Serbia kundër propozimit të Ban Ki Moon-it

Beograd - Ndërtesa e Qeverisë

Beogradi zyrtar nuk e ka pritur mirë propozimin e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara. Një pjesë e Qeverisë serbe ka paralajmëruar si kundërpërgjigje krijimin e kuvendit të serbëve në Kosovë.

Serbia nuk do të pranojë propozimet e Sekretarit të Përgjithshem Ban Ki Mun pasi që sipas zyrtarëve serbë legalizimi i EULEX-it ka për qëllim pavarësinë e Kosovës. Zyrtarët e shtetit kanë thënë se propozimi i kreut të Kombeve të Bashkuara shkel rëndë Rezolutën 1244.

Presidenti Boris Tadiq, në letrën dërguar Ban Ki Moon-it, ka thënë se këto tentime kanë sjellë në rrezik stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, stabilitet që, sipas Boris Tadiqit, është arritur me vështirësi.

"Republika e Serbisë ka një interes të madh dhe ka mbështetur procesin që çon nga zgjidhja e kompromisit për krahinën tonë. Derisa kjo të arrihet, Kombet e Bashkuara duhet të kenë një rol qendror për paqen dhe stabilitetin në Kosovë",
ka thënë presidenti Tadiq.

Ai i ka rikujtuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së se është shumë me rëndësi që për çdo gjë të vendosë Këshilli i Sigurimit.

"Ne pajtohemi se gjashtë pikat e prekura në letrën tuaj kërkojnë një vëmendje të veçantë. Ne jemi të gatshëm të jemi pjesë e dialogut me Kombet e Bashkuara, në mënyrë që të arrijmë një marrëveshje të kënaqshme", ka shtuar Tadiq.

Ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Sllobodan Samarxhiq, ka reaguar në një konferencë për media, duke thënë se legalizimi i EULEX-it nuk mund të bëhet, pasi që ky mision e ka të caktuar si qëllim të vetëm implementimin e pavarësisë së Kosovës. Por, ai ka thënë se Serbia do t’i përgjigjet tërë kësaj në një mënyrë tjetër.

“Kushtetuta është e papranueshme për serbët dhe nacionalitetet e tjera në Kosovë. Por, ne kemi rënë dakord që si përgjigje në këtë, të organizohet kuvendi në Kosovë, që do të kishte para së gjithash një karakter përfaqësues politik”.

“Pra, ky kuvend do të përbëhej nga delegatët e të gjitha komunave, por nuk do të kishte karakter ligjvënës”, ka thënë ministri Samarxhiq.

Kryeministri Vojisllav Koshtunica e ka quajtur këtë gjë të papranueshme, duke theksuar se Kuvendi i Serbisë ka miratuar një rezolutë për Kosovën dhe kundër misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë.

“Ky projekt ka për qëllim pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Koshtunica.

Analistët mendojnë se Sekretari Gjeneral, Ban Ki Moon, ka pasur presione dhe është një tentim për të ndryshuar diçka dhe për të zyrtarizuar punën e EULEX-it në Kosovë.

Dushan Llaziq, ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare, thotë se ky propozim është inspiruar nga ideja për një zgjidhje, që do t’u përshtatej atyre që janë për zgjidhjen e këtij problemi.

“Kjo letër mund të shihet edhe si një presion ndaj Sekretarit të Përgjithshëm, që Kombet e Bashkuara të marrin disa hapa për të gjetur këtë zgjidhje. Këshilli i Sigurimit nuk ka dalë me ndonjë qëndrim dhe normalisht dilemat vazhdojnë”.

“Mendoj se duhet lexuar kujdesshëm të gjitha propozimet dhe duhet të shihet çfarë do të thotë praktikisht kjo. Është normale të pritet që një pjesë të mos jetë e kënaqur, e edhe reagimet e Serbisë janë në linjën e qëndrimeve të vazhdueshme”, mendon Llaziq.

Ndërkaq, Dushan Janjiq, nga Forumi për Marrëdhënie Ndëretnike, mendon se kjo ka qenë një përgjigje e Sekretarit të Përgjithshëm për qëndrimet e Rusisë, pasi që ata kanë qenë kundër veprimit të EULEX-it nën ombrellën e UNMIK-ut.

“Ban Ki Moon është përgjigjur dhe ka pranuar idenë kundër së cilës ka qenë Rusia dhe ka propozuar që praninë ndërkombëtare në Kosovë ta ndërmarrë misioni i përkohshëm i UNMIK-ut, në bashkëpunim me EULEX-in”.

“Mbetet të shihet se si do të funksionojë ky mision, pasi që Rusia ka qenë e vendosur, por duhet pritur mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Sigurimit”, ka theksuar Janjiq.