Obama pranon zyrtarisht nominimin për president

Barack Obama pranoi zyrtarisht nominimin për president nga Partia Demokratike në një fjalim drejtuar më shumë se 80 mijë njerëzve.

Obama u tha përkrahësve në një stadium në Denver të Colorado-s, se ai do të ndihmojë klasën e mesme, do të ndihmojë vendin në forcimin e sigurisë kombëtare. Ai tha se fitorja e John McCain-it nënkupton mandat të tretë për George Bushin.

"Sot, i them popullit amerikan, demokratëve, republikanëve e të pavarurëve gjithandej këtij vendi të madh, 'mjaft'. Ky moment, këto zgjedhje janë shansi ynë që në shekullin 21 ta mbajmë gjallë premtimin amerikan", tha Obama.

Ai po ashtu nënvizoi politikat që do t'i ndjekë: kujdes shëndetësor të përballueshëm për të gjithë, taksa më të ulta për klasën e mesme dhe një fund të varësisë së Amerikës për naftën e Lindjes së Mesme.

Në politikën e jashtme, Obama u zotua për përfundimin e luftës kundër Al Qaidës dhe për një diplomaci më të ashpër për të penguar Iranin në krijimin e armëve bërthamore.