Judah: Serbia do të vazhdojë konsolidimin e kontrollit në Kosovë

Tim Judah

"Zoti Tadiq dhe aleatët e tij janë pothuajse tërësisht kundër pavarësisë së Kosovës. Ata do të vazhdojnë konsolidimin e kontrollit të Serbisë në Kosovë ", thotë për Radion Evropa e Lirë, Tim Judah, analist britanik.


RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Judah, zgjedhjet e përgjithshme në Serbi përfunduan me një fitore të qartë për zotin Boris Tadiq. Por, vetë fitorja nuk mjafton për të krijuar qeverinë. Cilat janë mundësitë që i shihni përpara?

TIM JUDAH
Shumë pazare të rënda. Unë mendoj se është interesante të përmendet se forcat evropiane nuk kanë dalë edhe aq mirë në këto zgjedhje, por fakti se vota për forcat radikale ka pësuar një kolaps, kjo është ajo që bëri ndryshime tek përqindjet dhe i dha fitoren zotit Tadiq.

Megjithatë, keni të drejtë, në kuptimin e pastër matematik, në kuptimin e vendeve në parlament, fitorja ende nuk mjafton për të formuar qeverinë. Prandaj, mendoj se do të ketë shumë pazare.

Ajo që mbase mund të ndodhë është që Partia Socialiste, e cila dikur udhëhiqej nga Sllobodan Millosheviqi, njeriu i cili e futi Serbinë në katër luftëra, mund të joshet që të përkrahë qeverinë e udhëhequr nga partia e zotit Tadiq. Dhe, kjo është ajo për të cilën disa njerëz parashohin se do të ndodhë.

RADIO EVROPA E LIRË
Edhe pse partia e zotit Tadiq shihet si pro-evropiane, qëndrimi i saj në raport me Kosovën nuk ndryshon aq shumë nga ai i partive tjera politike; që të gjitha e kundërshtojnë ashpër pavarësinë e Kosovës. A kanë këto zgjedhje ndonjë domethënie për Kosovën?

TIM JUDAH
Në fakt jo. Nuk mendoj se këto zgjedhje do të kenë ndonjë domethënie për Kosovën. Sikur që e thatë edhe ju, me të drejtë, zoti Tadiq dhe aleatët e tij janë pothuajse tërësisht kundër pavarësisë së Kosovës.

Mendoj se do të vazhdojnë rrugën e tyre për të konsoliduar kontrollin e Qeverisë së Serbisë brenda Kosovës, prandaj nuk mendoj se këto zgjedhje do të kenë ndonjë rëndësi në Kosovë.

Kanë më shumë domethënie për atë se çfarë do të ndodhë në Serbi, por jo edhe në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur flasim për përpjekjet për të konsoliduar kontrollin e Qeverisë serbe në Kosovë, Serbia ka mbajtur zgjedhjet lokale edhe në Kosovë, me gjithë kundërshtimin e autoriteteve vendore dhe ndërkombëtare. Disa liderë serbë, madje, kanë paralajmëruar formimin e parlamentit serb. Cilat do të jenë vështirësitë në këtë drejtim?

TIM JUDAH
Mendoj se vështirësitë përpara janë të shumta.

Kam përshtypjen, megjithatë, se nëse zoti Tadiq arrin të formojë qeverinë, pra nëse Partia e tij Demokratike arrin ta udhëheqë qeverinë, një formë e 'modus vivendi' do të mund të ishte më e lehtë të arrihet, se po të udhëhiqej qeveria nga kryeministri në largim, Vojisllav Koshtunica dhe forcat radikale.

Fundja, një pjesë e madhe e zhvillimeve aktuale politike, sikur që është formimi i parlamentit serb në Kosovë, burojnë nga ndasitë politike në Serbi.

Nuk them se gjërat do të ecin më lehtë, por mund të arrihet më lehtë deri tek një formë e një marrëveshjeje praktike, nëse partia e zotit Tadiq arrin ta udhëheqë qeverinë e ardhshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke u ndërlidhur me këto zhvillime, nuk mund të shmanget edhe konfuzioni që ekziston midis misionit të Kombeve të Bashkuara dhe atij të Bashkimit Evropian në Kosovë. Fundi i periudhës tranzitore po afron, por marrëveshje ende nuk ka. Cili është mendimi juaj?

TIM JUDAH
Në këtë kuadër, mendoj se loja vazhdon. Megjithatë, kam bindjen se çfarëdo që Bashkimi Evropian të thotë, jemi duke ecur drejt situatës në të cilën ndikimi i Bashkimit Evropian do të dominojë në pjesët e banuara me shqiptarë, kurse Kombet e Bashkuara do të vazhdojnë të dominojnë në pjesët e banuara me serbë.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se një gjë e këtillë mund të jetë funksionale?

TIM JUDAH
Mendoj se ky proces në fund sërish do të varet nga formimi i qeverisë në Serbi. Me këtë dua të them se nëse ka një qeveri që udhëhiqet nga partia e zotit Tadiq, atëherë është e mundshme, ose më mirë të them, është pak më shumë e mundshme që një lloj marrëveshjeje praktike të arrihet.

RADIO EVROPA E LIRË
Forcat radikale në Serbi janë angazhuar për një ndarje funksionale midis shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë. Nëse partia e zotit Tadiq arrin marrëveshje për qeverinë, a mendoni se ajo do të vazhdojë të angazhohet për këtë koncept?

TIM JUDAH
Është e mundshme të parashihet një version më i fuqishëm dhe një tjetër më i butë në raport me këtë argument. Dhe, mendoj se në rast se zoti Tadiq arrin të formojë qeverinë, atëherë ai do të angazhohet për një version më të butë të këtij koncepti; po.