FMN: Aplikimi i Kosovës do shqyrtohet "në një kohë të duhur"

Ndërtesa e Fondit Monetar Ndërkombëtar

Fondi Monetar Ndërkombëtar sot njoftoi se aplikimin e Kosovës për anëtarësim do ta shqyrtojë "në një kohë të duhur", efektivisht duke e pranuar atë si shtet të ri të pavarur.
Agjencia e lajmeve më tutje raporton se Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në muajin shkurt të këtij viti dhe këtë pavarësi deri tash e kanë njohur 43 shtete perëndimore.

Por, pavarësia e Kosovës kundërshtohet nga Serbia dhe aleati i saj, Rusia.

Fondi Monetar Ndërkombëtar tha se aplikimi i Kosovës për anëtarësim do të shqyrtohet nga Bordi Ekzekutiv i tij, i cili pastaj bën rekomandimin për anëtarësim te Bordi i Guvernatorëve.

FMN-ja njoftoi se kërkesa për pranim nga Kosova ishte pranuar më 10 të këtij muaji.

"Në kontekst të këtij aplikimi, ishte vendosur se Kosova është ndarë nga Serbia si shtet i ri i pavarur dhe se Serbia është shtet në vazhdim", thuhet në kumtesën e Fondit Monetar Ndërkombëtar, duke shpjeguar se rrjedhimisht, "Serbia vazhdon anëtarësimin e saj në Fondin Monetar Ndërkombëtar".