Shqipëria reagon ndaj raportit të HRW

  • Suela Musta
Politika shqiptare ka reaguar ashpër ndaj fakteve të publikuara në raportin e “Human Rights Watch”, lidhur me trafikimin e organeve në Shqipëri, gjatë luftës në Kosovë. Sipas deputetëve të partive politike, faktet janë të trilluara dhe jo të argumentuara, me qëllim dezinformimi. Ndërkaq, komisioni parlamentar i politikës së jashtme ka informuar Ministrinë e Jashtme të Zvicrës lidhur me pretendimet e ish-prokurores, Del Ponte.

Politika shqiptare ka hedhur poshtë dyshimet dhe akuzat e nxjerra së fundi nga organizata “Human Rights Watch”, mbi trafikimin e organeve njerëzore në Shqipëri, gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Kryetari i Komisionit të Politikës së Jashtme, Prek Zogaj, thotë se faktet e librit të ish-prokurores Carla Del Ponte dhe raportet e “Human Rights Watch”, janë të trilluara.

Sipas zotit Zogaj, shteti shqiptar po sqaron për këtë çështje dhe institucionet ndërkombëtare.

“Një marrëzi e gjitha dhe kush ka kohë për të humbur me këtë, le të humbasë. Nuk bindet njeri për këtë. Ne kemi vënë në dijeni edhe Ministrinë e Jashtme të Zvicrës. Ka ekzistuar ndjenja anti-shqiptare dhe kujton se mund të dëmtojë një popull që ishte viktimë e gjenocidit millosheviqian, kujton se mund ta dëmtojë në këto mënyra”, thotë Zogaj.

Anëtari i Komisionit Parlamentar për Integrimin, Pëllumb Xhufi, thotë se raporte të tilla hartohen nga Beogradi me qëllime dezinformimi.

“Unë gjykoj që këtu kemi të bëjmë me deklarata paraprake, të bëra mbi bazën e njoftimeve të njëanshme. Jam i bindur që bëhet fjalë për një zhurmë të kotë, e cila do të përfundojë. Rëndësi ka që Shqipëria, autoritetet shqiptare, shoqëria shqiptare, qoftë këtu, qoftë në Kosovë, është e hapur për çdolloj investigimi dhe ajo duhet bërë më shumë sesa të hapen lajme të rreme”, thotë Xhufi.

Deputeti i zonës së Burrelit, Qemal Minxhozi, që përflitet nga Del Ponte dhe “Human Rights Watch”, për trafikimin e organeve të qytetarëve serbë, sqaron se hetimet nga ekspertët e Hagës kanë rezultuar të pastra.

“Janë njerëz, nuk mund të them të papërgjegjshëm, por njerëz që nuk kanë një përgjegjësi profesionale, sepse ato që thuhen në ‘Human Rights Watch’, nuk janë të vërteta aspak. Në vitin 2004, e kam thënë edhe më parë, është vërtetuar që është një akuzë false, e pabazë dhe një gënjeshtër. Nëse mendon se janë dy dëshmitarë, do ndihmonin shumë për zbardhjen e çështjes dhe ne këtë presim. T’i thotë zonja Del Ponte se kush janë këta dy persona”, thotë Minxhozi.

Lidhur me këtë çështje, organet hetimore dhe informative të Shqipërisë kanë bërë të ditur se nuk rezultojnë prova, të cilat hedhin dyshime për trafikim të organeve njerëzore të shtetasve serbë.