dëshira humanitare për të shpëtuar civilët oseto-jugorë nga agresioni gjeorgjian.

Olga Krishtanovskaya, nga Instituti për Sociologji në Akademinë e Shkencave të Rusisë, i tha Radios Evropa e Lirë se ambicja e Rusisë është të krijohet një botë dypolare, në të cilën ajo do të vepronte si kundërpeshë globale ndaj Shteteve të Bashkuara.

"Udhëheqësi kryesor i botës, Amerika, është në pozitë disavantazhi për shkak të krizës aktuale ekonomike dhe zgjedhjeve të ardhshme presidenciale. Nga ana tjetër, Rusia është në ngjitje: ka rritje ekonomike dhe çmimet e naftës janë të larta. Rrethanat globale janë të tilla sa i lejojnë Rusisë që të shpresojë se mund të trajtohet si në të kaluarën, si udhëheqës i botës së dytë",
thotë Krishtanovskaya.

Ajo beson se ambicjet e Rusisë janë që të themelojë një "mini Bashkim Sovjetik" me Bjellorusinë, Osetinë e Jugut, Abkhazinë dhe ndoshta Transnistrinë.

Ky union, thotë Krishtanovskaya, mund të jetë i hapur për të gjitha vendet që kundërshtojnë Shtetet e Bashkuara, përfshirë Iranin dhe Venecuelën.