“OKB dhe BE të pengojnë ndarjen e Kosovës”

Të përditshmet kosovare

INFOPRESS
Situata e krijuar në Kosovë në këtë periudhë kalimtare transformimi kompetencash si dhe përpjekjet e Beogradit për të siguruar një ndarje de facto të Kosovës, ka ngjallur shqetësim tek mbështetësit perëndimorë të shtetit të ri. Ish-shefi i UNMIK-ut në Kosovë, Soren Jesen Petersen, dhe eksperti i Institutit Amerikan të Paqes, Daniel Server, thonë se rruga për ta shmangur këtë skenar është presioni ndaj Serbisë. Të dy ekspertët në prononcimet e tyre për Zërin e Amerikës thonë se gjendja e krijuar është kaotike në kushtet e paqartësisë së kompetencave ndërkombëtare dhe ndikimit që Beogradi vazhdon të ketë tek serbët e veriut të Kosovës. Server thotë se duhet bërë e qartë që Kosova është e pavarur dhe e gjitha nën qeverisjen e Prishtinës, por ai shpreh shqetësimin se nuk ka pasur hapa energjikë për këtë çështje. "Nga ana tjetër unë e kuptoj që nëse ndërhyn me energji dhe dështon, gjendja keqësohet më shumë dhe bëhet kaos. Kështu që ka nevojë për ndihmën e Bashkimit Evropian dhe disi edhe të Kombeve të Bashkuara për të vendosur autoritetin e Prishtinës në ato zona, por objektivi duhet të jetë që të mos lejohet ndarja", ka thënë ai për të shtuar se të dyja organizatat duhet të kenë një plan për ta frenuar një gjë të tillë...

KOHA DITORE
Pavarësisht se administrata e UNMIK-ut po përsërit se të zgjedhurit serbë në Kosovë nga zgjedhjet e 11 majit nuk janë legjitimë, pikërisht zyrtarë të kësaj administrate po bëjnë veprime që do t'i legjitimonin ata në mënyrë të heshtur, duke u bërë "ofertë" zyrtarëve komunalë shqiptarë të Komunës së Leposaviqit që të takohen me përfaqësues të strukturave paralele serbe. "Ofertën" për bashkëpunim në mes të dy palëve, vetëm një javë pas fuqizimit të Kushtetutës së Kosovës, e ka paraqitur administratori ndërkombëtar i Komunës së Leposaviqit, Monoutchehr Marzbanian. Ky i fundit i ka kërkuar përfaqësuesit të Zyrës për Komunitete në Komunën e Leposaviqit, Haki Imeri, që të takohet me kryetarin e sapozgjedhur serb të kësaj komune, Vladimir Ratkoviq. Këtë e ka konfirmuar për "Kohën Ditore" Imeri, i cili ka shpjeguar se "oferta" për bashkëpunim me prijësit e strukturave paralele serbe është bërë nga administratori Marzbanian gjatë një takimi, në të cilin është diskutuar për shfrytëzimin e përbashkët të buxhetit komunal...

EPOKA E RE
Ambasadori i Francës në Beograd, Zhan Fransoa Teral, ka thënë se nuk beson që njohja e pavarësisë së Kosovës do të jetë kusht, i cili do t'i parashtrohet Serbisë në procesin e integrimeve evropiane, por që është çështje kryesore përmbushja e kushteve, siç janë zhvillimi i demokracisë, sundimi i ligjit dhe tregu i lirë. "Këtu përfshihet edhe bashkëpunimi i plotë me Tribunalin e Hagës dhe në këtë plan presim shumë nga qeveria e ardhshme e Serbisë", ka thënë ambasadori Teral për mediat serbe, por ka theksuar se Beogradi duhet ta pranojë realitetin, përkatësisht angazhimin e EULEX-it në Kosovë. Sa i përket Kosovës, ambasadori Teral ka thënë se duhet të zgjidhen problemet konkrete, siç është çështja e kufijve, policia, gjyqësori dhe se zgjidhja e këtyre çështjeve kërkon kohë. Ai ka bërë të ditur se Serbia një ditë do ta zë vendin e vet në BE, por kur është fjala për Kosovën, ai ka theksuar se "për ne është problem se si t'i mbrojmë interesat legjitime, historike të Serbisë në Kosovë, kurse çështja e statusit të Kosovës për ne ka përfunduar"...

ZËRI
Komisioni i Evropës theksoi dje se mbështet autoritetin e OKB-së në Kosovë, duke arritur njëkohësisht pajtimin se hapi i serbëve për të formuar "asamblenë" e tyre në Kosovë nuk ka as bazë ligjore, e as efekt. Serbët e Kosovës formuan të shtunën "asamblenë" e tyre, duke kundërshtuar kështu si OKB-në, ashtu edhe shumicën shqiptare të Kosovës, e cila shpalli në shkurt pavarësinë nga Serbia. Kjo "asamble" ka pagëzuar veten me emrin "Asambleja e Bashkimit të Komunave të Krahinës Autonome të Kosovës" dhe ka hartuar atë që e konsideron si "mandat të vetin". "Organizimi i zgjedhjeve është çështje e UNMIK-ut", deklaroi një zëdhënës i Komisionit të Evropës, duke cituar komentet e mëhershme të Komisionarit të BE-së për Zgjerim, Oli Ren. "UNMIK-u ka cilësuar se këto zgjedhje lokale, epilogu i tyre dhe institucionet komunale serbe, të cilat kinse kanë zgjedhur përfaqësuesit e tyre, janë të gjitha pa bazë ligjore apo pa efekt në Kosovë. Komisioni mbështet qëndrimin e UNMIK-ut", tha ky zëdhënës...

LAJM
Megjithëse i konsiderojnë struktura jo legale, që cenojnë rëndë sovranitetin shtetëror të Republikës së Kosovës, bartësit e pushtetit vendorë e ndërkombëtarë nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim të vetëm për ndëshkimin dhe parandalimin konkret të krijimit të strukturave paralele serbe. Rendi juridik dhe politik në pjesën veriore të Kosovës po cenohet çdo ditë e më shumë nga grupe ekstremistësh serbë, të nxitur drejtpërdrejt nga Qeveria e Serbisë, që po vazhdon të shtrijë rrjetën e institucioneve të veta atje. Mjeti i vetëm i institucioneve legale të Kosovës, për të penguar këto akte antikushtetuese, ende mbeten deklaratat për media. Zëvendëskryeministri Ramë Manaj thotë se Qeveria do të vazhdojë angazhimet e saj konkrete në pamundësimin e ekzistencës së strukturave paralele serbe në veri, nëpërmjet shtrirjes së autoritetit të institucioneve legjitime të Kosovës. Sipas tij, përpjekjet e vazhdueshme të Qeverisë së Kosovës për integrimin e qytetarëve serbë në rendin shoqëror dhe juridik, do të rezultojnë me zbehjen dhe zhdukjen e të gjitha strukturave paralele serbe...

EXPRESS
Kur para dy javësh lidershipit kosovar iu kishte vënë në tavolinë një draftrregullore nga UNMlK-u që tentonte të ngriste komunat e reja me shumicë serbe me një numër modifikimesh për Mitrovicën, prefekti i qytetit të tensionuar ishte zënë në habi. Ai s'ishte fare i njoftuar, me siguri sepse gjendej në një udhëtim në Holandë. Në një zhvillim tjetër, këtë të shtunë, kur u inaugurua Kuvendi paralel serb në veri, Bajram Rexhepi gjendej sërish jashtë; në Budvë lë Malit të Zi, në një konferencë rajonale. Shefi i tij dhe autoriteti më i fuqishëm në vend sipas Kushtetutës së re, kryeministri Hashim Thaçi, gjendej që prej mesit të javës së kaluar në Evropë, në Bruksel dhe më pas Monako. Një numër diplomatësh kanë minimizuar rëndësinë e zhvillimeve në veri duke i quajtur ato si lëvizje simbolike. Mes reaguesve ka qenë edhe komisionari evropian për Zgjerim, Oli Rehn. Por, lideri Hashim Thaçi nuk ka përzgjedhur të flasë as simbolikisht për zhvillimet në veri të vendit... Ata janë zgjedhur më 17 nëntor pikërisht për të folur në emër të kosovareve dhe për t'i udhëhequr ata. A është kjo strategjia që duhet të aplikojnë?...

BOTA SOT
Ministria e Jashtme e Rusisë ka shprehur shqetësim serioz lidhur me deklaratën e shefit të UNMIK-ut, Lamberto Zannieri, se udhëheqja e Kombeve të Bashkuara i ka dhenë dritën e gjelbër rikonfigurimit të misionit të OKB-së në Kosovë. "Nëse një urdhëresë e tillë ka ardhur, kjo do të thotë se udhëheqja e sekretariatit të OKB-së i ka shkelur kompetencat e saj, duke marrë një vendim që është përgjegjësi e Këshillit të Sigurimit", thuhet në komunikatën e Ministrisë së Jashtme të Rusisë. Krerët e BE-së dhe ata të Rusisë në takimin që zhvilluan në Siberi janë marrë vesh për përforcimin e marrëdhënieve dypalëshe. Por, në këtë takim ata nuk arritën të merren vesh për pavarësinë e shtetit më të ri të botës, pra të Republikës së Kosovës...

KOSOVA SOT
Zyrtarë të institucioneve të Kosovës, gjatë muajit të ardhshëm, do të pajisen me pasaporta diplomatike, për të cilat thonë se do të jenë një ndihmesë e madhe për sa i përket procedurës së udhëtimeve zyrtare. Tashmë pritet që kjo çështje të formalizohet me një udhëzim administrativ, të cilin janë duke e shqyrtuar Ministria e Punëve të Brendshme me atë të Punëve të Jashtme, për të specifikuar dhe më tutje se cila kategori mund të ketë pasaportë diplomatike, në mënyrë që në të ardhmen të mos lëmë vend apo hapësirë për interpretime të ndryshme. Kohë më parë, Komisioni Evropian ka dërguar një delegacion të ekspertëve përkatës, të cilët e kanë inspektuar gjendjen, duke intervistuar të gjithë akterët relevantë që janë përfshirë në procesin e prodhimit të pasaportave, të cilët janë ndarë të impresionuar me krejt përgatitjet për prodhimin e pasaportave, përfshirë edhe pasaportat diplomatike. Midis përfituesve të pasaportave diplomatike spikasin edhe të gjithë përfaqësuesit e institucioneve më të larta, ministrat dhe deputetët, kryetari i Gjykatës Supreme, avokati i popullit, punëtorë të përfaqësive diplomatike, të cilët do të kenë privilegjet e udhëtimit lirshëm në shumë vende të ndryshme të botës, falë pasaportës diplomatike...