Presidenti Bush dënoi aksionin rus në Gjeorgji

Presidenti amerikan, George Bush, ka dënuar aksionin ushtarak të Rusisë në Gjeorgji, duke thënë se dhuna është e papranueshme dhe se përgjigjja ruse ishte "joproporcionale". Në një intervsitë për televizionin amerikan, ai mëtutje ftoi për ndërmjetësim ndërkombëtar për zgjidhjen e mospajtimeve lidhur me rajonin separatist, Osetia Jugore, në Gjeorgji.

Presidenti Bush, poashtu, kërkoi që trupat e të gjitha palëve të kthehen atje ku ishin para se të shpërthenin armiqësitë më 6 të këtij muaji.

Njëherësh, zëvendës presidenti amerikan, Dik Cheney, vlerësoi se "agresioni" ushtarak i Rusisë në Gjeorgji, "nuk duhet të kaloj pa përgjigjje".

Këto komente u bënë nëpërmjet të një kumtese nga zyra e zotit Cheney, pasi ai kishte biseduar me telefon me presidentin e Gjeorgjisë, Mikhael Saakashvili.

Me këtë rast, zëvendës presidenti amerikan, shprehu solidaritetin e Shteteve të Bashkuara me popullin e Gjeorgjisë dhe me qeverinë e tyre të zgjedhur në mënyrë demokratike, në ballafaqim me atë, që ai e përshkruajti si "kërcënim për sovranitetin dhe integritetin territorial të Gjeorgjisë".