Ruecker: Nuk duam dyfishim me EULEX-in

Joachim Rucker

"Në parim, ne nuk duam dyfishim misionesh; një gjë e këtillë nuk do të ishte e ndershme as për taksapaguesit ndërkombëtarë”, thotë shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker, në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ruecker, aktualisht jeni në krye të një misioni, për të cilin askush nuk e di saktësisht se çfarë do të ndodhë me të pas 15 qershorit. A do të qëndrojë UNMIK-u pas kësaj date në Kosovë apo do të shkojë?

JOACHIM RUECKER
Përderisa Rezoluta 1244 është ende në fuqi, Kombet e Bashkuara do të kenë rolin e vet në Kosovë. Dhe, kjo nënkupton edhe periudhën pas 15 qershorit. Megjithatë, ne do të vazhdojmë të reagojmë në mënyrë sa më pragmatike që të jetë e mundshme, në raport me rrethanat që do të ndryshojnë në terren.

RADIO EVROPA E LIRË
Është thënë se UNMIK-u do ta përshtatë vetveten me rrethanat. Çfarë saktësisht do të thotë kjo? Si do të funksionojë?

JOACHIM RUECKER

Me këtë skenë të re që po del në sipërfaqe, Kombet e Bashkuara do të vazhdojnë të kenë rolin e vet në raportimin politik nga terreni, nga Prishtina në New York, tek Këshilli i Sigurimit. UNMIK-u do të vazhdojë ta ketë shtyllën e vet të tretë, Organizatën për Sigurinë dhe Bashkëpunimin Evropian.

Shtylla e katërt (Bashkimi Evropian) do të zhbëhet dhe do të pushojë së funksionuari, ashtu siç është paralajmëruar nga Brukseli, në fund të qershorit. Prandaj, mendoj se forma e re e misionit po bëhet gjithnjë e më e dukshme. Por, është një çështje, e cila nuk është zgjidhur ende – përgjegjësitë e Kombeve të Bashkuara mbi sundimin e ligjit dhe si do të ndërlidhen ato me atë çfarë do të bëjë misioni EULEX.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat janë bisedimet që po zhvillohen në këtë drejtim dhe në cilat pjesë të sundimit të ligjit pritet të ketë mbikëqyrje të Kombeve të Bashkuara dhe në cilat EULEX-i?

JOACHIM RUECKER
Siç e thashë, kjo çështje ende nuk ka marrë përgjigje. Po punohet në arritjen e një përparimi, njerëzit në New York dhe në Bruksel janë duke punuar mbi këtë çështje. Kam besim të fuqishëm se një zgjidhje mund të arrihet.

Në parim ne nuk duam dyfishim misionesh, nuk duam të dyfishohemi me atë që të tjerët janë të gatshëm dhe kanë vullnet për të bërë. Një gjë e këtillë nuk do të ishte e ndershme as për taksapaguesit ndërkombëtarë.

RADIO EVROPA E LIRË
A do të jetë misioni i ardhshëm i UNMIK-ut i pranishëm vetëm në veri, siç është kërkuar nga disa, apo do të jetë funksional në mbarë Kosovën?

JOACHIM RUECKER
Sipas mendimit tim, në sektorin e sundimit të ligjit, nuk duhet të ketë ndarje të punës në baza gjeografike, etnike apo funksionale midis organizatave të ndryshme. As tani dhe as në të ardhmen.

RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Ruecker, ju i keni shpallur zgjedhjet lokale të Serbisë në Kosovë si të paligjshme, por si do t'i trajtoni ato komuna që kanë dalë nga këto zgjedhje?

JOACHIM RUECKER
Siç e thatë me të drejtë, ato zgjedhje ishin të paligjshme dhe unë nuk jam informuar mbi rezultatet e tyre. Në cilindo rast, ato rezultate nuk do të kenë asnjë bazë ligjore në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju keni ofruar dy opsione për komunat e banuara me serbë - zgjedhje të reja ose emërimin e udhëheqësve të këtyre komunave. A keni arritur ndonjë përparim në këtë drejtim?

JOACHIM RUECKER
Siç e dini, unë kam emëruar përfaqësuesit e komunitetit serb në pesë komuna, Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë dhe Shtërpce. Në lidhje me këto komuna, emërimeve që janë bërë u skadon afati më 18 qershor.

Prandaj, më duhet të mendoj ose për zgjatjen e vendimit ekzekutiv, i cili ka mundësuar këto emërime ose për një mekanizëm tjetër, që mund të ketë qenë mbajtja e zgjedhjeve. Këtë çështjen e fundit e kam ofruar ta diskutoj me Beogradin, por Beogradi nuk e ka pranuar këtë ofertë.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa e vështirë mendoni se do të jetë të merreni me këto komuna, nëse emërimet që i bëni refuzohen dhe nëse Beogradi insiston që ato të udhëhiqen nga njerëzit e votuar në zgjedhjet e 11 majit?

JOACHIM RUECKER
E thashë edhe më parë, nuk jam informuar as zyrtarisht dhe as jozyrtarisht për rezultatet e të ashtuquajturave zgjedhje. Prandaj, nuk mendoj se më takon të bëj spekulime jashtë kornizave ligjore në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ruecker, situata në veri duket se është ngrirë, veçanërisht pas shpalljes së pavarësisë. Gjykata atje ende s'po funksionon, njësoj sikurse edhe hekurudhat dhe doganat. A keni ndonjë plan për ta 'shkrirë' këtë situatë? Si e shihni të ardhmen e asaj pjese?

JOACHIM RUECKER
Është e rëndësishme se në Kosovë ekziston vetëm një hapësirë ligjore, ky është parimi themelor. Më duhet të them se sundimi i ligjit në veri nuk është thyer, atje kemi ekipet mobile të doganave dhe terminal të brendshëm.

Megjithatë, pajtohem me ju, doganat duhet të rivendosen, gjykata duhet të fillojë punën e saj dhe hekurudhat gjithashtu duhet të rivendosen në kuadër të sistemit hekurudhor të UNMIK-ut. I gjithë ky proces kërkon burime, kohë dhe vendosmëri. Nuk i kemi të gjitha në sasi të mëdha, posaçërisht jo burimet, por vullneti politik për ta çuar këtë proces përpara nuk mungon.

RADIO EVROPA E LIRË
Situata në veri ka ngritur disa shqetësime mbi rrezikun e ndarjes. A mendoni se një rrezik i këtillë ekziston?

JOACHIM RUECKER
Ne ende i kemi për bazë parimet e Grupit të Kontaktit, të cilat janë mbështetur edhe nga Këshilli i Sigurimit, se nuk do të ketë ndarje të Kosovës dhe një gjendje e këtillë parashihet edhe me Rezolutën 1244, e cila do të mbetet në fuqi.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe për fund, a do të vazhdoni të mbeteni shef i misionit të rikonfiguruar të Kombeve të Bashkuara në Kosovë pas 15 qershorit?

JOACHIM RUECKER
Kjo është një çështje, e cila duhet të përcaktohet. Do të ketë një ndarje logjike dikur, por nuk mund të them se kur do të ndodhë një gjë e këtillë.