Petersen: Rusia dobësoi pozicionin e Serbisë

Alexandros Petersen

"Në kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës, ajo s'është udhëhequr me interesat e Beogradit dhe me pasojat juridike ndërkombëtare të atij akti, por qëllimi ishte shfrytëzimi i kësaj çështjeje për forcimin e ndikimit të Rusisë në Evropë", thotë Alexandros Petersen.
Alexandros Petersen, analist në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare me seli në Uashington.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e vlerësoni njohjen e Osetisë Jugore dhe të Abkhazisë nga ana e Rusisë?

ALEXANDROS PETERSEN

Së pari do të theksoj se është befasuese shpejtësia me të cilën Medvedev e mori vendimin për njohjen e këtyre dy rajoneve, vetëm një ditë pas rezolutës së Parlamentit të Rusisë.

Në të vërtetë, ligjvënësit rusë me vite kanë kërkuar njohjen e Abkhazisë dhe Osetisë Jugore, por Kremlini e refuzonte këtë. Sa u përket pasojave, ato mund t'i ndjejë edhe vetë Rusia në territorin e saj, para së gjithash në Kaukazin Verior.

Në Çeçeni, në Ingusheti, në Dagestan vazhdimisht janë aktive lëvizjet që kërkojnë autonomi dhe madje edhe pavarësi, pa marrë parasysh në aksionet e armatës ruse.

Për këtë arsye, Kremlini në të kaluarën është përmbajtur ndaj kërkesave për pranimin e Osetisë Jugore dhe Abkhazisë. Tash krijohet precedenti edhe për rajonet në territorin e Rusisë.

Vendimi i Moskës mund të shpjegohet edhe si një lloj hakmarrjeje për shkak të pavarësisë së Kosovës. Pra, veprimi i Rusisë nuk është aq shumë i drejtuar kundër Gjeorgjisë, por në kuptimin më të gjerë ndaj Perëndimit.

RADIO EVROPA E LIRË
Megjithatë, cili është motivi real i Rusisë që vendosi ta pranojë pavarësinë e Osetisë Jugore dhe të Abkhazisë?

ALEXANDROS PETERSEN
Posa e thashë se lëvizja e Rusisë nuk është aq shumë e drejtuar kundër Gjeorgjisë, sa është kundër Perëndimit.

Moska po përpiqet të vëjë në pikëpyetje, sipas pikëpamjes së saj, sistemin jo të drejtë ndërkombëtar dhe aranzhimet e krijuara pas përfundimit të Luftës së Ftohtë.

Në këtë kuptim, ajo e ndryshon strategjinë e saj rajonale në këtë kuadër global.

Me njohjen e rajoneve separatiste në Gjeorgji, Rusia jo vetëm që në mënyrë radikale e ndryshon strategjinë e saj në Kaukaz, por, para së gjithash, dëshiron ta provokojë NATO-n, Bashkimin Evropian dhe institucionet tjera ndërkombëtare dhe aranzhimet që ishin bërë pas përfundimit të Luftës së Ftohtë.

RADIO EVROPA E LIRË

A mund Rusia ta realizojë qëllimin apo rezikon të mbetet e izoluar?

ALEXANDROS PETERSEN
Gjithsesi se ekziston rrezik i madh që të jetë e izoluar. Por, është interesant se shumë lëvizje, që do të mund të çonin kah izolimi i Rusisë, pas intervenimit në Gjeorgji, në të vërtetë po i ndërmerr vetë Rusia.

Ajo ka paralajmëruar uljen e nivelit, e madje edhe ndërprerjen e marrëdhënieve me NATO-n.

Vladimir Putin ka thënë se Rusisë nuk i duhen disa marrëveshje, që kanë të bëjnë me anëtarësim të saj në Organizatën Botërore të Tregtisë. Pra, Kremlini, në një mënyrë, ka paraparë se çka do të mund të ishte një lloj i dënimit nga ana e Perëndimit, pas intervenimit në Gjeorgji.

Pra, kemi të bëjmë me një vetë-izolim të Moskës dhe me analizat e të mirave e të këqiave të një orientimi të tillë.

Kjo do të thotë se izolimi i Rusisë nga disa institucione ndërkombëtare është çmimi që duhet të paguhet nëse ajo dëshiron që të jetë faktor i respektuar në sferën e saj të ndikimit në Evroazi. Moska është e gatshme ta paguajë këtë çmim.

RADIO EVROPA E LIRË
Perëndimi i ka dënuar ashpër veprimet e Rusisë. A do të thotë kjo se tensionet ndërmjet Moskës e Perëndimit do të shtohen? Disa flasin edhe për rrezikun e Luftës së Ftohtë të re.

ALEXANDROS PETERSEN
Shumë shpesh po përdoret shprehja Luftë e Ftohtë e re. Nuk jam i sigurt se a është kjo e vërtetë në këtë moment, pasi kjo do të thoshte se Perëndimi po e përdor strategjinë e mbajtjes së Rusisë sikur në kohën e Luftës së Ftohtë të mëparshme.

Në të vërtetë, Perëndimi është shumë i interesuar me dialog me Moskën për çështjet siç janë zgjerimi i NATO-s, siguria e Gjeorgjisë, siguria energjetike në Detin Kaspik.

Ka shumë çështje për të cilat NATO-ja dhe Rusia kanë interesa të përbashkëta, siç janë Afganistani dhe Evroazia.

Kuptohet, Perëndimi mund t'i ashpërsojë raportet me Rusinë, duke e vënë në pikëpyetje anëtarësinë e Rusisë në G-8, pastaj, siç u përmend, në Organizatën Botërore të Tregtisë, më tutje duke e ndërprerë bashkëpunimin në Stacionin ndërkombëtar të Gjithësisë, me ftesë për bojkotin e Lojërave Olimpike Dimërore në Soçi, në vitin 2014, e të tjera.

Të gjitha këto mund ta trondisin prestigjin e Rusisë si fuqi e madhe.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke e njohur Abkhazinë dhe Osetinë Jugore, a e ka dobësuar Rusia pozicionin e Serbisë dhe përpjekjet e saj për vënien para Gjyqit Ndërkombëtar të Drejtësisë legalitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës?

ALEXANDROS PETERSEN
Gjithsesi se Rusia e ka dobësuar pozicionin e Serbisë. Në kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës, ajo, kuptohet, nuk është udhëhequr me interesat e Beogradit dhe me pasojat juridike ndërkombëtare të atij akti, por, para së gjithash, qëllimi ishte shfrytëzimi i kësaj çështjeje për forcimin e ndikimit të Rusisë në Evropë.

Në të vërtetë, ajo ishte mjaft e margjinalizuar në Evropë, por i ka shfrytëzuar luftërat në Ballkan për ta forcuar pozitën e vet në këtë pjesë.

Pra, këtu nuk kemi të bëjmë me parime, pavarësisht se a bëhet fjalë për Kosovën apo për Kaukazin, por për interesat e Rusisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Shtrohet pyetja konkrete se a do të ndikojë veprimi i Rusisë në Gjyqin Ndërkombëtar të Drejtësisë, që ta refuzojë kërkesën e Serbisë apo që vendet, të cilat deri tash nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, këtë ta bëjnë tash?

ALEXANDROS PETERSEN
Janë të mundshme të dyja opsionet. Në të vërtetë, Bashkimi Evropian në një mënyrë është i ndarë në vendet që janë mjaft të përmbajtura ndaj Rusisë, ndërsa disa të tjera që janë në favor të saj.

Ata gjithsesi do të shfaqin dallime në interpretimin e zhvillimeve në Abkhazi dhe në Osetinë Jugore.

Njëherësh, shumica prej tyre e ka njohur Kosovën, ndërsa të tjerat edhe më tutje do të jenë kundër, duke e mbështetur pozicionin e Serbisë.

Por, njohja e Rusisë për rajonet në Gjeorgji nuk do të mbështetet në Kombet e Bashkuara. Sa i përket Serbisë, sinqerisht, edhe para ngjarjeve të fundit, ajo nuk do të fitonte mbështetje të madhe në Organizatën Botërore.

Tash nuk duhet të pritet që këtë mbështetje ta fitojë edhe nga aleati i saj i madh, Rusia. Pra, vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara tash do të jenë të përmbajtura në mbështetjen e nismës së Serbisë që Gjyqi Ndërkombëtar i Drejtësisë të deklarohet për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Njëherësh, vëmendja e drejtuar kah Serbia, para njohjes së Abkhazisë dhe Osetisë Jugore nga ana e Rusisë, tash do të jetë e zvogëluar për shkak të çështjeve globale dhe gjeopolitike, që do të shqyrtohen në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e të cilat dolën në plan të parë për shkak të lëvizjeve të fundit të Moskës.