SHPK e KFOR: S'kemi njoftime për persona të armatosur

Logo e SHPK-së

SHPK-ja dhe KFOR-i nuk konfirmojnë praninë e personave të armatosur në kufirin Kosovë-Maqedoni. Sipas njoftimeve jozyrtare, me qëllim që të mbrojnë pronat e tyre tani kur po bëhet demarkacioni i kufirit, banorë të fshatrave kufitare janë armatosur. Qeveria nuk ka ndonjë qëndrim rreth kësaj çështjeje.


Shërbimi Policor i Kosovës thotë se është duke zhvilluar hetime nëse vërtet ka prani të personave të armatosur në fshatrat në kufi me Maqedoninë. Mediat kanë njoftuar se në Tanushë të Maqedonisë dhe Mjak, fshat ky që gjendet në territorin e Kosovës, janë parë persona të armatosur, të cilët thonë se synojnë ruajtjen e pronave të tyre, që mund të pësojnë nga demarkacioni i kufirit.

Zëdhënësi i SHPK-së, Veton Elshani, thotë se policia nuk e di se kush janë ata persona.

“Nuk mund të themi se kush janë këta persona dhe nga cila anë janë, mirëpo, në përgjitësi, ne do t’i porosisim se brengat e tyre po kuptohen nga populli i Kosovës dhe nga institucionet, sikurse edhe nga SHPK-ja, duke marrë parasysh se në grupin e demarkacionit kemi gjeneralin Behar Selimi, përgjegjës për shtyllën e kufirit. Por, nëse ne i takojmë ata, ne do të veprojmë në bazë të ligjit”, tha Elshani.

Në anën tjetër, zyrtari për informim në KFOR, Herve Kozete, thotë se KFOR-i ka marrë informata se persona të armatosur gjenden në kufi, por nuk ka hasur ende në ta.

”Ajo që mund te them është se ne ende po patrullojmë në atë zonë dhe sapo të hasim në atë grup, do të reagojmë në bashkëpunim me UNMIK-un dhe SHPK-në. Por, deri tani, KFOR-i nuk i ka takuar këta njerëz”, thotë Kozete.

Kurse, Veton Elshani thotë se nëse SHPK-ja takon persona të armatosur, do t’i arrestojë ata.

“Ata me siguri nuk kanë leje per ato armë që i kanë me vete dhe normalisht që ata do të arrestohen”, tha Elshani.


Prania e personave të armatosur në fshatrat kufitare është parë pas nënshkrimit të protokollit mes komisioneve teknike të Kosovës dhe Maqedonisë, i cili është bërë duke marrë për bazë pakon e Ahtisaarit. Qeveria e Kosovës ende nuk ka ndonjë qëndrim për këtë çështje.
Komisionet teknike, tash disa javë, kanë nisur procesin e demarkacionit të kufirit Kosovë-Maqedoni, përderisa pakoja e Ahtisaarit parasheh që të respektohet marrëveshja mes Shkupit dhe Beogradit e vitit 2001, me te cilën 2500 hektarë nga territori i Kosovës i kalojnë Maqedonisë. Fshatarët e Debëlldesë kanë paralajmëruar se do t'i shfaqin pakënaqësitë e tyre në forma të ndryshme nëse u merret prona.