Humbjet nga ekonomia joformale

Hulumtimet e Komisionit Evropian në Kosovë tregojnë se zhvillimi i ekonomsë joformale në Kosovë dëmton buxhetin e Kosovës për rreth 700 milionë euro në vit. Për të vepruar kundër kësaj dukurie negative, Qeveria e Kosoves ka hartuar një plan qeveritar .
Qeveria e Kosovës ka hartuar programin qeveritar për parandalimin e ekonomisë joformale në Kosovë. Në publikimin e planit të veprimit për zbatimin e këtij programi, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, garantoi se ekzekutivi kosovar do të bëjë gjithçka për të zbatuar strategjinë kundër ekonomisë joformale, korrupsionit, si dhe të gjitha dukurive negative që dëmtojnë ekonomikisht vendin.

"Tani jemi në fazën e fillimit të zbatimit të këtij programi. Kam kërkuar që ky program të zbatohet në tërësi dhe të ketë një plan të detajiuar të veprimit. Ministritë dhe autoritetet përkatëse duhet të jenë përgjegjëse për zbatimin e këtij programi dhe të japin llogari për të gjitha hapat e ndërmarrë", ka thënë Thaçi.

Shefi i zyrës ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë, Renzo Daviddi, tha se ekonomia joformale në bazë të vlerësimeve të mekanizmit që ai udhëheq, dëmton buxhetin e Kosovës për 30% në vit. Kjo, sipas tij, ndikon negativisht jo vetëm në ekonominë e vendit, por edhe në funksionimin e institucioneve të saj.

"Ne e dimë se ekonomia joformale në Kosovë është shumë e lartë. Sipas vlerësimeve të projektit, ajo kap shumën prej diku 30% të GDP-së së Kosovës, ose 700 milionë euro në vit. Kjo nuk është pak për buxhetin e Kosovës. Një ekonomi joformale e këtij niveli nuk dëmton vetëm ekonominë e Kosovës, por edhe institucionet e saj", u shpreh Daviddi.

Sipas tij, lufta kundër ekonomisë joformale është pjesë e obligimeve që duhet të kryejë Kosova për t'ia hapur vetës rrugët drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

"Lufta kundër ekonomisë joformale, shpërlarjes së parave dhe korrupsionit, është pjesë e çelësit si dhe obligim i Kosovës përgjatë rrugës së saj drejt Evropës", tha ai.

Ndërkohë, kreu i ekzekutivit kosovar, Thaçi, u kërkoi organeve të drejtësisë të zgjohen nga, siç e quajti ai, amullia, për të luftuar dukuritë negative në sferën ekonomike me anë të sundimit të ligjit.

"Kërkohet nga organet e drejtësisë, respektivisht të ndjekjes, që të mobilizohen dhe të zgjohen nga kjo amulli dhe të kryejnë punën e tyre në mënyrë efikase në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me ligjet në fuqi dhe në përputhje me interesat e qytetarëve të Kosovës", tha Thaçi.

Qeveria e Kosovës kishte aprovuar planin e veprimit kundër ekonomisë joformale, të hartuar nga një grup i veçantë punues, në mbledhjen e qeverisë më datën 19 gusht të këtij viti. Grupi punuës për këtë plan përfshin ndër të tjera Ministrinë e Drejtësisë, Minitrinë e Punëve të Brendshme, atë të Ekonomisë dhe Financave, Shërbimin Doganor të UNMIK-ut, Zyrën e prokurorit publik të Kosovës dhe të tjera.