Freizer: OKB e BE të ecin drejt rikonfigurimit

Sabine Freizer

"Është me rëndësi që Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian të ecin drejt rikonfigurimit dhe të bien dakord se si do të duket prania e tyre pas 15 qershorit", thotë Sabine Freizer, drejtore për Evropën në Grupin Ndërkombëtar të Krizave.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Freizer, fillimisht, çfarë pritni pas 15 qershorit, kur hyn në fuqi Kushtetuta e Kosovës, në kuptimin e pranisë ndërkombëtare?

SABINE FREIZER
Mendoj se 15 qershori është një datë shumë e rëndësishme, është dita kur Kushtetuta e Kosovës do të hyjë në fuqi, dhe, në fakt, Kosova do t'i ketë atributet e plota të një shteti.

Por, unë këtu pyes veten nëse vëzhguesit ndërkombëtarë janë plotësisht të vetëdijshëm për rëndësinë e kësaj date. Deri më 15 qershor do të duhej të rikonfigurohet prania ndërkombëtare në bazë të planit të Ahtisaarit, por, për fat të keq, duket se kjo nuk do të ndodhë.

Prandaj, tash është shumë me rëndësi që Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian të ecin përpara drejt rikonfigurimit dhe të bien dakord se si do të duket prania e tyre pas 15 qershorit.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë është vlerësimi juaj për Qeverinë e Kosovës në periudhën pas shpalljes së pavarësisë?

SABINE FREIZER
Mendoj se Qeveria e Kosovës ka bërë disa gjëra pozitive, veçanërisht ka bërë përparim në miratimin e ligjeve, të cilat parashihen me planin e Ahtisaarit. Por, unë do të doja të shoh një qeveri më pro-aktive dhe më të dukshme në zbatimin e këtyre ligjeve.

Kuptohet që hapi i parë është miratimi i tyre, por tash faza e implementimit është thelbësore. Mendoj se duhej bërë më shumë për të ecur përpara me decentralizimin dhe adresimin e çështjeve të vështira, siç është ajo e minoriteteve.

Mendoj se do të ishte shenjë pozitive nëse qeveria do të mund të bënte më shumë dhe të fliste direkt me pakicat, veçanërisht me ato që jetojnë nëpër enklava.

RADIO EVROPA E LIRË

Po si e shihni rolin e Beogradit, veçanërisht në pjesën veriore të Kosovës?

SABINE FREIZER

Kuptohet që kemi dy probleme me Beogradin. Në njërën anë, në Beograd nuk është formuar qeveria, andaj është shumë e vështirë të kuptohet se kush janë partnerët nga pala serbe.

Në anën tjetër, është strategjia, e cila është zbatuar deri sot, ku Beogradi nuk ka qenë i dobishëm. Prandaj, strategjia për të ecur përpara me themelimin e institucioneve paralele dhe forcimin e tyre, nuk është fare produktive.

Kuptohet që do të ishte shumë më mirë po të shihnim njëfarë dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, ndërmjet Beogradit dhe BE-së. Fakti që kjo nuk ka ekzistuar deri më sot, është shumë negativ për zhvillimet e ardhshme në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Shumë analistë kanë sugjeruar se ndarja e Kosovës mund të jetë njëri nga qëllimet kryesore të politikës serbe ndaj shtetit të ri.

SABINE FREIZER
Nuk mendoj se në Beograd ka pasur vendim të qartë për t'u përpjekur që të vihet në jetë skenari i ndarjes. Kuptohet sa ka forca në Beograd, të cilat mendojnë se ndarja është opsioni më i mirë, por unë nuk do të thosha domosdoshmërish se kjo është pjesa më e madhe e elitës politike.

Në Beograd ka njerëz që e kuptojnë se nëse ndodh ndarja, atëherë ata do ta humbnin kontrollin mbi enklavat dhe mbi vendet ku ndodhen monumentet kryesore religjioze. Prandaj, për shkak të kësaj, mendoj se në Beograd ka njerëz që e dinë se ndarja në fakt do të ishte kundër interesit të serbëve.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, në fund, çfarë është mendimi juaj për dinamikën e njohjes ndërkombëtare të Kosovës? Deri tash ajo është njohur nga 43 vende.

SABINE FREIZER
Në njërën anë, mendoj se është shumë pozitiv fakti se Kosova është njohur nga disa shtete kryesore të botës, nga shumica e vendeve të Bashkimit Evropian dhe nga shumica e vendeve në Këshillin e Sigurimit.

Por, kuptohet, Kosova duhet të bëjë më tepër që të sigurohet se do të njihet. Duhet të bëjë më shumë, duke punuar bashkë me miqtë e saj ndërkombëtarë, në mënyrë që ta fitojë njohjen e shteteve kyçe. Këtu mendoj për disa shtete evropiane, të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën.

Kuptohet, Spanja është një vend, i cili nëse do ta njihte Kosovën, do të mund të ndihmonte që të njëjtën ta bëjnë edhe vendet tjera spanjisht-folëse, sidomos në Amerikën Latine.

Sidoqoftë, më duhet të them se Kosova duhet të bëjë më shumë përpjekje për të gjetur mbështetje jashtë Evropës, në Amerikën Latine, në Afrikë, në Azi, apo te vendet myslimane. Mendoj se këtu Kosova mund të bëjë edhe më shumë.