“Prishtina zyrtare duhet ta refuzojë planin e Ban Ki Moon-it kategorikisht dhe parimisht, sepse hap shtegun për kantonizimin e Kosovës”, thotë Albin Kurti, lider i Lëvizjes Vetëvendosje, në intervistë për Radion Evropa e Lirë.
RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kurti, nesër hyn në fuqi Kushtetuta e Kosovës. Si i vlerësoni pritjet e institucioneve se pas kësaj date ato do të pajisen me të gjitha kompetencat?
ALBIN KURTI
Institucionet e Kosovës nuk do të mund ta zbatojnë Kushtetutën në tërë territorin e Kosovës, për shkak se ato nuk i kanë mekanizmat për ta bërë një gjë të tillë dhe as që i kanë kërkuar ndonjëherë nga UNMIK-u dhe KFOR-i.
Institucionet e Kosovës nuk do të mund ta zbatojnë Kushtetutën në tërë territorin e Kosovës, për shkak se ato nuk i kanë mekanizmat për ta bërë një gjë të tillë...
Në vend se ta marrin nën kontroll SHPK-në përmes Ministrisë së Punëve të Brendshme, në vend se ta shpallin TMK-në ushtri dhe ta bëjnë ushtri përmes Shqipërisë dhe vendeve të NATO-s që na kanë pranuar, këta kanë bërë marketing me njohjet e vendeve të ndryshme të botës që ia bënin pavarësisë së Kosovës.
Prandaj, edhe më tutje veriu i Kosovës do të mbetet i ndarë nga Kosova, edhe më tutje strukturat paralele të Serbisë do të kontrollojnë rreth çerekut të territorit.
RADIO EVROPA E LIRË
Në bazë të këtyre që po thoni ju, nuk do të ketë ndonjë efekt juridik në praktikë hyrja në fuqi e Kushtetutës?
ALBIN KURTI
Mendoj se bëhet fjalë edhe për një ceremoni më shumë, bëhet fjalë edhe për disa imazhe të njëjta më shumë, bëhet fjalë për dokumente më shumë, mirëpo jo edhe për realitet të ri në terren.
Letra e fundit e Ban Ki Moon-it e sqaron këtë më së miri; madje, ai shkon edhe përtej planit të Ahtisaarit, duke provuar të ndërmjetësojë mes qëndrimit të Prishtinës për planin e Ahtisaarit dhe qëndrimit të Serbisë, e cila dëshiron që edhe më tutje Rezoluta 1244 jo vetëm të vlejë, por edhe të zbatohet me një interpretim shumë konservativ të saj.
RADIO EVROPA E LIRË
Ban Ki Moon ka thënë se plani i tij është plani më pak i dënueshëm. Çfarë mendoni se do të prodhojë plani i Ban Ki Moon-it?
ALBIN KURTI
Ban Ki Moon po provon që të fillojë një raund i ri negociatash ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, me ç’rast kryeadministratori i ri i UNMIK-ut, që ai do ta caktojë apo emërojë së shpejti, do të ishte ndërmjetësuesi i radhës.
Mendoj se letra e Ban Ki Moon-it është e tillë që ia mban anën Serbisë. Për shembull, ai shpeshherë flet që shumica e serbëve janë kundër pavarësisë - nuk ka ndonjë tregues që ka mundur ta masë konkretisht një gjë të tillë ai.
Mandej, nuk e përmend fare policin e vrarë ukrainas; thotë se më parë janë të rëndësishme paqja dhe siguria ndërkombëtare, e vetëm më pas e përmend stabilitetin në Kosovë.
Në gjuhën e tij nuk janë fare fjalët: liri, demokraci, pavarësi, zhvillim e kështu me radhë dhe shihet se brenga e tij më e madhe është se si UNMIK-u t’ia bëjë vetes vendin edhe më tutje në Kosovë, pra si ta miratojë edhe nga ana e Prishtinës, edhe e Beogradit, rikonfigurimin që po e përgatit.
Thotë se do të zbatohet edhe më tutje Rezoluta 1244, ndonëse një gjë e tillë do të jetë e limituar. Ka edhe disa gjëra të tjera që janë shumë të rrezikshme që ai i ka propozuar, siç janë për shembull hapësirat e rëndësishme me popullatë shumicë serbe, gjë që është nivel edhe më i lartë se plani i Ahtisaarit, pra edhe më shumë sesa komunat që i parashihte Ahtisaari.
Do të mund të thuhej që Ban Ki Moon me këtë letrën e tij – një letër për Tadiqin e tjetra për Sejdiun – në fakt e ka hapur shtegun për kantonizim të Kosovës.
Qëndrimi i tij kinse neutral është qëndrim neutral karshi statusit të Kosovës, e jo pavarësisë, dhe në njëfarë mënyre, ai edhe më tutje e sheh statusin e Kosovës si të pazgjidhur dhe vërehet në nuanca të theksuara se ai mban anën e Serbisë.
Për shembull, kur flet me gjuhën e kohës para shpalljes së pavarësisë, thuajse jemi edhe më tutje në vitin 2006 apo 2007, apo atëherë kur flet për shembull për mbrojtje të veçantë që duhet të kenë minoritetet në Kosovë, kur dihet që asnjë prej këtyre minoriteteve nuk është rrezikuar.
RADIO EVROPA E LIRË
Sipas jush, cila do të duhej të ishte përgjigjja e Prishtinës zyrtare ndaj kësaj letre?
ALBIN KURTI
Mendoj që gjithsesi propozimi i Ban Ki Moon-it duhet të refuzohet kategorikisht dhe parimisht. Mendoj se ka mjaft arsye për ta bërë një gjë të tillë.
Nuk duhet harruar që me Kosovën po vazhdon pazari. Prandaj, në kohën kur Serbia është shumë agresive, nëse pala kosovare është e butë siç di ajo të jetë, atëherë me siguri se në tavolinë do të merren jo vetëm propozime, por edhe vendime shumë më të këqija sesa plani i Ahtisaarit.
Pra, pas shpalljes së pavarësisë, përveç degradimit të situatës në terren, është shumë rrezik që situata të degradojë edhe më tutje në aspektin legal juridik, ani pse Kosova figuron si një vend i pavarur e sovran në dokumentet e prodhuara nga Qeveria e Kuvendi i Kosovës.
RADIO EVROPA E LIRË
Para mbajtjes së zgjedhjeve të 11 majit (zgjedhjeve serbe në Kosovë), ju patët thënë se në rast se Kosova hesht, atëherë hapet shtegu i ndarjes së Kosovës. Tani kemi një realitet ku serbët po formojnë të ashtuquajturat komuna, ndërkohë që është paralajmëruar edhe formimi i parlamentit të tyre të përkohshëm. A po hapet ky shteg?
ALBIN KURTI
Gjithsesi. Serbia po e realizon në terren planin e saj për ndarjen funksionale. Ajo nuk po e quan këtë ndarje territoriale, sepse asisoj nuk do të merrte shumë territor, praktikisht do ta kishte vetëm veriun.
Serbia po realizon ndarjen pa kurrfarë rezistence nga institucionet e Kosovës. Kjo është e keqja më e madhe që po ndodh sot në Kosovë...
Por, ndarja funksionale është e tillë që ajo dëshiron t’i ndërlidhë enklavat edhe në pjesën lindore të Kosovës, në Anamoravë, ta sajojë edhe atje një kanton, ngjashëm sikurse në veri, dhe vetëm më pas këtë ndarje funksionale ta paraqesë edhe si ndarje territoriale.
Serbia po realizon ndarjen pa kurrfarë rezistence nga institucionet e Kosovës. Unë mendoj se kjo është e keqja më e madhe që po ndodh sot në Kosovë, për shkak se pikërisht ato institucione që do të duhej t’i mbronin interesat e qytetarëve, duke ia ruajtur integritetin territorial Kosovës, në fakt po e lejojnë Serbinë që ta ndërtojë veten e saj brenda Kosovës dhe në këtë mënyrë ta na e rrënojë integritetin territorial dhe të na e copëtojë Kosovën, mbase edhe në një mënyrë të pakthyeshme.
RADIO EVROPA E LIRË
Institucionet nuk kanë shtrirjen e tyre në veri të Kosovës dhe në këto pjesë ku serbët kanë strukturat e tyre paralele. Cila mendoni se do të ishte forma që institucionet do të mund të reagonin dhe të luftonin këto struktura?
ALBIN KURTI
Shteti nënkupton edhe mekanizmat e forcës, pra ushtrinë, policinë e kështu me radhë. Këto fare nuk po përdoren nga Qeveria e Kosovës dhe as nuk po provohet që të ndërtohen ato që mungojnë.
Unë kam dhënë një propozim të thjeshtë, që ta zëmë në veriun e Kosovës, ku dihet se janë rreth 600 familje shqiptare, secilës prej këtyre familjeve t’u punësohet nga një anëtar në SHPK ose TMK dhe automatikisht do t’i kishim 600 njerëz të organizuar dhe të armatosur në veri.
Pozita sociale dhe ekonomike do të duhej t’u forcohej shqiptarëve atje, duke u krijuar mundësi për vende pune, për shkollim falas, për kujdes shëndetësor falas dhe për shembull për transport falas tri herë në ditë për në jugun e Mitrovicës dhe anasjelltas.
Mendoj që këto janë të mundshme. Janë të mundshme edhe të tjera, sikurse ta zëmë që shqiptarët që po i shesin pronat, t’ua blejë Qeveria e Kosovës, e mos të lejojë që këtë ta bëjë Qeveria e Serbisë. Dhe, mbi të gjitha, të kërkojnë që nuk vjen në shprehje kurrfarë decentralizimi pa u bërë Kosova sovrane dhe pa e integruar veriun e Kosovës.
Nuk duhet të ketë kurrfarë zbatimi të planit të Ahtisaarit në përgjithësi, në radhë të parë pa na pranuar Serbia si shtet të pavarur dhe sovran.
RADIO EVROPA E LIRË
Dhe për fund, një pyetje për vetë Lëvizjen Vetëvendosje. Duket se natyra e kësaj lëvizjeje ka ndryshuar - nga kërkesa, nga synimi për vetëvendosje, keni kaluar në kërkesën për bashkim kombëtar, një synim ky që është kundërshtuar nga komuniteti ndërkombëtar deri tani. A mendoni se është një kërkesë reale?
ALBIN KURTI
Kudo ku ka shqiptarë në Ballkan, mendoj që dominon vullneti dhe interesi për bashkim. Kjo është një gjë normale dhe e natyrshme.
Mendoj se aspiratat e Greqisë karshi Shqipërisë, në veçanti për jugun e Shqipërisë, vijnë edhe për shkak se Shqipëria nuk është bashkë me Kosovën. Në anën tjetër, Serbia është shumë agresive karshi Kosovës, pikërisht për shkak se nuk është bashkë me Shqipërinë.
Përveç lidhjeve të ndryshme historike, tradicionale, gjuhësore, kombëtare, emocionale, ekziston interesi ynë i përbashkët që të jemi bashkë
Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se e drejta për t’u bashkuar me Shqipërinë është dëshmi që Kosova është e pavarur...
Aktualisht, duke na e mohuar të drejtën që të bashkohemi me Shqipërinë, në fakt po na tregojnë se nuk jemi të pavarur ashtu siç shkruan në dokumente. Është një gjë tjetër se sa do të shfrytëzohet kjo e drejtë, mirëpo një e drejtë për t’u bashkuar me Shqipërinë do të ishte dëshmi se jemi tamam një vend i pavarur dhe sovran.
Mendoj se lidhjet në aspektin shoqëror, kulturor e sidomos ekonomik me Shqipërinë duhet të intensifikohen, sepse vetëm asisoj do të mund t’u qëndronim aspiratave hegjemoniste të fqinjëve, në radhë të parë të Serbisë dhe të Greqisë.