Përmasat e kontrabandës në veri të Kosovës

Pika kufitare Jarinë, 19 shkurt 2008.

Që nga djegia e pikave kufitare në veri, buxheti i Kosovës ka humbur më se 2 milionë euro nga kontrabanda e mallit që hyn nga Serbia në Kosovë. Për të parandaluar këtë, Shërbimi Doganor ka vendosur ekipe lëvizëse, që kontrollojnë 24 orë rrugët e Mitrovicës.

Mbi 2 milionë euro janë humbjet e buxhetit nga kontrabanda e mallit që po zhvillohet në veri të Kosovës.

Kështu thonë zyrtarë të Shërbimit Doganor dhe ekspertë për çështje ekonomike.

Naim Huruglica, drejtor i Shërbimit Doganor të Kosovës, thotë se mbi 1 milion euro janë humbjet e buxhetit vetëm për një muaj, nga 19 shkurti, kur edhe janë djegur pikat kufitare në Jarinë dhe Zubin Potok, deri më 15 mars, kur Shërbimi Doganor i Kosovës ka vendosur ekipe mobile rrugëve të Mitrovicës.

“Sipas disa analizave, humbjet në atë periudhë kohore kanë variuar prej 1 deri në 2 milionë euro. Pas datës 15 mars ka një rënie të nivelit të kontrabandës, si rezultat i angazhimeve më të mëdha të vetë shërbimit tonë”, thotë Huruglica.

Ndryshe, prej djegies së pikave kufitare, Aleanca Kosovare e Biznesit ka bërë disa hulumtime për ekonominë informale në veri të Kosovës.

Sipas këtyre hulumtimeve, Agim Shahini, udhëheqës i këtij asociacioni, thotë se humbjet e buxhetit nga kontrabanda e mallit që hyn nga Serbia në Kosovë, janë shumë të mëdha.

“Pas ndezjes së pikave kufitare në veri të Kosovës del se buxheti i Kosovës humb një milion euro në muaj. Nëse vazhdon ky trend, Kosova deri në fund të vitit mund të humbë mbi 10 milionë euro”, tha Shahini.

Me gjithë faktin se janë bërë më shumë se dy muaj që kur Shërbimi Doganor i Kosovës nuk është i pranishëm në pikat kufitare në veri të Kosovës, Huruglica thotë se kohëve të fundit është zvogëluar niveli i kontrabandës së mallit të ardhur nga Serbia.

Ai thotë se në atë pjesë janë të pranishëm pjesëtarë të Shërbimit Policor të Kosovës dhe të UNMIK-ut, dhe pas hyrjes se çdo maune në territorin e Kosovës, thotë ai, obligohen që të dërgohet në terminalin doganor në jug të Mitrovicës.

“Ato pajisen me nga një udhëzim në letër, në të cilën shënon në tri gjuhët se çka duhet të bëjë dhe mund të them se pjesa dërrmuese e atyre mallrave vazhdojnë të vijnë poshtë në terminalin doganor në Mitrovicë dhe t’i përfundojnë të gjitha procedurat doganore që i kërkon ligji. Ajo është situata aktuale, ende nuk ka ndryshuar asgjë. Ne akoma nuk jemi prezentë në dy pikat, por përmes njësive mobile, lëvizëse, ne po bëjmë patrullimin 24 orë të rrugëve, të cilat sjellin nga veriu i Kosovës”, u shpreh Huruglica.

Por, Agim Shahini pohon se hapësira për zhvillimin e kontrabandës së mallit në atë pjesë është shumë e madhe.

“Vendi ku ndodhet Shërbimi Doganor i Kosovës dhe Shërbimi Policor i Kosovës është larg kufirit mbi 40 kilometra dhe 40 kilometra jep hapësirë të mjaftueshme që kontrabanduesit të zhvillojnë këtë veprimtari të dëmshme për zhvillimin e gjithmbarshëm të Kosovës. Aty, përpos rrugës kryesore që lidh Serbinë më Kosovën, janë edhe rrugët alternative”, thotë Shahini.

Sidoqoftë, para shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Qeveria e Serbisë kishte paralajmëruar sanksione ekonomike ndaj Kosovës.

Por, pas përfundimit të këtij akti, disa nga kompanitë tregtuese, sipas ekspertëve, kanë gjetur mënyra më të mira për të furnizuar tregun kosovar me mallra serbe, pa iu nënshtruar procedurave të rregullta doganore, me përfitime të mëdha materiale, madje edhe me produkte me afat të skaduar.