Judah: Kushtetuta s'mund të zbatohet në gjithë territorin

Tim Judah

"Liderët kosovarë thonë se Kushtetuta zbatohet në tërë territorin e Kosovës, por, në fakt, çdokush e di se kjo nuk është e vërtetë", thotë Tim Judah, në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë.


RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Judah, Kosova tani ka Kushtetutën e saj, por cilat janë sfidat që ju i shihni në zbatimin e saj?

TIM JUDAH
Natyrisht, sfidat janë të shumta. Dhe në këtë kuadër, sfida më e madhe do të jetë si të ndalet ndarja e Kosovës, nëse është e mundshme. Në afatin e shkurtër, kjo mbase nuk do të jetë e mundshme dhe Kushtetuta nuk do të mund të ofrojë përgjigje në këtë drejtim.

Çështja e dytë është se nuk është aspak e qartë se kujt do t'i takojë autoriteti vendimtar. Në njërën anë është Zyra Civile Ndërkombëtare, e cila thotë se është ajo e cila ka autoritetin në Kosovë, por në anën tjetër është edhe Misioni i Kombeve të Bashkuara, i cili gjithashtu pohon të njëjtën gjë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë kuadër, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara ka dërguar planet e tij për rikonfigurimin e UNMIK-ut. Si e shihni ju këtë rikonfigurim?

TIM JUDAH
Në fakt, duket se këto plane nuk tingëllojnë si plane, ashtu siç duken në shikim të parë. Njerëzit kanë folur për plane, por aty nuk ka gjë konkrete. Të marrim si shembull pozicionin e misionit evropian EULEX dhe vendosjen e misionit të drejtësisë dhe policisë së Bashkimit Evropian.

Zoti Ban në letrën që ia ka dërguar presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka thënë se synon të bisedojë me Bashkimin Evropian për një rol të sforcuar të EULEX-it në Kosovë.

Por, në letrën që ia ka dërguar presidentit të Serbisë, Boris Tadiq, ai nuk ka folur për një rol të sforcuar, por vetëm se synon të flasë me Havier Solanën për këtë gjë. Tash për tash, me sa e shoh unë, nuk ka marrëveshje për EULEX-in që të fillojë të veprojë në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Disa kanë thënë se kombinimi midis Bashkimit Evropian dhe Kombeve të Bashkuara mund të prodhojë krizë dhe lëmsh në aranzhimet institucionale. A do të pajtoheshit?

TIM JUDAH
Unë mendoj se aktualisht është lëmsh, por, megjithatë, nuk jam aq pa shpresa sa të tjerët. Në fund, unë mendoj se mund të dalë diçka konstruktive nga i gjithë ky konfuzion.

Unë mendoj se Ban Ki Moon po synon të krijojë një bilanc të ri politik forcash në Kosovë, të ngjashme me situatën aktuale, ku të gjithë liderët mund të shtirren para popullatës së tyre për gjëra të cilat nuk janë të vërteta.

Të marrim si shembull parlamentin serb në Kosovë; kjo do t'i ndihmojë liderët në Serbi që të pohojnë se Kosova nuk është e pavarur, gjë që në fakt pjesa dërrmuese e saj është e pavarur.

Në anën tjetër, liderët kosovarë do të thonë se Kushtetuta zbatohet në tërë territorin e Kosovës, por në fakt çdokush e di se as kjo nuk është e vërtetë. Kushtetua mund të zbatohet në pjesën dërrmuese të Kosovës, por jo në gjithë territorin e saj.

Prandaj, do të ketë përpjekje për të lënë hapësirë interpretimesh mbi këtë çështje, duke e vënë EULEX-in nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara, në mënyrën që ata të cilët duan, mund të thonë se Këshilli i Sigurimit ka autoritetin vendimtar mbi EULEX-in, por urdhrat do të vijnë nga Brukseli.

RADIO EVROPA E LIRË
Komuniteti serb në veri të Kosovës ka paralajmëruar formimin e parlamentit paralel. Udhëheqësit e këtij komuniteti tashmë kanë konstituuar pushtetin lokal, me gjithë kundërshtimet e autoriteteve ndërkombëtare. Çfarë do të thotë kjo për funksionimin e Kosovës si shtet i ri?

TIM JUDAH
Do të thotë se do të ketë fusha të caktuara në të cilat autoritetet në Kosovë nuk do të mund ta ushtrojnë pushtetin.

Kjo, në fakt, pak a shumë është e ngjashme me situatën që po mbretëron në veri që prej vitit 1999. Thjesht, nënkupton një konsolidim të situatës së krijuar që nga viti 1999.

RADIO EVROPA E LIRË
E përmendët më herët rrezikun e ndarjes, por a nuk mendoni se kjo mund të ndikojë edhe në rajonet tjera, se me një hap të këtillë mund të hapet ajo që njihet si Kuti e Pandorës?

TIM JUDAH
Në parim, po, keni të drejtë. Por, në fakt, deri më tash, ka qenë një situatë relativisht e qetë në pjesën tjetër të rajonit.

Megjithatë, mendoj se ende askush nuk është duke biseduar për ripërcaktimin e kufijve në kuptimin ligjor, por edhe fizik. Dhe këtu qëndron dallimi. Ende nuk kemi arritur në këtë periudhë dhe mbase nuk do të arrijmë kurrë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Judah, çështja e njohjes ndërkombëtare të Kosovës duket sikur është ngrirë. Si do ta vlerësonit ju këtë proces dhe çfarë duhet bërë në të ardhmen?

TIM JUDAH
Unë mendoj se Serbia, duke iu falënderuar në masë të madhe Rusisë, është dëshmuar më e suksesshme se që ka guxuar të shpresojë, për të bindur vendet e ndryshme që të mos e njohin Kosovën.

Natyrisht, vendet e rëndësishme, siç janë Shtetet e Bashkuara dhe 20 nga 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian, e kanë njohur tashmë, por njëkohësisht një numër vendesh gjithashtu të rëndësishme nuk e kanë bërë këtë gjë.

Prandaj, mendoj se duhet bërë më shumë nga ana e Kosovës për të bërë përpjekje që kjo situatë të ndryshojë dhe të shtojë numrin e vendeve që e njohin shtetin e Kosovës.