WSJ:“Vladimir Bonaparta”

"Wall Street Journal Europe"

Sa më tepër që depërtojnë tanket ruse në Gjeorgji, aq më shumë bota po fillon të shohë realitetin e ambicieve Napoleoniane të Putinit.

Në konsolidimin e tranzicionit autoritar si kryeministër, Vladimir Putin tani po përpiqet të shtrijë ndikimin në Euro-azi. Ukraina është në horizontin e tij, e madje edhe shtetet Baltike mund të jenë të rrezikuara nëse ai lejohet të vazhdojë përpara. Perëndimi duhet të vendosë vijën në Gjeorgji.

Pavarësisht se kush qëlloi i pari javën e kaluar në rajonin që kërkon shkëputje të Osetisë Jugore, Moska po përdor çështjen separatiste si arsyetim për të shkatërruar ushtrinë e Gjeorgjisë dhe mundësisht për të rrëzuar qeverinë demokratike në Tbilisi.

Forcat ruse kanë depërtuar thellë në territorin gjeorgjian. Ato kanë hapur frontin e ri në perëndim, nga krahina tjetër separatiste, Abkazia, dhe kanë marrë qytetin e Gorit. Këto lëvizje e ndajnë vendin në dysh dhe izolojnë portet e tij, shumicën prej të cilëve tani Rusia i ka bombarduar apo bllokuar.

Rusia gjithashtu ka qëlluar mbi zonat e banuara dhe ato industriale. Deklarimet ruse për pastrim etnik nga Gjeorgjia tani duken si propagandë e përgatitur mirë, që synon të justifikojë invazionin. Mijëra ushtarë dhe qindra tanke, anije dhe aeroplanë ushtarakë presin komandën e Putinit.

Derisa dhunimi i Çeçenisë ishte brutal, Gjeorgjia paraqet aktin më të pacipë të sundimit të Putinit, ofensivën e parë ushtarake jashtë kufijve të Rusisë që nga përfundimi i erës sovjetike.

Invazioni në Gjeorgji është edhe shuplakë direkte ndaj NATO-s. Tbilisi ashtu si Kievi kanë shtyrë përpara procesin e anëtarësimit në NATO. Putin vendosi që të veprojë derisa disa vende të NATO-s, të kryesuara nga Gjermania, mëdyshen rreth anëtarësimit të tyre. Gjeorgjia ishte e para. Ukraina mund të jetë në radhë.

Aleanca duhet të përgjigjet dhe mund të fillojë që sot. Zyrtarët e NATO-s i kanë ofruar Rusisë takim para vendimit rreth reagimit për Gjeorgjinë.

Takimi është mundësi për t'i thënë Moskës se anëtarësimi i Gjeorgjisë dhe i Ukrainës kthehet në tavolinë dhe se Aleanca po shqyrton të gjitha opsionet për Gjeorgjinë, që nga ndihma humanitare e deri tek ajo ushtarake, në rast se Rusia nuk tërhiqet menjëherë.

Vladimir Putin mendon se Perëndimi ka nevojë për të më shumë sesa ai për Perëndimin, shkaku i naftës dhe ambicieve bërthamore të Iranit. Ai gabon, sepse Rusia ka po aq nevojë për ekspertizat e kryeqyteteve perëndimore në zhvillimin e fushave të naftës dhe gazit, po aq sa ka nevojë perëndimi për sasitë e energjisë ruse.

Shtetet e Bashkuara dhe Evropa duhet t'i bëjnë të qarta të gjitha këto.

Për Shtetet e Bashkuara ndoshta kjo është mundësia e fundit për presidentin Bush që të lë pas vetes çfarëdo trashëgimie në raport me Rusinë. Tani do të ishte momenti i mirë për presidentin Bush që të pranojë publikisht gjykimet e gabuara dhe të përmbledhë përgjigjen e perëndimorëve.

Ekziston një mënyrë që Shtetet e Bashkuara mund të godasin Rusinë aty ku i dhemb e kjo është: forcimi i dollarit. Dobësia e monedhës ka kontribuar në çmimet rekord të naftës, që kanë ushqyer ambiciet ekspansioniste të Putinit.

Rusia e Vladimir Putinit nuk është ish-Bashkimi Sovjetik, i lidhur me konfrontimet ideologjike rreth globit. Por, është pushteti Bonapartian që synon të dominojë fqinjët dhe të rivendosë ndikimin në skenën ndërkombëtare.

Derisa rusët të mos e shohin se ka çmim për ekspansionizmin Napoleonian, Gjeorgjia duket se nuk do të jetë ndalesa e fundit.