Izraeli kremton 60 vjetorin

Izraeli kremton 60 vjetorin me një histori të shënuar me dhunë dhe luftëra kontraverse, të zhvilluara në emër të së drejtës për ekzistencë, zgjerimit të territorit dhe mbrojtjes së popullsisë nga kërcënimet e jashtme.


Më 14 maj, Izraeli do të kremtojë 60 vjetorin e themelimit të shtetit.

Në gjashtë dekadat e kaluara, që kur Kombet e Bashkuara votuan për ta ndarë Palestinën në një shtet hebre dhe një shtet arab, popullsia hebreje është rritur në më shumë se 7 milionë.

Por, historia e Izraelit ka qenë e shënuar me dhunë dhe luftëra kontroverse, të zhvilluara në emër të mbrojtjes së të drejtës për ekzistencë, zgjerimit të territorit dhe mbrojtjes së popullatës nga kërcënimet e jashtme.

"Rezoluta e Komitetit Ad Hoc për Palestinën u miratua me 33 vota, 13 kundër dhe 10 abstenime".

Ky ishte vendimi që më 29 nëntor 1947 e lexoi Oswaldo Aranha, kryetari i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, duke shpallur rezultatet e votimit për rezolutën, e cila i dha fund mandatit britanik në Palestinë dhe territorin e Palestinës e ndau në dy shtete, atë hebrej dhe arab.

Gjashtë muaj më vonë, më 14 maj 1948, kryeministri i parë i Izraelit, Ben Gurion, e shpalli krijimin e Shtetit të Izraelit në Tel Aviv.

"Ne, anëtarët e Këshillit Popullor, përfaqësuesit e komunitetit hebrej nga Eretz Yisrael dhe të lëvizjes Zioniste, të mbledhur këtu në ditën e përfundimit të mandatit britanik mbi Eretz Israel, dhe nisur nga e drejta jonë natyrore dhe historike, si dhe nga fuqia e rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e shpallim themelimin e shtetit hebrej në Eretz Israel, që do të njihet si Shteti i Izraelit", tha Ben Gurion.

Formimi i Izraelit në vitin 1948 ishte kulminim i përpjekjeve 2 mijëvjeçare të hebrenjve, për t'u kthyer në tokën që një kohë e quanin atdhe, prej ku qenë dëbuar nga romakët.

Por, vendi ku u kthyen, ishte i rrethuar me shtete arabe që kundërshtonin idenë për atdheun hebreit, krijimi i të cilit i zhvendosi qindra-mijëra palestinezë.

Rrjedhimisht, konflikti arabo-izraelit vazhdoi të shënojë historinë e Izraelit.

Tensionet kulmuan në vitin 1967, në luftën 6-ditëshe, e njohur si lufta Arabo-Izraelite.

Forcat izraelite shpallën luftë pasi presidenti i Egjiptit, Naser, urdhëroi bllokadën e një porti izraelit dhe u bëri thirrje vendeve arabe të bashkohen kundër shtetit hebrej.

Forcat ajrore izraelite ndërmorën një sulm parandalues kundër Egjiptit dhe me epërsinë e forcës ushtarake, mundën Jordaninë dhe Sirinë.

Lufta zgjati 6 ditë dhe kur përfundoi, Izraeli fitoi kontrollin mbi Sinaj, Gaza, Bregun Perëndimor dhe Rrafshnaltën e Golanit.

Pas luftës 6 ditëshe, Këshilli i Sigurimit e miratoi Rezolutën 242, ku kërkoi tërheqjen e Izraelit nga "territoret e pushtuara në konfliktin e fundit".

Izraeli nuk e përfilli rezolutën dhe filloi t'i kolonizojë tokat e pushtuara.

Gjashtë vjet më pas, më 1973, lufta shpërtheu përsëri.
Egjipti, i zemëruar nga pushtimi i Sinajit, e sulmoi papritur Izraelin duke e zënë në befasi.

"Nuk kam parë asnjë njeri serioz, që nuk do të thoshte se ky ishte një sulm brutal e i paprovokuar nga Egjipti dhe Siria më 8 tetor", tha Abba Eban, ministër i Jashtëm i Izraelit.

Në vitin 1977, presidenti i Egjiptit, Anwar al-Sadat, e vizitoi Jerusalemin dhe hapi rrugën për marrëveshjen e paqes.

Kryeministri izraelit, Menachem Begin, këmbëngulte të mbajë Bregun Perëndimor, por jo edhe Sinajin.

Një vit më pas, presidenti amerikan, Jimmy Carter, i uli bashkë liderët e dy vendeve.

"Kur arritëm në Camp David, e para për të cilën ramë dakord ishte që t'i kërkojmë botës që të lutet që negociatat të kenë sukses. Këto lutje na dhanë më shumë se ç’prisnim", tha Carter.

Izraeli bëri paqe me Egjiptin, por problemi me palestinezët mbeti.

Në nëntor 1987, popullata në Bregun Perëndimor u rebelua në atë që u quajt intifada, apo kryengritje.

Megjithatë, vendbanimet hebreje vazhduan të zgjerohen.

Intifada i bashkoi palestinezët në kauzën e përbashkët kundër Izraelit, por nuk arriti përfitime politike.

Lideri i Organizatës për Çlirimin e Palestinës, Yaser Arafat, e dinte se do të duhej të bëjë koncesione dhe të njohë të drejtën e Izraelit për të ekzistuar.

Në shtator 1993, me iniciativën e Shtëpisë së Bardhë, Arafat dhe kryeministri izraelit, Yitzhak Rabin, nënshkruan Marrëveshjen e Oslos, për t'u dhënë fund dekadave të konfliktit, për të njohur të drejtat legjitime të palëve për siguri dhe për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse paqësore.

Marrëveshja parashihte një periudhë tranzicioni 5-vjeçare për tërheqjen e plotë të Izraelit nga territoret e pushtuara dhe themelimin e Autoritetit Palestinez.

Por, në vitin 2000, Marrëveshja e Oslos për pak kolapsoi.

Palestinezët radikalë, të frymëzuar nga Hamasi, filluan me sulme vetëvrasëse.

Izraeli u kundërpërgjigj dhe viktimat qenë të shumta.

Pesë vjet më vonë, Hamasi fitoi në zgjedhjet palestineze.

Në verën e vitit 2006, tetë ushtarë izraelitë u vranë dhe dy u zunë rob nga grupi i Hezbollahut në Liban.

Izraeli dhe Hezbollahu u përplasën. Lufta përfundoi pa fitues, Hezbollahu nuk u mund. Kjo ishte goditje e madhe për Izraelin.

Këtë vit, Izraeli kremton 60 vjetorin e themelimit. Është një përvjetor i fituar me shumë vështirësi.