Çmimet e larta ulin standardin jetësor


Ekspertë për çështje ekonomike pohojnë se krahas rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore, duhet që të gjenden mënyra edhe për rritjen e pagave të punëtorëve në sektorin publik dhe krijimin e një ambienti më të përshtatshëm të sektorit privat.

Flamur Keqa, nga Oda Ekonomike e Kosovës, pohon se në vendet ku shfaqet inflacioni, kjo dukuri përcillet edhe me rritjen e pagave të punëtorëve.

Ai thotë se pagat aktuale që marrin punëtorët nga buxheti i Kosovës, janë të pamjaftueshme përballë çmimeve të produkteve ushqimore, e sidomos tashmë kur ushqimi është shtrenjtuar për gati 15 për qind.

Kështu që, sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet që të rishikojë edhe njëherë buxhetin, në mënyrë që të gjenden mundësi që të ketë lëvizje të pagave.

“Konsideroj se ky është një moment i rëndësishëm, sepse Kosova, rajoni dhe bota po kalojnë në një krizë të ngritjes së çmimeve. Kështu që kjo paraqet domosdoshmëri që qeveria t’i rishikojë mundësitë, që të bëjë rialokimin e të hyrave buxhetore dhe t’i minimizojë këto fenomene negative”, thotë Keqa.

Musa Limani, udhëheqës i Institutit Ekonomik në Prishtinë, pohon se rritja e çmimeve të produkteve ushqimore ka ulur standardin jetësor në Kosovë.

“Kjo do të thotë se inflacioni e ka ulur për 13 për qind fuqinë blerëse të popullatës. Prandaj, që të ruhet gjendja ekzistuese dhe të mos bie standardi, qeveria duhet të bëjë rritjen e pagave nominale për 13 për qind, aq sa është inflacioni”, thekson Limani.

Ekspertët, ndërkaq, shprehin shqetësimin se pas paralajmërimit të krizës globale të ushqimit, kjo krizë rëndë mund të ndikojë në Kosovë.

Flamur Keqa thotë se institucionet e Kosovës duhet patjetër të krijojnë një ambient më të përshtatshëm për komunitetin privat të biznesit, mënyrë kjo që ndikon në rritjen e numrit të të punësuarve.

“Të krijojë një ambient më të favorshëm për zhvillimin e sektorit privat, që nëpërmes kësaj të krijojë vende të reja të punës. Dhe, normalisht, këto biznese të zhvillohen sa më mirë dhe të hyrat nga biznesi, por edhe pagat, të jenë më të larta”, shprehet Keqa.

Që Kosova t’i shmanget sadopak krizës sociale, Musa Limani thotë se një kujdes më i rëndësishëm duhet t’i kushtohet sektorit të bujqësisë.

“Qeveria jonë duhet të marrë masa stimulative që t’i nxisë prodhuesit bujqësorë që të prodhojnë kultura kryesore bujqësore, të cilat do të furnizonin tregun e Kosovës. Në qoftë se edhe më tutje nuk prodhohet në Kosovë edhe merremi me degët shërbyese, atëherë me të vërtetë do të jetë një krizë shumë e thellë në aspektin e furnizimit të tregut me të mira materiale dhe gjithnjë do të rritet varfëria dhe problemi social do të jetë më i shprehur në tregun e Kosovës”, tha Limani.

Ndryshe, një përgjigje zyrtare nga qeveria lidhur me inflacionin dhe mundësinë e rritjes së pagave, nuk ka qenë e mundur të gjendet, për shkak se zyrtarët e qeverisë nuk ka qenë e mundur të kontaktohen.